Efiçenca e energjisë, Gjermania jep edhe 2 milion euro grant

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë znj. Susanne Schutz firmosën sot marrëveshjen e gratit prej 2,032 milion euro për financimin e fazës së dytë të Programit për Rinovimin e Konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike.  Ndihma totale e qeverisë gjermane për të gjitha projektet e modulit të efiçencës në godinat e studentëve arrin në 15 milion euro.

Programi ka për qëllim auditimin energjitik të ndërtesave për të identifikuar konsumin e energjisë dhe masat përkatëse që duhen për të reduktuar konsumin e energjisë. Gjithashtu identifikimi i nevojave të rinovimit të ndërtesave në lidhje me gjendjen aktuale të tyre me qëllim për të zgjatur ciklin e jetës së ndërtesave.

“Investohet kështu jo vetëm në teknologji por edhe kursehet energji, pra një faturë më e ulët për shtetin”, u shpreh ministri Gjiknuri duke nënvizuar më tej edhe rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e energjisë.

Reduktimi I konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave synon që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kËh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.

“Sikurse përmendi edhe zoti ministër, përmes këtij investimi do të përmirësohet ndjeshëm izolimi termik dhe do të rinovohet sistemi ngrohës. Krahas kësaj do të rinovohen pajisjet sanitare dhe do të ndërtohen dhomat e studimit e kuzhina”, theksoi ambasadorja Schutz.

Faza e ndërtimit parashikohet të fillojë në 2018-ën dhe do të zgjasë nga 18 deri në 24 muaj.

SHKARKO APP