Edhe Mirësjellja është një zgjedhje!

Nga Besmira Xhaferasi

Ajo ditë mbeti në gjysmë! Po, ajo ditë u duk se ndali aty, tek ai çast, tek ai veprim, tek ai gjest…

Ishte si një përpjekje e dëshpëruar, që ndonjëherë kujtesa apo ndjeshmëria njerëzore bën për t’i kujtuar njeriut: humbamendjen e vet, zhytjen e tij në egoizmin e tepruar të së përditshmes, modelin praktik e mbizotërues të natyrës së individit që është mësuar me këtë konvencion të jetuari, e s’ka pse të jetë një përjashtim me zgjedhjen e tij.

Nga ana tjetër, mjafton të hedhësh pak sytë rrotull dhe e kupton se sa shumë ka përparuar shkenca dhe shpikja njerëzore, sa e progresuar po shfaqet bota jonë sot.

Kjo e fundit, gjithnjë më e programuar po bëhet çdo ditë e më e re, më moderne, por më e pangopur dhe e pandjeshme; aq sa, shumë gjëra po humbasin dhe “emrin”, nevojën e përdorimit të tyre dhe për t’i nxjerrë në pah duhen rrëfyer me gisht.

Të përfshirë në tërë këtë proces modifikues, automat e të pashmangshëm jetese ku, inercia e forcës së zakonit na mëson vetëm të zgjohemi, vrapojmë, ushqehemi, përtypim, ripërtypim ushqimin tonë; e prapë të zgjohemi, vrapojmë dhe vazhdojmë kështu pa u ndalur, ditë e përditë, derisa vjen një moment që, i gjithë ky nxitim, e gjithë kjo ngarendje e njeriut, e pushon zhurmën dhe kthehet në diçka të kundërt.

Dhe pikërisht në këtë moment, njeriu duket se përplaset me diçka të re, të pamësuar më parë. E gjen veten vetëm, të zbuluar, të braktisur nga çdo melankoli, duartrokitje, mbingopje apo fitore që deri në atë kohë e konsideronte pjesë të pandashme të tijën. Ndoshta, jo tamam por, diçka e ngjashme me këtë ndodhi dhe më zhvendosi vëmendjen e zakonshme të asaj ditë.

Është normale dhe vërtët gjithkujt mund t’i ndodhë të përballet me dikë që është ngushtë nga paratë, me dikë në nevojë, të lodhur, që endet rrugëve; e megjithëse në forcat e fundit, që i kanë mbetur vazhdon t’i mbijetojë, armikut më të pamëshirshëm që njeriu mund të ketë në jetë, pasigurisë.

Asaj pasigurie, e cila, kur bashkohet me shkallën më ekstreme të jetës (varfërinë e paskrupullt ) dhe me pamundësinë e individit për të vepruar, për ta ndjerë veten të barabartë, të padiferencuar nga të tjerët, me kalimin e kohës kthehet në një mësim të zakonshëm, kthehet në një lloj ndjenje bindje të përhershme që, me qëndrimin e saj “gatitu”, duket sikur raporton vazhdimisht : “Gjithçka është normale! Nuk ka pyetje “pse?” Gjithçka është normale!”.

Ndoshta ,kjo është një arsye, se pse vlen ta prezantojmë edhe tablon e ngjarjes së asaj dite.“Një i moshuar po ecte i vetmuar. I burgosur brenda vetmisë së tij, nisi ta humbiste orientimin. Si një njeri i harruar, po shkëmbehej me disa të rinj derisa, edhe ai vetë arriti të futej në autobuzin e linjës së “Tiranës së Re”. Ngado, po ndeshte në njerëz që lëviznin thuajse ngjitur njëri-tjetrit. Dukej, sikur vështrimi i tyre mbi të i ngjallte bezdi dhe i linte atë mbresë, që i lënë ata, të cilët shtiren në një mirësjellje me armikun. S’kaloi shumë dhe faturinoja zuri të grindej me të, madje e kërcënoi se do e zbriste nga autobusi. Ndërkohë, përgjigjja e vetme e të moshuarit ishte: heshtja. Në anën tjetër, si për të bërë autopsinë e gjithë kësaj çfarë po ndodhte, një i ri kishte ngulur sytë. Në atë çast, fytyra e këtij të huaji, mori shprehjen e një mpirje të ankthshme, të padurim; dukej sikur arsyeja e tij e jashtme po përleshej së brendshmi duke vënë në provë forcën e instiktit të vet. I huaji u duk se i mori këto dërdëllisje të faturinos, si shkas pas të cilit, ai mundohej të fshihte gatishmërinë e tij për të reaguar. Ajo çfarë s’pritej, ndodhi! Një minutë më vonë, situata i ishte kthyer qetësisë. I riu, pasi kish bërë pagesën e biletës për të moshuarin ishte larguar në heshtje…”.

Kaq mjaftoi për t’më konfirmuar edhe njëherë, kuptimin e veçantë që përmblodhi ajo dite e zakonshme: Edhe mirësjellja, është një “zgjedhje” për njeriun, por fatkeqësisht na ndodh që shpesh ta harrojmë këtë dhe padashje zgjedhim të bëhemi bashkëfajtor të rastit, qoftë edhe me indiferencën tonë.

SHKARKO APP