Droni dhurata më e shitur për Krishtlindje në Angli!
Mesa duket droni i ngritur më 14 tetor në stadiumin “Partizani i Beogradit” ka ngjallur një interes të papritur në këto festa, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën.
Rasti më i fundit është kur Autoritetet e Aviacionit në aeroportin e Londrës, Heathrow kanë evidentuar një individ i cili drejtonte një dron, pikërisht si ai i ngritur në ndeshjen Shqipëri-Serbi. Vetëm se kësaj here nuk është krijuar e njëjta situatë si në ndeshjen e shumëpërfolur.
Për fat të mirë, avioni në aeroportin Londrës ka shpëtuar nga përthithja e një droni në njërin prej motorëve të tij. Në të kundërt ngjarja do të ishte fatale. Ajo që vlen të përmendet është se droni, i bërë tashmë i famshëm nga e ashtuquajtura ndeshja Shqipëri – Serbi, ka qenë një nga dhuratat më të shitura në këto krishtlindje në Britaninë e Madhe.
Ndërkohë autoritetet përkatëse vazhdojnë të bëjnë thirrje për një përdorim më të kujdesshëm të droneve, pasi mund të shkaktojnë dëme. E duke folur për dëmet që vijnë nga dronët, gazeta britanike Dailymail, thekson dhe incidentin e ndodhur në ndeshjen Shqipëri-Serbi, e cila solli ndërprerjen e saj dhe përleshje të huliganëve me lojtarët.