Dritëhijet e marrëdhënieve Shqiptaro – Serbe

Nga Eraldo Mecalla

Teoritë mbi kombin dhe identitetin kombëtar, janë bazat kardinale për të kuptuar dhe hulumtuar marrëdhëniet ndërmjet kombit Shqiptar dhe kombit Serb. Njëkohësisht, bazë për të kuptuar diferencat dhe konfliktet ndërmjet shqiptaro-serbëve janë gjuha, etnia, historia dhe kultura.

 

Kombet moderne shqiptaro-serbe janë shfaqur në shekullin 19, por rrënjët dhe origjina e tyre është e lashtë dhe aty është edhe origjina e problemit. Është fakt historik i pranuar që shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë dhe autokton në Ballkan, të njohur si paraardhësit e Shqiptarëve janë Ilirët, por flitet dhe diskutohet për lidhje ndërmjet Iliro-Pellazgëve, ndërsa Serbët në këtë pikë dihet që janë një popull i ardhur nga lindja. Ato emigruan dhe u vendosën në rajonin e Ballkanit në shekullin 6-7, ndërsa principata e parë Serbe u themelua në shekullin 9.

Në shekullin e 14, nën sundimin e Stefan Dushanit, Serbia mesjetare arriti kulmin e saj me pushtimet territoriale. Megjithatë, pas vdekjes së Dushanit, Serbia pësoi humbje të mëdha në luftë kundër Osmanëve sidomos në “Betejën e Kosovës” në vitin 1389. Nga mesi i shekullit të 15, Serbia ishte nën sundimin Osman për më shumë së 5 shekuj deri në shekullin e 19, ku fitoi autonominë dhe pavarësinë.

 

Që në vitet 1912 – 1913, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj, Serbia e kuptoi qartë që do ti duhej të bashkëpunonte me Shqipërinë, por problem themelor ishte Kosova dhe Shqiptarët e Kosovës të cilët ajo i cilësonte të rrezikshëm për integritetin territorial të Serbisë dhe i quante si pronë të saj pa të drejtë. Lufta Ballkanike në vitin 1912, mori një karakter të luftës së shenjtë për Serbët, si hakmarrje për humbjet e së shkuarës. Këtu Serbët bazojnë edhe konceptin që Kosova është e destinuar të jetë pjesë e “Serbisë së Madhe”.

 

Arsyet Serbe për këtë mënyrë konceptimi janë:

1.) Eksodi Serb i vitit 1690.

2.) Feja e ndryshme me Shqiptarët e Kosovës.

3.) Serbët me përkatësi fetare ortodokse, e quanin veten si mbrojtës të krishtërimit.

5.) Shumë i rëndësishëm është fakti që nacionalistët Serbë besojnë, se Shqiptarët u konvertuan në islam dhe gëzuan priviligje dhe status të veçantë nën Perandorinë Otomane, ç’ka në konceptin e tyre i kthente automatikisht Shqiptarët në Turq. Kjo logjikë nënkuptonte që në bazë të identitetit fetar, Shqiptarët duhet të kishin ndjekur Osmanët dhe të largoheshin nga Kosova kur otomanët u larguan nga Ballkani, pra një koncept dhe logjikë tërësisht e pabazuar në fakte dhe e gabuar.

6.) Shqiptarët flasin gjuhë jo-sllave, që i ndan dhe dallon radikalisht nga Serbët.

 

Vizioni i “Serbisë së Madhe”, mbështetet në përfshirjen e të gjithë Serbëve në një shtet të fuqishëm, në krijimin e një Federate të Sllavëve të Jugut me Serbinë si bazë dhe në ëndërrat e nacionalistëve radikalë Serbë pëfshihej edhe aneksimi i Kosovës dhe Shqipërisë. Shembuj të kësaj dëshire Serbe kanë qënë këto:

1.) Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene ( 1919 – 1929 ).

2.) Mbretëria e Jugosllavisë ( 1929 – 1941 ).

3.) Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ( 1945 – 1991 ).

