Dum karamele tate, dum çokollata!

 

Nga Ilir Levonja

Përballë entuziazmit të shqiptarëve, Anxhela Markel ka diçka për të thënë. Qetë dhe me sqimë, ashtu si një gjermane, deklaron. ''Është Komisioni Evropian ai që vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kriteret, dhe jo unë”. Mirëpo tironsve, u duket sikur në vend të saj është Valbona Mema, ndaj edhe këndojnë. Dum karamele tate, dum çokollata. E bëjnë në kor. Dum karamele tate, dum çokollata. Pse jo? Bjonde Valbona Mema. Bjonde po me leshë të verdha do thoshte Jovan Bregu, edhe Merkeli. Të dyja pra bjonde. Dhe kori i qeveritarëve tanë tironsa që duartrokisnin, buzëqeshnin… Dhe këndojnë gjithë qejf, dum karamele tate, dum çokollata.

Merkeli thotë kriteret, kriteret, kriteret. Ne avazin, dum karamele tate, dum çokollata.

Çuditërisht Kryeministri nuk e ngriti zërit t'i thoshte, zonjë o na bëni europianë ose u bëmë islamistë radikalë. Ashtu sikur i foli Europës disa ditë më parë. Nuk e di pse s'e bëri pasi dhe atmosfera qe diell. Ngjyra të gjalla. Kori në bulevard po ashtu, entuziast. Dum karamele tate, dum çokollata. Por thonë që me Merkelin e ka mirë, shkëmbejnë dhe batuta. Dhe neve kjo na bën të lumtur. E kemi Kryeministrin gaztorin e koktejleve. Kështu që i bie të këndojmë. Të gjithë, dum karamele tate, dum çokollata.

1) Tiranë 8 korrik 2015. Në hyrjen kryesore të Kryeministrisë, për nder të çiftit Rama Merkel shfaqet një ballkon modern. Plot drita. Me ca krahë të zgjatur që e mbajnë. Fort. Po fort ama. Prurja e re të zotit të shtëpisë. Si shenjë proteste në ndërhyrjen me dhunë në ndërgjegjen historike të arkitekturës perandorake, në godinën qeveritare. Dolën në protestë disa nga heronjtë e mbrojtjes së monumenteve të kulturës për Shqipërinë. Shkreli, Tare dhe Lamja i Aluizmit. Tekstualisht ata thanë, ''është një krim që i bën ky burrë shteti identitetit të saj perandorak. Ne e kundërshtuam edhe në komisionin shtetëror për mbrojtjen e monumenteve me vlera kulturore. Nuk na dëgjoi kush, por ne e bëmë tonën. Besoj të na dëgjojnë edhe ata këshilltarët, të na dëgjojë edhe populli. Projekti fillestar i tre projektuesve italianë nga viti 1939 nuk ka ballkon''. E bën si burrat. Kështu e kanë bërë gjithmonë. Më kujtohet edhe për hekurat e Presidencës. Ato që preu Nishani në shkurtin e 2014. E bën edhe sot më 8 korrik 2015. Përpara çiftit Rama Merkel, por ata nuk i dëgjuan. Populli, bulevardi, tironsit këndonin. Dum karamele tate, duam çokollata.

2) Tiranë 8 korrik 2015. (si) Tha ministri Tahiri. Duhet marrë shembull nga ajo, bjondja. Respektoi qarkullimin. Rendin. I bëri përshtypje. Edhe mua më bëri përshtypje. Ndjeva keqardhje për veten. Merkeli ka rregullore qarkullimi kurse ministri im nuk ka. Po tjetër? Përfytyrova asetin politik gjerman Merkel. Çfarë të thuash. I ka hipur policëve në kokë në opozitë. Ndaj rri veshur me pantallona. U ka vënë zjarrin makinave. Është organizatore e shkëlqyer e militantëve me altoporlant. Bredh në tarracën e qeverisë së saj me radio marrëse në gojë kur opozita proteston. Në këtë kontekst kemi të drejtë të krenohemi. Ngjakemi. Qënkemi për reforma. Dhe për merita të tilla. Si reformatorë, na takon të futemi në kryqëzim edhe kur është ndezur e kuqja. Mund të parkojmë në trotuar, mund t'ia grisim gjobën policit në surrat. Merkeli le të mbajë rregulloren. Neve meritat. E pse duhet marrë shembull nga ajo aliene. Nga ajo jashtokësore. Nga ajo bjonde që shikon e dëgjon gjakftohtë ritin tonë prej tironci. Ahengun e njerëzve të lumtur. Këngën, dum karamele tate, dum çokollata.

3) Tiranë 8 korrik. Shtatori është gjithmonë muaji i bereqetit. Në shtator do i bëjmë dhe ne të gjitha. A ka në drejtësinë shqiptare sot, korrupsion? Ç'është ajo fjalë. Korrupsioni fillon në shtator? Atëhere do fillojmë edhe ne reformat. Mu kujtua vite më parë. Vjeshtë e 99-ës. Kur një ministër i brendshëm, bëri ca deklarata të forta. U tha shqiptarëve, shumë shpejt dhe nuk do përmenden më të fortët apo bandat e tyre nëpër qytete. Dhe kur nisi fushata pas 1 jave. Në bazat e përfolura u gjetën vetëm gjynahqarët, ushtarët. Kapot kishin fluturuar. Mu kujtua ajo shprehja franceze. Nëse thua nesër, nuk ke për ta bërë asnjëherë. O bëje sot, o nuk e bën kurrë. Në bulevard po këndon një bjonde, dum karamele tate, dum çokollata.

SHKARKO APP