Ekonomi në Panairin e Shtutgartit: Shqipëria vend i sigurt për turistët në çdo kohë

Shqipëria po prezantohet në mënyrë dinjitoze në Panairin e Shtutgartit, në Gjermani, ku pjesëmarrësit dhe vizitorët janë magjepsur me atë çka po ofron ky vend i vogël i Europës Juglindore, jo fort i njohur për ta.

Shqipëria, e përfaqësuar në këtë panair nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, po promovohet në disa dimensione: për ofertën turistike, kulturën dhe kulinarinë. Ekonomi, në eventet promovuese të ditës së dytë, u shpreh se panairi i Shtutgartit vizitohet në një javë nga 250 mijë vizitorë, dhe Shqipëria ka fatin e madh që të tërheqë sa më shumë interes tek vizitorët, pasi jo vetëm që ka pavionin më të madh dhe prezanton një sërë produktesh turistike, por gjithashtu për vetë statusin e saj si vend partner ka marrë dhe vëmendjen e madhe të mediave gjermane këto ditë, ku janë dhënë disa intervista dhe gazetarët e trajtojnë më shumë interes gjithë këtë panair.

Në ditën e dytë të panairit të Shtutgartit, axhenda e aktiviteteve të përgatitura vijoi me një ceremoni të veçantë. Alket Islami me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Aktiviteteve Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Federatën Shqiptare të Aeronautikës i dhuroi Ministres Ekonomi uniformën zyrtare të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira që do të zhvillohet 5-14 maj 2017 në Vlorë.

Ministrja Ekonomi vlerësoi këtë aktivitet si një ngjarje të rëndësishme që do të zhvillohet në vendin tonë jo vetëm në aspektin sportiv, por sidomos në atë turistik.

Më tej stenda shqiptare u “pushtua” nga ritmet e valleve dhe kërcimeve popullore nga grupet që kanë udhëtuar drejt Shtutgartit, mes të cilëve grupi polifonik nga Himara, që solli dhe shpirtin artistik të jugut, grupi i valleve të Kukësit dhe Tropojës, si dhe u kërcyen vallet më të njohura popullore të Shqipërisë së mesme e të jugut. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, turistët kanë marrë broshura për destinacionet më të bukura, janë interesuar konkretisht për ofertat turistike të Shqipërisë. Materialet iu janë ofruar vizitorëve në anglisht e gjermanisht. Interesi ka qenë gjithashtu i lartë dhe për disa produkte shqiptare të paketuara ‘Made in Albania’ të sjella në këtë panair.

Ekspozimi i gatimeve tona tradicionale, ka qenë vërtet një moment kulmor, për të tërhequr vizitorë që t’i provonin produktet e kësaj kulinarie kaq të veçantë. Gatimet tradiocionale shqiptare të përgatitura nga Master Chef-i, Sokol Prenga me ndihmësin Naim Sheremani u shijuan shumë nga të pranishmit, ku nuk mungonte padiskutim buka, vaji i ullirit dhe gjithë ushqimet më të zakonshme të shqiptarëve të servirura me aq shije.

Po ashtu, Ministrja Ekonomi dha një konferencë për shtyp, për gazetarët gjermanë. Në këtë komunikim ajo u shoqërua nga politikani gjerman, Rezzo Schlauss.

Ministria prezantoi para medias gjithë potencialin turistik që ofron vendi ynë, zhvillimimet e fundit në industrinë e turizmit dhe paraqiti një tabllo të ecurisë ekonomike të vendit tonë nëpërmjet reformave të ndërmarra nga qeveria.

Interesi mbi Shqipërinë nga gazetarët gjermanë ishte shumë i lartë dhe pyetjet që u bënë kishin të bënin me pozicionimin e Shqipërisë si destinacion turistik gjithmonë në rritje, çështja e sigurisë së vizitorëve në kontekstin e gjendjes aktuale etj. Ministrja Ekonomi u dha përgjigje këtyre shqetësimeve duke konfirmuar që Shqipëria është vend i sigurtë për turistët në çdo kohë.

SHKARKO APP