Edhe Zoti pushoi
Nga Gjergj Meta
Pushimi është një përmasë njerëzore shumë e nevojshme. Sigurisht jo të gjithë e kanë mundësinë të kenë dit të lira për pushime, por ekziston mundësia e një pushimi gjithmonë. Konteksti në cilin Jezusi u flet nxënësve të tij dhe i fton për të ardhur menjanë e për të pushuar paksa (Mk 6, 34), ka të bëjë me misionin e tyre. Ata kthehen nga misioni që u kishte ngarkuar Jezusi. Pasi i tregojnë shumë gjëra që kishin bërë gjatë asaj kohe, Jezusi i befason me një shprehje që ndoshta ata nuk e prisnin: “Ejani… e pushoni pak në vetmi” (Mk 6,34). Nxënësit e tij kishin pritur që ai t’u thonte: “sa mirë; ju lumtë; apo këtë mund ta kishtit bërë kështu apo ashtu”, por ata nuk kishin pritur pikërisht këto fjalë: ejani dhe pushoni.
Një mësim sa i thjeshtë aq edhe i thellë nga ana e Jezusit. Kjo ftesë e Jezusit është interpretimi më i mirë se si përpjekjet dhe veprimtaritë tona kanë një vlerë relative në krahasim me personin që i kryen ato.
Frenetizmi i jetës që na merr të gjithëve, apo problemet e shumta që kanë përfshirë familjet shqiptare, sidomos nganjëhërë papunësia dhe varfëria, aktivizmi në të cilin përfshihemi gati si istiktivisht, zhvlerësojnë shumë herë pushimin. Por ai është i nevojshëm. Për shumë arësye ai mund të mos jetë i madh nga pikëpamja sasiore, por mund të jetë një pushim cilësor.
Mund të themi se pushimi ka disa përmasa. Së pari ai është një rregulltor i përmasës përkujdesëse që njeriu ka për vetveten. Të kujdesesh për veten është një art, por po aq është edhe një vokacion i njeriut. Njeriu, i cili është në shërbim të të tjerëve nuk mund të jetë kurrë efikas me të tjerët, e nuk arrin të kujdeset për ta, nëse nuk arrin të ketë një kujdes për vetveten. Kjo përkujdesje përfshin të gjitha përmasat e njeriut ato fizike, psikike dhe shpirtërore. Nga pikëpamja konkrete pushimi na shërben për të “shtrydhur kocat” sikurse thonin të vjetrit, pra për të dëgjuar kërcitjen e kockave, për të relaksuar trupin i cili është i pari që goditet nga të gjitha veprimtaritë apo frustracionet tona. Së dyti interesi psikik, ushqimi i inteligjencës apo shijeve estetike, nëpërmjet leximit të librave, dëgjimit të muzikës, shijimit të një ekspozite, teatri etj.; së treti ajo përmasë shpirtërore që është vetmia, apo dëgjimi me kujdes i thellësive madje edhe atyre zonave të errëta të jetës tonë. Të gjitha këto kanë nevojë për kohë gjatë vitit, por në mënyrë të veçantë kur vendosim të marrim disa ditë pushime.
Pushimet janë një mundësi rregullimi i marrdhënieve tona. Njeriu nuk mund të jetojë pa marrëdhënie me njerëzit, më Zotin me natyrën. Në shumë raste këto marrëdhnie pësojnë dëmtime të ndryshme. Koha e pushimit shërben si reflektim madje edhe si përkujdesje për këto marrëdhënie. I jepet më shumë kohë familjarëve, të moshuarve, miqve. Pushimet, në përmasën e tyre “lojtare” dhe duke qenë se janë pa interes, krijojnë edhe marrëdhënie të reja dhe kështu hapin rrethin. Por po ashtu mund të forcojnë ato ekzistueset. Është rasti që në pushime të merren edhe prindërit e moshuar me të cilët ndoshta gjatë vitit rrihet pak, apo disa familje bashkë mund të shkojnë me pushime për të rekuperuar kohën që gjatë vitit, për shkak të punës, nuk kanë pasur mundësi të shijojnë.
E fundit por që qëndron në themel është pushimi si një kohë për Zotin. Çka është krejtësisht njerëzore është edhe krejtësisht e krishterë. Pushimi para se të jetë një atribut njerëzor është një atribut hyjnor. Në librin e Zanafillës na thuhet se Zoti ditën e shtatë pushoi nga të gjitha punët e tij (Zan 2,2). A ishte i lodhur Zoti? Sigurisht që nuk mund të flasim me terma të tillë, por mund të themi se Hyji “gjen kohën” për të qëndruar me njeriun, me krijesën e tij dhe këtë e kërkon edhe prej tij. Dita e shtatë është simbolika më e fuqishme e relativizimit të gjithçkaje, përveçse marrëdhënies që Hyji ka me njerëzit. Dita e shtatë, pushimi, është një hapësirë, madje do të thoja një tokë e shenjtë e cila duhet shkelur me kujdes dhe si e shenjtë duhet të respektohet. Ky nuk është një ligj që vret, por që çliron. Mosrespektimi i pushimit nuk ka si pasojë ndëshkimin nga Zoti, por ka si pasojë zvetënimin dhe tjetërsimin e njeriut nga vetvetja, nga Zoti dhe nga krijimi e ky është vetëdënimi i njeriut.
Pelegrinus.al