Elozh thjeshtësisë së një njeriu
Nga Virgjil Muçi
– Në vend të një nekrologjie –
Aleksandër Babe vdiq. Në këtë pikë ju me siguri do të pyesni e thoni: Kush është? Dhe, s’do mend, keni të drejtë. Aleksandër Babe prej vitesh kish mërguar dhe jetonte në Greqi, por ajo çka ngre peshë në këtë rast, ai nuk qe nga ata personazhe të shoqërisë së përkëndej kufirit që jemi mësuar t’i shohim përnatë në talk show televizivë ose asish që predikojnë udhën e drejtë me një ton ex cathedra nga maja e Olimpit ku jetojnë. Me përjashtim të një grushti miqsh të hershëm, kurrkush nuk u kujtua të shkruajë dy radhë për të dhe, doemos, për të nuk u hapën sallat e institucioneve për t’i bërë homazhe e nderuar me pohë e me bujë, për të nuk foli para kamerave ndonjë ministër ose deputet, siç ndodh rëndom në kësi rastesh dhe siç jemi mësuar të na shohin sytë vend e pa vend.
Para viteve nëntëdhjetë, Babe botoi gjithë-gjithë tri novela: “Kali”, “Bijtë” dhe “Vesveseliu”. Me “Kali” fitoi çmim në një konkurs kombëtar për letërsinë për fëmijë, “Bijtë” kaloi në heshtje – tekefundit nuk mund të merremi gjithë kohën me një shkrimtar nga provinca! – ndërsa “Vesveseliu” pati një fat të palakmueshëm. Kohë më vonë shkrimtarit, tanimë me cen, iu mohua botimi i një drame historike për Teutën e Ilirisë me damkën e modernizmit – pa shih çfarë paradoksi, Teuta moderne! – çka, me gjasë, kjo nofkë nuk kishte për t’iu shqitur si të qe ndonjë lëngatë ngjitëse.
Miqtë e tij të hershëm na bëjnë me dije se Babe ishte piktor e skulptor dhe, kësisoj, kishte realizuar një sërë punimesh: vizatime me karbon, kompozime në vaj, gdhendje në dru etj. Në Athinë, ku jetonte prej vitesh, ia doli të botojë, në greqisht, një album me vizatime e poezi.
Duke i lypur ndjesë lexuesit do t’i lutesha të më lejonte të kthehesha ca pas në kohë e t’i shpjegoja me dy fjalë atë që, pak më lart, e quajta fat të palakmueshëm. “Vesveseliu”do ta shihte dritën e botimit në revistën “Nëntori”, diku aty nga vitet ’70 (jo rastësisht redaktori i tij ka pasë qenë tragjiku i letrave shqipe Faik Ballanca), por, dhe kjo është ironia e fatit, ditëlindja e veprës do të shndërrohej edhe në “ditëvdekjen” e saj, ngaqë libri, i cili ndërkohë ishte në proces në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” do të kartonizohej, i damkosur si vepër me ndikime frojdiste. Veç një Zot e di se ç’mund ta lidhte Aleko Baben me Sigmund Freud-in dhe çfarë mund të kishin të përbashkët Vlora pluhurosur e viteve shtatëdhjetë me grandeur-in e Vjenës së shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ç’është e vërteta, lypset të mos jua hamë hakun censorëve dhe të pohojmë se, në një pikë, ata kishin të drejtë; novela e Babes nuk kishte asgjë që t’i vinte era realizëm socialist (çka, pa ndonjë mund të madh, vihet re edhe sot e kësaj dite) dhe, këtu, atyre, pra, censorëve tanë, nuk ua hante qeni shkopin. Ndërsa frojdizimi i Babes ishte thjesht një casus për cerberët kokëtrashë të metodës për të përligjur aktakuzën. Lavdi zotit, Babe vetë nuk pësoi fatin e veprës, ndërkohë që të tjerë para tij patën përfunduar në esfel edhe për më pak se kaq.
“Vesveseliu” është jetëshkrimi (në qoftë se mund të shprehemi kështu) i një gjeli; po, po, mos u çuditni, i një gjeli! Dhe kjo ishte lajthitja e parë e Babes kundrejt metodës zyrtare. Qysh nga ky çast gjërat vijnë e ndërlikohen: Vesveseliu nuk është një gjel dosido, ngaqë marrëdhëniet e tij me botën që e rrethon dhe, në mënyrë të veçantë, me qeniet me arsye supreme, pra, njerëzit – dhe këtu nuk bëhet fjalë për njeri dosido, po për njeriun e ri të socializmit shkencor – ai i ndërton ashtu siç i thotë rradakja e tij prej gjeli; thënë me fjalë të tjera, instinkti parësor i një qenieje të lirë e të barabartë, në luftë të përhershme për të siguruar ekzistencën e vet dhe të grigjës, prijës i së cilës është. Instinkti te Vesveseliu është shprehje e lirisë, ashtu si arsyeja te Njeriu është shprehje e ndrydhjes, robërisë individuale dhe shoqërore. Dhe pikërisht këtë liri (lexo: mosnënshtrim kundrejt shoqërisë njerëzore dhe, ç’është më e papranueshme, kundrejt autoriteteve, më konkretisht të plotfuqishmit të lagjes!) Vesveseliu do ta paguaj me kokë. Skena e ekzekutimit të Vesveseliut, shpërfillja e tij ndaj vdekjes, është nga më të bukurat e librit. Ja pra, kjo ishte vepra e nëmur që u zhbi e u bë karton!
Aleksandër Babe nuk është ndonjë shkrimtar i shquar, ndaj mos rrëmihni më kot nëpër fjalorë enciklopedikë apo antologji gjithfarësh. E megjithatë, mjafton një kryevepër e vockël si “Vesveseliu”, që ai të ketë hisen e vet në parcelën e letrave shqipe.