
Po mbahet protesta kombëtare e studentëve në Tiranë, ndërsa në mbështetje të tyre është mobilizuar edhe Partia Demokratike.
Studentët janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit, ku vijojnë tubimin dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në mbështetje të tyre janë edhe pedagogë, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj po zhvillojnë mobilizimin e tyre në kryeqytet. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u kishte bërë thirrje një ditë më parë anëtarëve dhe qytetarëve nga i gjithë vendi që t’i bashkoheshin protestës.
Studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 protesta do të vijojë përpara Kryeministrisë.
Policia ka marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa rreth 1500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestave. Në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
