Edhe mjekët e infermierët, në testim për vendin e punës

Mjekët dhe infermierët shqiptarë do të kalojnë nëpër një sistem testimi, që do të nisë gjatë muajit shkurt dhe do të përfundojë në mars. Këtë e ka deklaruar dje vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një takim me drejtues, mjekë e infermierë të sektorit publik. “3700 mjekë dhe 13010 infermierë e laborantë do të hyjnë në këtë testim, – tha Beqaj, – që nis në shkurt dhe përfundon në mars. Ai do të realizohet në bashkëpunim me katedrat e Mjekësisë”. Po ashtu, Beqaj njoftoi se do jepen edhe përgjigjet për specializimet në sektorin e shëndetësisë. Ndërkohë që sipas specialiteteve do të ketë edhe një fazë të dytë të provimit me raste konkrete pacientësh. Testimi do të nisë për infermierët e QSUT-së dhe për mjekët e qendrave shëndetësore fillimisht. Kurse ata që nuk do të marin pikët e nevojshme, do të dalin nga sistemi shëndetësor. "Në fund të këtij procesi, këtij vlerësimi do të dalim hapur ku do të themi ata që kanë bërë zero përpjekje do u shpallet vakant vendi i punës. Me infermierët do të fillojmë që nga QSUT, dhe do të zbresim pastaj në spitale dhe parësor. Me mjekët do ta fillojmë nga qendrat shëndetësore në mjekët bazë, drejt piramidës. Do të testojmë fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesën profesionale. Është shumë e rëndësishme dhe pjesa e komunikimit, e etikës", sqaroi ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, aktualisht ka mjekë që nuk kanë asnjë kredit. “Kjo është e patolerueshme dhe një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë më”, tha ai. Ndërkaq lufta ndaj korrupsionit, tha Beqja, mbetet një tjetër sfidë. Ndërsa duke iu rikthyer çështjes së video-skandalit në Urgjencën e QSUT-së, ministri i Shëndetësisë Beqaj tha se “mjekët i kanë dhënë gjithë ndihmën e duhur, vajzës. Por, ajo ka qënë e shoqëruar nga të afërm dhe familjarë” . Për të përfunduar se po vazhdohet me një marrje opinionesh për korrpusionin me mjekë, infermierë, të sëmurë dhe familjarë të sëmurësh. “Dhe po u them deri tani janë intervistuar 250 mjekë dhe 600 infermierë. Profesionistët e shëndetësisë e pranojnë se korrupsioni është problem serioz i sistemit, por në pikëpamjen e tyre insistojnë që është më shumë një realitet i hiperbolizuar, lidhet me pagat e pamjaftueshme dhe mosfunksionimi i sistemit të referimit është ndër shkaqet kryesore të korruptimit në shërbimin spitalor", tha Beqja.

 

 

QËNDRIMI

“Profesionistët e shëndetësisë e pranojnë se korrupsioni është problem serioz i sistemit, por në pikëpamjen e tyre insistojnë që është më shumë një realitet i hiperbolizuar, lidhet me pagat e pamjaftueshme dhe mosfunksionimi i sistemit të referimit është ndër shkaqet kryesore të korruptimit në shërbimin spitalor"

 

 

3700

Mjekë është numri i atyre që do të hyjnë në testim për aftësitë e tyre profesionale dhe mbajtjen e vendit të tyre të punës

 

13010

Infermierë dhe laborantë është numri i atyre që do hyjnë në testim për aftësitë profesionale dhe mbajtjen e vendit të punës

 

 

SHKARKO APP