Eja, eja Viti i Ri …

 

 

Nga Thoma Goga

Më dëgjo o kolopuç dy fjalë nga unë plaku i vjetër. Po t’i lë ca porosi, siç m’i la edhe ai paraardhësi im. Po në fillim do të lë një kartolinë. Atë kartolinë që më la ai, atë po të lë edhe ty: “Të uroj nga zemra plot dëngla, vëngla…”. Ndërsa porositë e mia të arta e të urta t’m’i dëgjosh mirë, se të bëj lanet, të bëj.

Të them të drejtën edhe unë gëzohem për vitin e ri. Se kur vjen zotrote qyteti ndriçon-e, kaponjtë e detit shtohen-e, na mbron nga të ftohtit-e. Edhe fëmijët, kur vjen zotrote, qeshin e gëzojnë-e. E po zamet o kolopuç, mos i harro këto këshilla nga unë si babuç.

 E para, mos e hidh këmbën fare po nuk pate mbaruar juridikun, se nuk të fusin as kamarier. Është e domosdoshme të marrësh “masterin” për “theatrino” në degën e mashtrimit…Pastaj të sigurosh një diplomë për marrëdhëniet ndërkombëtare, se këta të huajt na mbytën fare. Një palë ikën, dy taborrë vijnë. E meqë do merresh më të huajt, harroje shqipen. Gjuha kryesore tani do të jetë kinezçja, japonezçja e Takamaka Tukusukut, gjermançja e herr Shtajdenmutit, që i bie të jetë nipi i Helmutit. Nuk është keq të marrësh vesh nga çakallçja dhe derrçja…Po mbi të gjitha të mësosh “Vallen e ngjalës”. Ta dredhësh sa herë që e dredhin ata lartë…

Së dyti, mos hyr fare po nuk pate siguruar të paktën katër tesera partie; një mavi, një të kuqe, një blu, një të bardhë si ngjyrë ngjyrë rezervë, se nuk i dihet. Pa ato, harroje se mund të bësh edhe karrierë. Nuk e di me se do vish, se në atë orë që vjen zotrote, rrugët janë zënë. Dhe shiko, futu pak edhe nëpër turma se edhe xhepistat gëzojnë e nuk bëjnë pushim. Bile në këto kohë e kanë si fushatë. Kur erdha unë, më dolën para ca lypsa. Po ç’t’u jepja?! Punë jo, rrogë jo, shtëpi jo. Ata thoshin “Duam punë, duam bukë”, po unë nuk i kuptoja. S’kisha punë për vete, ndaj u futa nga një buzëqeshje. Dhe ti mos e harro; këtu të hyn në punë ajo puna e “theatrinos”. Fal sa më shumë “dashuri” dhe “buzëqeshje” se ato, të paktën, janë pa lekë. Po të kesh ndonjë organizatë joqeveritare, hidhu nga një thërrime. U mjafton të varfërve. Po unë s’kisha dhe rashë ngushtë. Bo, bo thashë, si do t’i shtyja ato 365 ditë. Kurse ti e hëngre; ke mbi supe 366 ditë se e ke shkurtin më të gjatë…Megjithatë bëra, si bëra. Të hënën bëja planet për të martën. Të martën nuk më dilte hesapi i të hënës dhe i rishikoja të mërkurën. Të enjten e kisha ditë argëtimi. Mblidhet parlamenti ynë e ka gallatë. Do ta shohësh vetë. Të premten hidhja kujtimet në kartë. Të shtunë e të dielë e shtyja me sport. Po jo me skedina, se këto të çojnë te çmendina. Ja, kështu o kolopuç.

Njëri më tha “Hajde bëjmë ca para, duke vënë ndonjë kapuç e dalim natën në rrugë”. Jo, o baballëk, nuk e haja atë koqe ulli. Po ca “babagjysh” u bënë milionerë në mes të ditës te një supermarket, pa ia bërë syri tërrr. Jo, jo, unë shikoja punën time. U lodha duke u shlodhur. Po mësova ca fjalë të urta si kjo: “E hëna i tha të martës, t’i thotë të mërkurës, dëgjoi gjë e enjtja kur e premtja i tha të shtunës se e diela është pushim”. Ose mësova këngën “Futja pordhës gri sallatë, sa të kalojë dhe kjo natë”…

Së treti, mos trego sa lekë ke në llogari se po pate shumë, ta bënë benë këta të partisë; ta vunë emrin për deputet. Dhe pa ta bënë benë këta?! Të puth halla në dy faqet… Po të them edhe një sekret, po mos ia thuaj njeriu; mos trego sa dashnore ke në plan të peshkosh, se duhet të kesh liçensë. Po u more me këto punë, merri ato bukuroshe e vëri në punë…Mos harro, merr edhe kasën fiskale. Po nuk punoi “kasa fiskale”, futi trefazorin tënd… Jo për gjë, po të jesh në rregull me qeverinë.

Tani nuk di çfarë të lë në dorëzim. Se edhe ai që iku nuk më la gjë. Po unë do të lë ato që gjeta. Një Shqipëri dixhitale, plot me mejhane, një supergjigand energjetik, që “ndriçon” buzë Adriatikut, shkëmb graniti që e kanë halë në sy armiqtë, që hedh valle në gojë të ujkut prej letre…

Ja, këto kisha o nipçe. Në daç më dëgjo në daç jo. Ato porosi që të lashë, në daç bëj shpejt, në daç avash – avash. Në daç mos i bëj fare. Sido që të bësh, më 31 të dhjetorit të vitit që vjen, në orën 24 fiks fare edhe ti në të sëmës do vesh. Nga të gjitha ato që të thashë, kjo e fundit është më e saktë. Vetëm unë nuk shkoj atje ku do shkosh ti. Mua këtu do më gjesh e këtu do më lësh.

Mëso dhe sekretin e fundit; tamam-tamam, unë nuk jam plaku i vitit të vjetër, po jam Çomja, mo. Vesha kostumin e babagjyshit e dola në trotuar. Thashë mos bëja ndonjë plaçkë, po t’më hidhnin ndonjë lekë. Po ëhë, qënkemi shtuar shumë e s’na e var njeri. Fukarallëk, maskarallëk! Po u takuam, të puth si babuç. Dëgjove, o kolopuç?…

SHKARKO APP