Edi Rama tek fshati. Takon, premton dhe realizon
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dorëzimit të lejeve të legalizimit në Roskovec:
Para se të vija këtu, pashë të dhënat për këtë bashki dhe më bëri përshtypje që qysh prej vitit 2005 janë bërë rreth 3900 aplikime dhe deri në vitin 2013 janë dhënë vetëm 10 legalizime. 10 legalizime, të cilat jam i bindur që janë legalizime nga ato që i impononte korrupsioni, kryesisht për njësi shërbimi dhe jo për shtëpi. Ndërkohë që mijëra kërkesa kanë mbetur zvarrë prej 10 vjetësh.
Për fat të mirë, ne sot nuk jemi këtu thjesht për të dhënë lejet e para, por për të vazhduar një proces që ka bërë të mundur që deri më sot, në këtë bashki, flas për drejtorinë e bashkisë së re, të jepen 300 leje legalizimi dhe me 240 lejet e sotme, numri shkon në 540. Ndërkohë që njësia e ALUIZNI-t e Fierit është një njësi që ka bërë një punë shembullore. Kështu që, edhe legalizimet e tjera janë pranë finalizimit.
Ne kemi çelur rrugën e një ndryshimi tjetër në këtë procedurë. Ju që keni vite të tëra që e prisni këtë ditë, e dini shumë mirë që deri para se ne të merrnim detyrën, ishin njerëzit që duhet të shkonin tek ALUZNI me herë të tëra, të mbanin radhë, e të çonin letra pas letrash, të paguanin edhe para, mbi dorë e nën dorë, e të mos merrnin përgjigje.
Ajo që bëmë ne është që çuam ALUIZNI-n tek njerëzit. Ju e dini shumë mirë që është njësia e ALUIZNI-t që troket derë më derë, që bën matjet, që asiston familjet për të mbushur aplikimet ashtu siç duhet aplikimet dhe që e finalizon këtë proces krejtësisht falas.
Por kemi vënë re që procesi fillon dhe bëhet i vështirë për njerëzit, kur duhet të marrin tapinë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra, në hipotekë. Kjo për arsye nga më të ndryshmet. Kryesorja, sigurisht, është se gjendja e trashëguar në hipoteka ka qenë e tmerrshme, nga pikëpamja e hartave. Për shembull, në këtë zonë, hartografia, që është baza e procesit, është e paazhornuar prej 20 vjetësh. Ajo që ne kemi vendosur të bëjmë dhe është hapur rruga për këtë, është që edhe këtë pjesë të procesit ta bëjë përsëri ALUIZNI.
Çka do të thotë që ALUIZNI të mos përfundojë shërbimin ndaj qytetarit duke dorëzuar lejen legalizimit dhe duke i hapur rrugë qytetarit që të shkojë në hipotekë, por duke bërë edhe pjesën e hipotekës. Pra, e gjitha si procedurë të mbyllet brenda shtetit, mes dy institucioneve, ALUIZNI-t dhe hipotekës, që padyshim do të shmangë në mënyrë të qartë, korrupsionin, zvarritjet e pajustifikuara, vonesat e padurueshme, sidomos për këtë kategori qytetarësh që kanë vite e vite të tëra që presin lejen e legalizimit.
Ky proces, sidoqoftë, për ju që jeni këtu në sallë dhe për një pjesë që ishin jashtë, është i përfunduar dhe ju sot i jepni fund, një kapitulli të gjatë të jetës suaj, që ka pasur të bëjë me ëndrrën për ta parë investimin tuaj për shtëpinë, të kthehet në një investim të ligjshëm dhe shtëpinë tuaj të kthehet në një pasuri të patundshme.
Nuk është thjesht dhe vetëm çështja që paskëtaj, shtëpia është e ligjshme dhe trajtohet si çdo pronë tjetër e ligjshme, as nuk mund të prishet si ndërtim pa leje dhe as nuk mund të trajtohet si e tillë, nëse është fjala pse aty kalon një infrastrukturë publike etj.. Procesi i legalizimit ka dhe një aspekt tjetër, për të cilin flitet pak, por që është aspekti kryesor, që kjo pasuri e patundshme të kthehet në një kapital. Ky kapital i bën të mundur familjeve që legalizojnë pasurinë, që të mund t’i drejtohen bankave për të marrë kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të hapur apo zhvilluar një fermë, për të mbështetur studimet e fëmijëve dhe me radhë arsyet se pse një familje ka nevojë për kredi.
Ky është aspekti më i rëndësishëm i procesit. Duke u zhvilluar legalizimi dhe duke u kryer transformimi i një aseti, që për momentin është kapital i vdekur, pasi vërtet njerëzit jetojnë në atë shtëpi, por që nuk figuron askund dhe nuk mund ta kthesh në kapital të gjallë, shtëpia bëhet një kapital i gjallë, me të cilën njerëzit mund të bëjnë zgjedhje të caktuara, për të ndihmuar ekonominë familjare.
Në aspektin e ekonomisë familjare, kjo është shumë e rëndësishme dhe të gjitha ekonomitë familjare, të bëra sëbashku japin pastaj një ndikim të rëndësishëm edhe në ekonominë kombëtare. Besoj se ju vetë do të keni mundësi që, pas marrjes së titullit të pronësisë, ta shikoni dhe ta prekni këtë ndryshim të madh në ekonominë tuaj familjare.
