Edmond Tupja:Femrat shqiptare janë më të përparuara se meshkujt
Intervistoi: Viola Thoma
Ai flet drejtpërdrejt, thyen barrierat e realitetit dhe di si të futet tek skutat më të errëta të çdo lexuesi. Profesori dhe publicisti i njohur Edmond Tupja flet në një intervistë për “Koha Jonë” mbi botimin e tij të fundit “Vajzat e Ballkonit”…
Libri juaj i fundit ka pasur shumë sukses dhe njëkohësisht është kthyer në një bestseller, por nuk është as roman, as novelë apo një tregim dhe ju e keni quajtur një pseudoroman. Pse?
Për librin më është dashur të punoj shumë, është shkruar në një periudhë kohe prej disa muajsh, përveç pjesës kur më është dashur ta përpunoj dhe e kam quajtur të tillë sepse personazhet më kanë dalë duarsh dhe këtë e kam kuptuar pikërisht pasi kam bërë redaktimin e parë, të dytë dhe të tretë. Në fillim unë doja të ishte një personazh, pastaj kuptova që ishin dy. Ju do ta kuptoni kur ta lexoni, se aty nuk bëhet fjalë për dy vajza, për dy botë të ndryshme dhe për një sinkronizim botësh. Më duhet të theksoj se, edhe pse e kam quajtur pseudoroman, ai është pikërisht një roman. Ajo çfarë ndodhi është se unë u nisa nga diçka tepër filozofike, pikërisht nga Frojdi dhe ajo çfarë përftova në fund është një roman i realizuar deri në atë stad sa unë nuk mund ta quaj të planifikuar. Pra, ajo që është dashur të shprehet më konkretisht është fakti i të ekzistuarit të një personazhi të dyzuar, pra, në njëfarë mënyre, me dy hije.
Ajo çfarë më bën përshtypje është paragjykimi që zhvillojnë jo vetëm të rinjtë përsa u përket veprave tuaja, dhe në momentin kur u thua do të lexoj “Vajzat e Ballkonit”, thonë “Edmondin” do të lexosh? Ndoshta për vetë faktin se ju jeni shumë i drejtpërdrejtë në ato që thoni dhe kjo vlen si për vajzat ashtu dhe për djemtë. Si do ta konsideronit ju situatën e rinisë së asaj kohe me rininë tani, pasi më duket sikur nuk jemi të lirë sa mendojmë se jemi.
Djemtë janë duke e lexuar në këto momente (qesh), vajzat gjithashtu, por pa rënë në sy. Do të theksoja se jemi akoma robër të një tradite shumëshekullore, sepse ka akoma njerëz që kur flasin për erotikën dhe për seksualitetin ulin zërin, ashtu si shumë moshatarë të mi ulin zërin kur flasin për kryeministrin, ministrin, politikën apo diçka tjetër. Këto janë reflekse ndrydhëse të kohës së shkuar dhe jo vetëm të diktaturës, por për atë kohë kur nëse do të guxohej të botohej do të censurohej, sepse shumë gjëra ishin të ndaluara, madje dhe të ishe i trishtuar ishte e ndaluar. Por ajo që vlen të përmendet është se ne kemi gati 30 vite që përpiqemi të emancipohemi. Nuk është e lehtë për të vetmin fakt se jemi robër të vetes. Dhe ajo që lakmohet më shumë sot është fakti i të qenit i lirë që pa dyshim kërkon një çmim, atë të emancipimit të shoqërisë.
Kaluam në një temë tjetër, që gati-gati afron me rolin e gruas në shoqëri, çfarë roli mendoni se ka gruaja në shoqëri?
Unë mendoj se femrat shqiptare janë më të përparuara së meshkujt shqiptarë dhe këtë e them në çdo aspekt. Qoftë kjo nga pikëpamja e arsimit dhe e kulturës. Femrat lexojnë më shumë se meshkujt. Ndoshta, kjo sepse femra ka qenë më e ndrydhur në shoqëri dhe tani është momenti ta realizojë atë liri. Kjo ka qenë në brezin tonë, madje shumë e theksuar, ndërsa tani gjërat po ndryshojnë edhe pse jo në nivelin që pritej. Diktatori e dinte që femra shqiptare do të ishte një forcë e madhe dhe dikur është thënë se femra do të jetë ajo që do të emancipojë shoqërinë, por kjo nënkuptohej në këndvështrimin e femrës në prodhim, jo në një post drejtues, por gjithçka po ndryshon.
Nisur nga përshkrimi dhe analiza e femrës që keni bërë në libër, sa bukur keni hyrë në mendimet e personazhit femër, por si keni mundur për aq kohë sa ju nuk keni një vajzë dhe a ju ka munguar një vajzë?
