Edi Rama viziton Malin Athos, takohet me drejtuesit e Vatopedisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar sot Malin Athos dhe Manastirin e Madh të Vatopedisë në Greqi.
Sipas medias greke Ope.gr, Rama, i shoqëruar edhe nga djali i tij, Greg, mbërriti në orët e para të mëngjesit në portin e Dafnisë, në gadishullin e Athosit. Atje ai u prit nga guvernatori civil i Malit Athos, Alkiviadis Stefanis, me të cilin zhvilloi një takim.
Më pas, kryeministri shqiptar u drejtua drejt Manastirit të Madh të Vatopedisë, ku u prit nga igumeni Jerond Efrem Vatopedini dhe anëtarë të vëllazërisë së manastirit.
Gjatë vizitës, Rama shprehu admirimin e tij për arkitekturën e manastirit dhe veprat e artit e të pikturës që ruhen në të. Sipas raportimit, ai i vlerësoi ato edhe përmes këndvështrimit të tij artistik.
Kryeministri shqiptar foli gjithashtu për njohjen e tij me Filokalinë e Malit Athos, si dhe me traditën e pasur shpirtërore dhe kulturore të këtij territori.
Sipas Ope.gr, Rama qëndroi gjatë natës në Manastirin e Vatopedisë dhe u largua prej aty mëngjesin e sotëm, pas vizitës në komunitetin monastik të Athosit.
KOHA JONË SONDAZH

