Ekspertët: jo identifikim fesë dhe besimtarit me terrorizmin
Ekspertë të çështjeve të sigurisë në Shqipëri flasin për sfidat e luftës kundër akteve terroriste dhe mundësinë e përhapjes së tyre në rajonin e Ballkanit.
Bujar Rama, drejtor i Institutit të Studimeve mbi Krimin e Organizuar në Tiranë, ka punuar për disa vjet si funksionar i lartë i shërbimeve inteligjente në Shqipëri. Ai duke u nisur nga konteksti i krizës së refugjatëve mendon se rajoni ynë si territor tranzit për karvanin e njerëzve që synojnë shtetet e BE-së, mbetet i ekspozuar ndaj rrezikut të inflitrimit dhe të personave ose grupeve radikale të IS. Plus kësaj Rama kujton dhe faktin se nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia ka pasur rekrutime për bashkimin me Shtetin Islamik, kontigjente që kanë ndikuar në imazhin e këtyre vendeve. Nga këta luftëtarë që kanë shkuar në Siri ka pasur dhe adresime kërcënuese ndaj autoriteteve me qëllimin e ndjelljes së panikut dhe terrorit, thotë për Deustche Welle-n eksperti Bujar Rama.
“Strukturat e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme në ndjekjen e situatës, pasi Shqipëria përballet me dy problemeve: të Shtetit Islamik nga njëra anë dhe nga ana tjetër të islamofobisë. Ndodh që evidentohet frika se shqiptarët janë me rrezik nga qasja drejt ekstremit, kjo pastaj ushqen islamofobinë. Mendoj se gjithçka ndodh nuk lidhet me fenë por me ideologjinë. Sjellja e Shtetit Islamik është ideologjike, si të thuash një ekstrem fetar. Kjo do të nxisi islamofobinë, sidomos në Evropë. Një urrejtje nxit një urrejtje tjetër, që përbën një rrezikshmëri në një vend si Shqipëria me mazhorancë të besimit mysliman”.
Komunikimi i tendosur në hapësirat virtuale
Bujar Rama shpreh keqardhje për përmbajtjet e ditëve të fundit në rrjetet sociale, ku sipas tij, treguesi i tolerancës fetare dhe bashkëjetesës është tronditur, është sulmuar nga ata që shprehin opinione, mendime dhe ide në hapësirën virtuale të komunikimit.
“Rëndom shikon thirrje të hapura kundër Islamit, kundër besimtarëve myslimanë, duke tentuar që komunikimin ta çojnë në ekstrem. Por jo vetëm në internet. Edhe në jetën reale në këtë lloj situate besimtarët, të cilët ndjekin ritet ndjehen të tërhequr, të ndrojtur. Sepse bëhet identifikimi i fesë dhe i besimtarit me terrorizmin dhe me terroristin, kjo ndikon në prishjen e paqes sociale dhe i agravon gjërat. Edhe në mediat klasike, në televizione në mënyrë të veçantë duhet të kihet kujdes në prononcime dhe komente që bëhen nga analistët dhe opinionistët. Duhet t'i lihet më shumë hapësirë ekspertëve të religjionit a atyre të problemeve të sigurisë.
Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe pedagog në Canadian Institute of Technology në Tiranë mendon se me situatën aktuale nuk përjashtohen mundësitë që elementë terroristë ta përdorin Shqipërinë si vend tranziti. Por sipas arsyetimit të tij, ka shumë pak gjasa që Shqipëria të përdoret si vend strehimi apo të eksportojë terroristë në Europë. Kjo për arsye se mbështetja ndaj IS në Shqipëri është shumë e ulët, thotë Zhilla për Deutsche Welle-n.
“Duhet cilësuar se të paktën 30 përqind e atyre që shkuan për të luftuar në Siri janë kthyer menjëherë pas 3 muajsh. Që nga viti 2014 mendohet që të mos ketë pasur më vajtje të shqiptarëve atje. Të gjithë të kthyerit kanë një sjellje korrekte, e cila tregon se kanë reflektuar për atë që ndodh me IS. Jehona e akteve terroriste të IS-it në Paris në ato pak mbështetës në mediat sociale ka qenë minimale. Ata pak përkrahës virtual të IS-it në Shqipëri janë të margjinalizuar dhe nuk gjejnë asnjë përkrahje nga komuniteti i besimtarëve shqiptarë mysliman. Jo vetëm kaq por ka dhe një farë konflikti dhe refuzimi të besimtarëve ndaj këtyre ideve dhe individëve që i simpatizojnë”.
Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe pedagog në Canadian Institute of Technology në Tiranë
Sipas ekspertit Fabian Zhillën, Shteti Islamik e ka shumë të vështirë të strehojë apo ta përdori Shqipërinë si një stacion për të kryer akte terroriste në BE, por dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Politika të qendrojë larg fesë
Bujar Rama shpjegon dhe raportet mes fesë dhe politikës, ku sipas tij, e dyta për qëllime pragmatiste, afatshkurtëra, përpiqet të ndikojë dhe të përdorë të parën. Ai kujton rastin e Komanovës në Maqedoni, ku politika ka ndërhyrë hapur. Politika duhet të qendrojë larg fesë, sepse në mjaft procese dhe ngjarje të rënda që kanë ndodhur në vende të ndryshme të botës shkaku e ka zanafillën nga nxitja politike, shprehet Rama.
“Janë evidente dhe shembujt e shndërrimit të grupimeve fetare në parti a fraksione politike, të cilat shkaktojnë reaksione të pakthyeshme në shoqëri. Reflekse të krijimit të partive ose subjekteve politike me bazë fetare ka pasur dhe në Shqipëri, por këto nuk duhet të lejohen në realitetin e vendit me një shoqëri multifetare. Duhet të promovohet forcimi i tolerancës dhe bashkëjetesës mes besimeve”.
Rama shton se në Shqipëri dhe në Kosovë ka procese gjyqësore ndaj të dyshuarve për rekrutim të luftëtarëve në shërbim të Shtetit Islamik. Por këto procese janë zvarritur. “Me to duhej të procedohej shpejt, pasi çdo vonesë prodhon pakënaqësi dhe çon në ekstrem”.