Erion Braçe denoncon diferencën e çmimit të shalqirit: Bujqit shesin me 6 lekë, turizmi furnizohet me 30 lekë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar për çmimet e produkteve bujqësore, duke ngritur shqetësimin për diferencën mes çmimit me të cilin fermerët shesin prodhimet dhe çmimit me të cilin ato u ofrohen konsumatorëve dhe sektorit të turizmit. Në një reagim publik, Braçe u ndal te rasti i shalqirit, duke pretenduar se fermerët në zonën e Divjakës e kanë shitur për rreth 6 lekë për kilogram për një periudhë prej 40 ditësh, ndërsa në zonat turistike i njëjti produkt është tregtuar me rreth 30 lekë për kilogram.
Postimi i plotë
Nuk e bëjnë bujqit, por tregtarët që po zhvasin bujqit dhe sektorin e turizmit! Është e padrejtë! Çmimet e perimeve dhe frutave të stinës, të prodhuara në vend dhe që normalisht duhet të jenë më të lira, me të cilat po furnizohet turizmi, janë të çmendura!
Po marr vetëm shalqin si shembull: Për 40 ditë me radhë, deri më sot, shalqini është shitur në Divjakë me 6 lekë për kilogram, vetëm 6 lekë! Ndërkohë, e gjithë vija bregdetare është furnizuar me shalqi me çmim 30 lekë për kilogram, pesë herë më shtrenjtë!
Pyeta dhe, rastësisht, mora sot një përgjigje: Për çdo kilogram, këta llogarisin:
10 lekë shpenzime;
10 lekë fitim.
Mungojnë edhe 4 lekë në llogari, të cilat nuk i thonë, por përsëri i përfitojnë tregtarët!
Vini re: Bujqit për 40 ditë e kanë shitur shalqinin pa fitim, me 6 lekë për kilogram. Ndërsa tregtarët, nga shalqini që bujqit e kanë shitur me humbje ose pa fitim, kanë siguruar 10 lekë fitim për kilogram! Kjo është jashtëzakonisht e padrejtë!
O djem, edhe ju jeni punëtorë dhe më vjen shumë keq, por a e mendoni një herë këtë që po bëni? Çmimi sot ka lëvizur dhe po shkon në 12 lekë, madje mund të arrijë edhe 15 lekë për kilogram.
Tani kanë mbetur vetëm Çerma, Sulzotaj dhe Imashta që kanë shalqi. Me sa do ta shisni ju për turizmin? Me 45 lekë? Mendojeni vetëm një herë: Po dëmtoni bujqit dhe veten tuaj.Turizmin po e dëmtoni gjithashtu! Kjo nuk është rruga e duhur për një tregti të drejtë.
KOHA JONË SONDAZH

