Elisa Spiropali: Mocioni për hapjen e partisë është dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste
Ish-ministrja Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste një mocion për hapjen e partisë, pasi e pati paralajmëruar këtë.
Në një prononcim për mediat në hyrje të Kuvendit, Spiropali tha se e kishte mbajtur fjalën dhe e kishte dorëzuar mocionin siç pati premtuar.
“E mbajta premtimin sot dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit mbi marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime, premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument i imi; ai është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar kryetarit dhe kryeministrit, Asamblesë dhe çdo anëtari.
Do të jetë i hapur edhe për publikun, sepse një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një, dy apo dhjetë individë, por duhet të shprehë vullnetin e shumicës, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të popullit shqiptar, i cili në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, një marrëdhënie të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, si dhe një model ekonomik të denjë. Populli pret më shumë nga ne dhe kam besimin se PS-ja ka energjinë e duhur për t’iu përgjigjur kësaj kërkese”, u shpreh Spiropali.
KOHA JONË SONDAZH