Që nga Lufta Ballkanike, Lufta e I-rë Botërore, Lufta e II-të Botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë marrëdhëniet shqiptaro – serbe kanë qënë të tensionuara vazhdimisht. Në Luftën e II-të Botërore, shqiptarët e Kosovës janë cilësuar nga Serbët si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit me idenë e krijimit të një “Shqipërie të Madhe”. Ndërsa për të ardhur tek epoka më gjakatare e kohëve moderne, ku Sllobodan Millosheviçi me anë të luftës, gjenocidit, spastrimeve etnike ndaj Shqiptarëve të Kosovës në periudhen 1998 – 1999, kërkoi të aneksonte Kosovën. Por kjo nuk u realizua kurrë sepse e drejta dhe fati ishin në anën e Shqiptarëve, që me mbështetjen e jashtëzakonshme të faktorit ndërkombëtarë duke filluar me Presidentin e SHBA-së Bill Clinton, NATO, OKB, BE, OSBE etj, gjithçka përfundoi me sukse me bombardimet e Natos në vitin 1999 në Serbi.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, njohja ndërkombëtare nga shtetet europiane dhe nga shtetet e tjera të botës, kanë çuar përpara idenë e bashkëpunimit në Ballkan. Vetë Serbia dëshiron të antarësohet në BE, dhe realisht pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së  e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo ka ndikuar që edhe dialogu dhe marrëveshjet Kosovë – Serbi të drejtuara nga BE të jenë një rrugë e pakthyeshme tashmë. Vetëm bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian, do ta bëjë të mundur finalizimin me sukses të proçesit të integrimit të rajonit të Ballkanit në BE. Me vizion dhe diplomaci konstruktive, shtetet e Ballkanit mund të lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe të shkojnë drejt bashkëpunimit për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik, politik, kulturor dhe sigurisht antarësim në BE. Ngjarjet historike në marrëdhëniet shqiptato – serbe, pavarësisht rëndësisë dhe peshës së fajtorit, duhet të tejkalohen për të mirën e përgjithëshme. Shqipëria duhet të shërbejë si ndërmjetëse për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut dhe marrëveshjeve Kosovë – Serbi, duke lënë pas ngjarjet historike dhe mosbesimin dypalësh. Pavarësisht qëndrimeve radikalisht të kundërta në lidhje me Kosovën, si vizita e Kryeministrit Shqiptarë në Beograd dhe ajo e Kryeministrit Serbë në Tiranë, kanë bërë histori në marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe. Ndërsa në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të thotë paqe, siguri, stabilitet në Rajonin e Ballkanit.

 

Diplomacia dypalëshe është baza themelore për kapërcimin e krizave, paragjykimeve, nacionalizmave. Vetëm me dialog politik dhe ekonomik, mund të zhduken hijet e së shkuarës, ato sjellin një komunikim më të lartë dhe shkëmbime ekonomike e kulturore më të mëdha. Projekti i Ballkanit Perëndimor i ideuar nga kancelarja Gjermane Angela Merkel, ka qënë një pikë e fortë në afrimin Shqiptaro – Serb, kjo lidhje u forcua edhe nga vizitat e fundit të kancelares Merkel në Shqipëri dhe Serbi. Tashmë liderat në Shqipëri dhe Serbi e kanë kuptuar qartë dimensionin që ka realsiht marrëdhënia Shqiptaro – Serbe, për antarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është edhe arsyeja se përse të dy vendet duhet të kenë kujdes në mënyrën e të bërit diplomaci dhe realizimit të politikës së jashtme.

Aspiratat e antarësimit në BE, kërkon që si Shqipëria dhe Serbia të ndjekin rrugën perëndimore në konsolidimin e demokracisë. Shqipëria sot e tregon më shumë se kurrë këtë dëshirë dhe përkushtim drejt perëndimit me antarësimin në NATO, lidhjen e veçantë me SHBA-në, OKB-në dhe sigurisht aspiratën shumëvjeçare për antarësimin në BE. Ndërsa Serbia nuk është kaq e prirur ndaj perëndimit, duke mos qënë anëtare e NATO-s, duke afruar Rusinë në Ballkan, por sidoqoftë me veprimet e fundit ajo ka shprehur rrugën europiane duke synuar integrimin në BE.

Komunikimi është baza për forcimin e lidhjes ndërmjet dy shteteve, ndërsa projektet finaciare, energjitike, infastrukturore janë të rëndësisë gjeopolitike. Çështja e marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe është më delikatja për historiografinë e të dy shteteve, prandaj përmirësimi i marrëdhënieve dëshmon vizionin largpamës të qeverive për të ardhmen, për një bashkëpunim më të fortë politik dhe ekonomik. Në Europë dhe sigurisht në Ballkan historia ka qënë e mbushur me ngjarje problematike ndërmjet shteteve, ka pasur edhe luftë por nga lufta nuk fiton askush.

Marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe për shumë kohë kanë qënë të dobëta për shkak të shumë çështjeve por spikaste problemi me Kosovën, që mbetet ende çështje delikate. Por perspektiva e antarësimit në BE, ka ndryshuar kapitullin e marrëdhënieve Shqiptaro –Serbe dhe Kosovaro – Serbe, të cilat tregojnë se interesi i përbashkët europian ka arritur të ulë paragjykimet e së shkuarës. Teoritë nacionaliste të “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe”, duhet të anashkalohen dhe të harrohen nga elitat politike Shqiptaro – Serbe, kjo do të tregonte distancim nga e kaluara drejt një vizioni gjeopolitik, gjeoekonomik, gjeostrategjik, për një Ballkan Perëndimor të integruar në BE.   

SHKARKO APP