Nëna ime ishte femër, diçka që kuptohet (qesh), kur ishte e re lexoi Kontin e Monte-Kristos dhe si rrjedhim mbaj emrin Edmond, dhe mesa kuptoj ajo ra në dashuri me personazhin aty, Edmondin, por nuk gjeti një Edmond në jetën e saj por një Skënder (qesh) dhe në momentin që lindi një djalë, e quajti Edmond. Më pas dëshironte një vajzë patjetër, por ja që fati i solli vetëm dy djem të tjerë. Dhe në momentet e fundit, isha unë që i qëndrova pranë duke qenë se vëllezërit ishin në emigracion, e aty gati mora rolin e një vajze që kujdeset për mamanë e saj. Gjithashtu, mungesa e një motre dhe dëshira për të pasur një vajzë, ma bëjnë femrën edhe më shumë tërheqëse si personazh. Pra, kjo tregon një nevojë të fshehtë dhe kjo është arsyeja pse në librat e mi preferoj më shumë të ndërtoj personazhet femra.
Në libër shfaqen gati-gati dy personazhe, por dëshiroj të bëj një lidhje me realitetin shqiptar për ta parë atë më konkretisht, cili është dallimi midis një kurtizaneje dhe një prostitute, a prodhojnë të dyja antivlera për shoqërinë?
Për prostitutat kam respekt, sepse janë viktima të një problemi të caktuar social. Dhe duhet të dini se prostitucioni nukështë profesioni më i vjetër në botë. Pra, është një punë për të mbijetuar. Prostitutat mund dhe duhet të konsiderohen si individë bujarë, pasi sakrifikojnë dhe shesin intimitetin e vet për të fituar bukën e gojës. Në Francë, për shembull, i është kënduar prostitutës ndërsa tek ne shihet me përbuzje. Pra, unë i konsideroj viktima të një problemi social të pazgjidhur. Ndërsa kurtizania ka një histori që në Romën e lashtë, kurtizanet zgjidhnin, pra kishin mundësi zgjedhjeje, madje binin në dashuri me disa tipa meshkujsh. Këta edhe rrëfeheshin tek ato që përveçse të dashura, ishin deri diku si nëna e si psikologe. Shkurt, u përkisnin shtresave të pasura dhe padyshim që stili i kurtizaneve vazhdon dhe sot, ndonëse në forma të tjera. Në kuptimin më fisnik të fjalës, diku thellë në çdo femër ekziston një kurtizane dhe femër është ajo që rrezikon gjithçka për të mbrojtur atë që ka më të rëndësishmen, familjen.
Ku e gjeni motivin për të shkruar kaq thellë mbi problemet e fshehura të shoqërisë?!
Unë rrëfehem dhe dëgjoj e si rrjedhojë, reflektoj mbi edhe mbi ato dukuri që shoqëria jonë duhet t’i shpalosë pa ndroje. Fjala nuk i është dhënë njeriut për të fshehur mendimet e tij. Në fakt nuk e di tamam ku e gjej këtë motiv, por di se më pëlqen të diskutoj, të zhbiroj, të reflektoj e të shprehem hapur falë edhe talentin që kam trashëguar nga im atë dhe vullnetit që kam trashëguar nga ime më. Mendoj se forcën e penës sime e kam gjetur pikërisht te fjala.
Kush quhet një lexues i mirë dhe në çfarë niveli jeni ju?
Një lexues i mirë quhet një person që lexon diku tek 20 faqe në ditë dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një libër, mund të jetë një dokument, një shkrim, të paktën kjo del nga vjen disa statistika të UNESCO-s. Në fillim lexoja deri në 600 faqe në muaj, kurse tani jam në nivelin e 400 faqeve. Nëse lexon diku tek 180 faqe në muaj, atëherë konsiderohesh një lexues i dobët. Lexohet më pak pas të dyzetave, pasi fillon dhe jeta profesionale dhe kur njerëzit thonë se do të lexojnë kur të dalin në pension, siç do të jetë rasti im së shpejti, atëherë lexojnë edhe më pak.
Çfarë epiteti do t’ju përshtatej më shumë?! Si do të donit të mbaheshit mend?!
Unë nuk di ç’të them, por tani për tani jam edhe pedagog, edhe përkthyes, edhe leksikograf, edhe shkrimtar, edhe publicist, të gjitha profesione të cilave emri u fillon me shkronjën P . . . (qesh). Si shkrimtar mendoj se jam i paklasifikueshëm, pra atipik..