E para, është ekonomia …

 

“Kujtojmë se vdesim për atdheun, por vdesim për bankat …”

Nga Eglantina NASI

“E para, ishte fjala …”. Apostulat i njohur, fillesë e sqarimit biblik të gjenezës së botës si të tillë. Dhe që në vigjilje të vitit të ri të saponisur 2016, për çdo qytetar të thjeshtë të këtij vendi mund të adoptohet me një tjetër disi të ngjashëm “E para, është ekonomia”. Teksa është pikërisht kjo e fundit me të cilën secili përballet kur ka mbyllur “qepenin” e vitit 2015 dhe ajri i ftohtë i rreh fytyrën ditët e para të 2016-ës…

Puna, biznesi, paratë dhe e ardhmja që prosperojmë mes tyre, duket se janë gjithçka që na shqetëson më së pari të gjithëve në përballjen tonë të parë me ritualin 365-ditor që na prin. Sepse edhe kur duket ndonjëherë se ‘vdesim’ për atdheun, në fakt ‘vdesim’ për bankat. Garantueset e vetme mesa duket të qetësisë dhe zgjidhjes së çdo halli të mundshëm njerëzor. Më shumë sesa emergjenca e trumbetuar e politikës në veshët shqiptarë, për realizimin e reformës në drejtësi, të dekriminalizimit, asaj zgjedhore etj, etj. Pa i hequr në fakt asnjë presje rëndësisë që realizimi i këtyre të fundit mbart mbi vete, askush nuk mund të pretendojë se ato i pararenden përmbushjes deri në fund të kompleksit të reformës ekonomike si të tillë. Sepse ekonomia prin. Edhe pse duket sikur buron apo është produkt i zgjedhjeve dhe vendimmarrjet e caktuara politike, rëndësia e saj është vitale për jetën e thjeshtë të qytetarit të thjeshtë, i cili në fakt përbën edhe shumicën e këtij vendi dhe i kapërcen gjithë kufijtë e inskenimeve, lojërave apo kapriçove të politikës…

Në fillim të këtij viti 2016, është fakt për të gjithë se përballemi me një realitet të ri fiskal, të induktuar pikërisht nga një vendimmarrje e detyruar e qeverisë së majtë gjatë vitit të kaluar, për të vënë në shina rregullin e munguar deri më tani në këtë fushë, sikundër edhe informalitetin frymëzënës. Një realitet ky që natyrshëm ka fituesit dhe të humburit e vet. E që para se të gjithë të bëjnë analizën e tij, në fund të fundit kanë nisur të bëjnë që tani hesapet sesa u kushton zbatimi i rregullave të reja.

Po. Qytetarët e këtij vendi, nisur që nga ata të thjeshtë dhe deri tek ata që zotërojnë një nivel të caktuar standardi jetese, do të kuotohen ndryshe nga vjet për detyrimet e caktuara fiskale para autoriteteve tatimore. Çka i bën ata në njëfarë mënyre, pse jo, edhe më të përgjegjshëm, për atë regjim të cilin në fakt duhej ta kishin respektuar vite, pse jo, edhe dekada më parë. E pikërisht shpejtësia, por edhe kurajoja politike në njëfarë mënyre për ta realizuar sa më parë një reformë të tillë, duket që i ka vënë ata ballë një stepje kolektive se ky regjim paraqitet paksa i ashpër. Duke i dhënë për shumë prej tyre barrës fiskale të re, një peshë më të rëndë se dikur. Dhe duke i bërë që të nisin të mendojnë për ekonominë vetjake, atë familjare, por edhe atë të të gjithëve, në mënyrë më të përgjegjshme. Sepse deri në momentin që “ia hedh” pa paguar, gjërat natyrshëm që duken më të lehta. Porse kur ndihesh i skanuar nga “syri i shtetit”, çështjet ekonomike duket se i merr më seriozisht. Për t’i bërë ato që t’ua kalojnë ndoshta debateve politike të ditës, apo edhe atyre me argumente shpesh vanitoze që gëlojnë në qarqet e jetës shqiptare.

Po. Sivjet, taksat do të jenë më të larta. Shoqëruar me rregulla më strikte për paguesit, por në të njëjtën kohë dhe për mbledhësit e tyre. Ndërsa autoritetet tatimore edhe më të ashpra. Duke patur të gjithë mbi kokë një sy të shtetit më vigjilent për të mbledhur detyrimet. Kësisoj, shumë biznese më mirë kanë preferuar të mos e ristartojnë aktivitetin e tyre privat në 2016-ën, për t’ua lënë rrugën të lirë atyre që në fakt e kanë sprovuar rrugën e biznesit duke respektuar kushtet e tregut. Një veprim ky që mbart një kosto të caktuar për të ardhurat tatimore, por edhe vetë punësimin. Por që në fund të fundit, lë në fushën ata lojtarë të sprovuar që dinë të luajnë sipas rregullave të lojës. E parë në këtë këndvështrim, ky shtrëngim fiskal nuk duhet të na stepë si shoqëri për të ecur edhe më tej në rrugën e sipërmarrjes së lirë me kurajo. As edhe për t’iu nënshtruar një pesimizmi provincial se përtej kësaj nuk ka asgjë të mirë. Përveçse duhet që të inkurajojë për një frymëmarrje të re të sipërmarrjes e cila vendos t’i thotë “Po” vazhdimësisë së rrugës së saj, edhe pse tanimë më e survejuar se më parë nga rregullat e shtetbërësit. Duke garantuar kësisoj, një vazhdimësi edhe të mbushjes së arkës së shtetit, e për rrjedhojë edhe të mirëqenies kolektive që buron prej tyre përmes pagesës së pagave, pensioneve, apo edhe realizimit të projeketeve dhe investimeve në rang vendi. Në mënyrë që ekonomia të vazhdojë të progresojë, për të mos ta lënë veten në grahmat e vendimmmarrjeve politike që korrigjojnë jo rrallë gabimet e bëra në kurriz të saj. Sepse ekonomia, për të gjithë ne, mbetet e para. Prandaj karshi saj, nuk duhet assesi të gabojmë, përveçse ta inkurajojmë. Jo vetëm me politika qeverisëse, por edhe me një kurajo më të madhe qytetare…

SHKARKO APP