Emigranti vjen nga Kanadaja në protestë: Kanë frikë nga referendumi. Brezi i ri do të ndërtojë Shqipërinë e re
Një emigrant në protestë tregoi se ka ardhur nga Kanadaja, dhe gjatë fjalës përballë Kryeministrisë, tha se brezi i ri duhet të ndërtojë një shoqëri të re demokratike, por fillimisht duhet të largojë të gjithë figurat që kanë dominuar skenën politike për 36 vite. Ai e krahasoi protestën sot me revolucionin e vitit 1991 kur ra busti i ish-diktatorit Enver Hoxha.
“Kam 31 vite që jetoj në Kanada. Jam ish student i Dhjetorit ’90. Në atë kohë, si ju, u mblodhëm në këtë shesh për të rrëzuar kaledrën e kuqe të monizmit që na kishte skllavëruar, torturuar identitetin tonë dhe ai revolucion arriti suksesin e parë.
Menduam se rruga dhe ndërtimi i një shteti demokratik do të ishte i lehtë, por nga mungesa e eksperiencës nuk ishte e vërtetë. E rrëzuam trupin e komunizmit, por rrënjët nuk arritëm t’i shkulnim. Këto rrënjë u integruan në të gjitha partitë politike dhe në shoqërinë civile që pastaj morën pushtetin dhe vazhduan të na thithin gjakun si shushunja për 36 vite.
Jeni ju të gjithë dhe sidomos brezi Z, ashtu si ne, që po vazhdoni një revolucion të rëndësishëm për të ndërtuar një Shqipëri të re. Por duhet të rrëzojmë fillimisht establishmentin e ndërtuar këto 36 vite, pastaj të ndërtojmë një shoqëri të painfektuar, të gjithë të barabartë dhe ku të mbizotërojë meritokracia”, tha protestuesi.
KOHA JONË SONDAZH

