Ekonomia duhet orientuar nga eksporti
Nga Sadedin Çeliku/Përvoja e tanishme ndërkombëtare dëshmon se vendet e vogla si Shqipëria mund dhe duhet të zhvillohet duke përcaktuar prioritete dhe politika të qarta zhvillimi, duke orientuar atë drejt prodhimeve të eksportit, shtimi dhe rritja e aktiviteteve të shërbimeve të ndryshme, si transporti, turizmi etj..
Së pari tregu shqiptar është mjaft i vogël për thithjen e vëllimit mallrave si minerale, prodhime bujqësore, mallra artizanale. Pa tregje të mallrave të eksportit efektiviteti ekonomik i prodhimit të vendit do të vihej në pikëpyetje, duke kompromentuar tërë ecurinë e tregueseve ekonomikë e socialë të vendit. Së dyti, eksporti përbën burimin kryesor të sigurimit të të ardhurave valutore të nevojshme për importet bazë, sidomos të lëndëve të para të pamundura për tu siguruar në vend. Së treti, eksporti përbën faktorin bazë për zbutjen dhe amortizimin e defiçitit tregtar që aktualisht është në shifra të frikshme.
Shqipëria ka tradita të vjetra dhe burimet e nevojshme njerëzore, materiale e natyrore dhe si e tillë ka mjaft avantazhe për të konkurruar me sukses në tregjet europiane. Ka një krah pune relativisht të lirë për shkak se tregu i punës tek ne është mjaft problem, ka njerëz të kualifikuar, përvojë dhe reputacion në tregjet ndërkombëtarë. Fatkeqësisht pa mohuar dinamikën që sollën këto dy dekada, shteti e ka lënë në harresë të plotë eksportin e mallrave ose ajo bëhet në mënyrë fare spontane siç është tregu i pakët i fruta-perimeve, i kromit, apo i ndonjë malli tjetër.
Eksporti dhe punësimi shpesh përdoren nga politika si slogan propagandistik për të luajtur me njerëzit në funksion të fushatave elektorale. Mallrat strategjikë të eksportit si bitum i lëngshëm, bitum në fuçi, bitum natyral Selenice, krom, pirit e koncentrat piriti, qymyr, nikel-karbonat, tulla refraktare koncentrate kromesh, ferrokrom, skorje bakri, dolomite, olivinite, kripë deti etj., nuk dëgjohen më, kurse eksportet e fruta perimeve duke filluar nga domatja, trangull, speca, shalqi, rrush etj gati mbanim vendin e parë në Europë. Eksporti dhe faktorët që e përbëjnë atë, është lënë jetim. Ajo është reduktuar tek prodhimi mall-porositës si këmisha e konfeksione, faqe këpucësh që shteti nuk ka asnjë interes. Punëtorët marrin më pak se 15 mijë lekë, madje pa u siguruar dhe shteti mburret me nxitjen e punësimit dhe nuk merr të ardhura. Këto fakte tregojnë se i duhet kushtuar mjaft vëmendje veprimtarisë prodhuese të eksportit. Për ta bërë këtë kërkohen politika të qarta dhe strategji serioze për nxitjen e eksportit.
Dhënia me koncension i mjaft minierave por dhe të mjaft sektorëve të tjerë shërbimesh, nuk ka çuar as në rritjen e eksporteve dhe as të të ardhurave buxhetore. Ajo më së shumti është shfrytëzuar barbarisht për interesat e pushtetit se sa për rimëkëmbjen e sektorëve me humbje që deri dje mbanin gjallë shtetin. Pra një nga problemet parësore është dhe mbetet nxitja, ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i biznesit, që ai të dalë në eksport. Për këtë duhet ndihmë dhe lehtësira të ndryshme, jo vetëm nga qeveria por dhe nga dhoma e tregtisë e më gjerë. Nga ana e qeverisë nuk shikojmë që investimet të drejtohen drejt eksportit. Ajo, ndërtimin e rrugëve ( edhe ato duhen bërë), të qendrave të biznesit, stadiumeve të futbollit, kullave e tashmë të gradaçelave, e konsideron qëllim në vetvete duke mënjanuar plotësisht këtë prioritet që sjell zhvillim. Shqipëria ka një disponibilitet e një potencial agrar të konsiderueshëm. Ajo po konfrontohet tashmë me probleme serioze të lidhura ngushtë me bujqësinë e ushqimin. Pra problemi nuk qëndron te mungesa e potencialit, por tek politikat e administrimit të tij.
Mungojnë subvencionet në farëra e pleh dhe politikat e rimëkëmbjes e patjetër ato të zhvillimit rural. Vazhdon të importohen fruta-perime të cilat kanë qenë prodhime tradicionale në vendin tonë. Fermerët nuk dalin në treg me prodhimet e veta për shkak se nuk i ndihmon njeri të konkurrojnë në tregjet europiane dhe në tregun e brendshëm nuk dalin për shkak të kontrabandës në dogana për të njëjtat prodhime. Por dhe kur prodhojnë ju kalben e shkojnë dëm. Mungojnë masat me karakter proteksionist për mbrojtjen dhe stimulimin e prodhimeve vendase. Informaliteti, evazioni e të tjerë faktorë, e bëjnë të errët perspektivën e saj. Bashkëpunimi, bashkëjetesa dhe konkurrimi i ndershëm i operatorëve të shumtë, midis tyre, në fushën e eksportit, kërkojnë domosdoshmërisht një bashkërendim dhe institucionalizim të drejtë me synim rritjen e efektivitetit të veprimtarisë eksportuese.
Disa nga investimet e bëra kohët e fundit në vaditje dhe në veprat e kullimit janë të pamjaftueshme për ta kthyer bujqësinë në favor të eksportit. Nga ana e ministrit Edmond Panariti për të cilin mendoj se është njeriu i duhur profesionalisht e në vendin e duhur, për herë të parë në këtë çerek shekulli, shikojmë përpjekje për ta futur bujqësinë në brazdë, për ta orientuar drejt eksportit e për të futur teknologjitë e nevojshme dhe politikat që realizojnë qëllimin, por mesa duket ka dhe ai vështirësi që i kalojnë kufijtë e një titullari. Bujqësia sjell ushqimin, përparimin dhe kësisoj ajo duhet mbështetur fuqimisht me fonde e kredi, që ky sektor në vijojë traditën dhe të futet në rrugën e zhvillimit, ndryshe, Shqipëria dhe populli shqiptar do të vuajë dhe për shumë kohë të tjera. Një rol të rëndësishëm e të patjetërsueshëm ka dhe biznesi e sipërmarrja e cila duhet të investojë me guxim në sektorin e bujqësisë sepse në këtë sektor investimet nuk shkojnë dëm, përkundrazi ato riciklohen në kohë rekord. Ministria e ekonomisë dhe ajo e financës, kryeministri i vendit Edi Rama, si dhe të gjitha strukturat përgjegjëse, mbeten institucionet kryesore që duhet të shqetësohen për këtë problem, ndryshe nuk ka dhe nuk do të ketë zhvillim, punësim, përkundrazi do të vazhdojë informaliteti, evazioni fiskal dhe do rriten plagët sociale qe ka aktualisht shoqëria shqiptare.