Eksplozivë pranë gazsjellësit rus në Serbi, njoftojnë Beogradi dhe Budapesti

Liderët e Serbisë dhe Hungarisë njoftuan të dielën se eksplozivë ishin gjetur pranë një gazsjellësi në Serbi, i cili transporton gaz rus drejt Hungarisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi në një postim në Instagram se “njësitë tona gjetën një eksploziv me fuqi shkatërruese”. Ai shtoi se “dy pako të mëdha eksplozivësh me detonatorë” u zbuluan në Kanjizë, në veri të Serbisë, “disa qindra metra larg” gazsjellësit Balkan Stream.

Kryeministri hungarez Viktor Orban thirri një takim të Këshillit të Mbrojtjes të vendit të tij për të diskutuar situatën. Pas takimit, Orban u shpreh se “sipas informacioneve që kemi […] ishte përgatitur një akt sabotazhi”. Të dy liderët nuk dhanë menjëherë detaje të mëtejshme mbi gjetjet apo foto. Gazsjellësi Balkan Stream kalon nëpër Bullgari dhe Serbi, duke lidhur Hungarinë me gazin rus që transportohet nën Detin e Zi drejt Turqisë.

Orban theksoi se “Ukraina ka vite që po përpiqet të shkëpusë Evropën nga energjia ruse”, por ai nuk fajësoi drejtpërdrejt Ukrainën apo ndonjë aktor tjetër. Megjithatë, Ukraina mohoi çdo lidhje me sabotazhin e pretenduar. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, deklaroi: “Ne refuzojmë kategorikisht tentativat për të lidhur në mënyrë të rreme Ukrainën me incidentin e eksplozivëve të gjetur pranë gazsjellësit Turkstream në Serbi.” Ai shtoi se “Ukraina nuk ka asnjë lidhje me këtë. Me shumë mundësi, një operacion rus me flamur të rremë si pjesë e ndërhyrjes së rëndë të Moskës në zgjedhjet hungareze.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Serbia dhe Hungaria janë të dyja të varura nga importi i gazit rus. Ky njoftim vjen gjithashtu një javë para zgjedhjeve të kontestuara ashpër në Hungari, ku nacionalisti Orban mund të humbasë pushtetin pas 16 vitesh. Në javët e fundit, Orban ka akuzuar Ukrainën për vonesa të qëllimshme në riparimin e një gazsjellësi tjetër të dëmtuar që kalon nëpër Ukrainë, gjë që ka penguar rrjedhën e naftës ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë. Kandidati kryesor i opozitës, Peter Magyar, reagoi ndaj lajmit duke akuzuar Orbanin se po përpiqej të mbillte panik para votimit. Magyar tha në një video në Facebook se “disa njerëz kishin treguar publikisht se diçka do të ndodhte ‘aksidentalisht’ në gazsjellësin në Serbi në Pashkë, një javë para zgjedhjeve hungareze. Dhe kështu ndodhi.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Marrë nga Deutsche Welle

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?