Dua t’ia kaloj fjalën kryetares së Bashkisë, të cilës i takon të japë edhe lejen e parë të legalizimit dhe të cilën dua ta falënderoj nga zemra për punën e shkëlqyer që ka bërë e po bën jo vetëm në drejtim të mbështetjes së këtij procesi legalizimesh, por edhe në drejtim të përgatitjes së projekteve të nevojshme, për të ndryshuar gjendjen në këtë bashki, që e dini vetë sesa pas dore dhe sa e degraduar është pas vitesh e vitesh të tëra, ku investimet kanë qenë të pakta. Çka është më e rëndësishmja, një pesë e madhe e familjeve që jetojnë me tokën, e kanë pasur të pamundur që të punojnë e të prodhojnë normalisht, për shkak të mungesës së infrastrukturës minimale të ujitjes dhe të kullimit. Sëbashku me kryetaren e Bashkisë kemi bërë një projekt që do të financojmë menjëherë me buxhetin e ri dhe që do të bëjë të mundur që të fillojë një punë e madhe për të çliruar të gjitha kanalet e bllokuara të ujitjes dhe kullimit dhe për ta sjellë ujin në çdo parcelë, duke i dhënë mundësi të gjithëve që të mund të punojnë dhe të prodhojnë me tokën.
Po ashtu po kaq e rëndësishme sa legalizimi, por që nuk ka të bëjë me shtëpinë por me tokën, është se ne po bëjmë gati një program të ri për të trajtuar titujt e pronësisë në fshat. Këtë program, ne do ta çojmë përpara me kryetarët e bashkive dhe bashkitë e reja. Është një program që është rezultat i drejtpërdrejtë i reformës administrative, që krijoji dhe bashkinë re të Roskovecit. Të njëjtën gjë që bëjmë me ALUIZNI-n për shtëpitë, do të bëjmë me bashkitë për tokën bujqësore. Në mënyrë që pas kaq e kaq vitesh që njerëzit në fshat e kanë dhe nuk e kanë, e punojnë dhe nuk e zotërojnë, më në fund të bëhen pronarë të tokës që ua ka dhënë ligji 7501, çerek shekulli përpara, tanimë dhe që ende sot nuk e gëzojnë dot, nuk e trashëgojnë dot, nuk e shesin dot, nuk bëjnë dot asgjë tjetër, përveçse ta punojnë me pasigurinë që nesër mund ta humbasin.
Edhe kjo do të bëhet me të njëjtën procedurë, duke i vënë bashkisë në dispozicion mundësitë që të ketë një ekip topografësh. Pra, të mos jetë më historia që ti vetë duhet të shkosh si fermer të gjesh topografin, të matësh tokën, pastaj të trokasësh derë më derë dhe të të kërkojnë qiqra në hell, para këtu e para aty, por të gjithë këtë proces ta bëjmë njësoj si legalizimin, falas! Pjesën e procedurës së topografit dhe të të gjithë hallkave që deri sot kanë qenë një pengesë e pakapërcyeshme për 99% të familjeve fermere që duan të zotërojnë titullin e pronësisë në fshat, por që nuk e kanë zotëruar dot.
***
Pas zvarritjeve 10 vjeçare, 240 banorë të Roskovecit u bënë sot, ligjërisht, pronarë të shtëpive të tyre. Bashkë me 300 lejet e tjera të dhëna gjatë kësaj periudhe, janë 540 familje në këtë bashki që sot i gëzohen shtëpisë së tyre. Për t’ju dorëzuar lejet e legalizimit ishte sot mes tyre, Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t Artan Lame dhe deputetin e Fierit Gramoz Ruçi.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame bëri të ditur se Roskoveci është bashkia e parë që arriti të mbyllë procesin e matjeve në terren të ndërtimeve pa leje dhe pas zgjidhjes së problemeve të trashëguara, sidomos në ZRPP, synohet që bashkia Roskovec të mbyllë e para edhe procesin e legalizimit në të gjithë vendin.
Zotërues i një godine banimi dykatëshe edhe pse e kishte ndërtuar prej 30 vitesh, vetëm sot u bë pronar i saj. “Sot ndjehem pronar në shtëpinë time,” – tha ia.
“Fjalën që ke dhënë gjatë fushatës po e bën realitet. Kështu duam të punosh me ne” – iu drejtua një tjetër banor Kryeministrit.
“Je i pari që i jep shtëpinë njerëzve”, – iu drejtua një nga banorët e sapobërë ligjërisht me shtëpi, ndërsa i takoi ta merrte certifikatën e legalizimit nga Kryeministri.
Një nga përfituesit e lejet së legalizimit tregon se kishte aplikuar për të që në vitin 2005, kishte shpresuar fort, por kjo ëndërr nuk i ishte realizuar. “Para dy vjet e gjysmë, ju premtuat. Nuk ju besuan vetëm socialistët, por edhe demokratët dhe një nga demokratët që ju besova jam unë dhe ja ku është e vërteta,” – falenderoi ai.
Ndërsa rrëfen përpjekjet dhe zhgënjimet e dy dekadave për të legalizuar shtëpinë ku banon me familjen, një tjetër banor tha: “Po bëjmë 20 vjet që na kanë gënjyer. Ja e vërteta këtu, sot u bëmë shtëpitë tonat