Erion Braçe duhet ta thotë emrin e “oligarkut” që merret edhe me drogë!
Deputeti Erion Braçe ka publikuar sonte në darkë një reagim me akuza jashtëzakonisht të rënda ndaj një personi që e cilëson si “oligark në politikë”. Por në gjithë atë tekst mungon pikërisht ajo që publiku kërkon të dijë: emri! Nënkuptimi del pak a shumë, por lexuesi e shikuesi i thjeshtë e do me emër këtë oligark.
Kur një deputet flet për shfrytëzim punonjësish, lidhje familjare me trafikun e drogës dhe veprime fiktive për zmadhimin e pasurisë, nuk mjafton ta lërë lexuesin të hamendësojë.
Publiku nuk ka pse të deshifrojë statuse dhe të kërkojë mes rreshtave se cili është personi i sulmuar. Emri duhet të shoqërohet me faktet mbi të cilat mbështeten akuzat.
Braçe thotë se ua ka dorëzuar prej kohësh dokumentet agjencive të kësaj qeverie. Atëherë duhet të sqarojë: cilave agjenci, në çfarë date dhe çfarë kanë bërë ato? Ka marrë përgjigje? Ka kërkuar zyrtarisht shpjegime për mënyrën se si janë trajtuar materialet?
Sepse fjalia “Pse e kanë falur?” ngre një pikëpyetje të fortë edhe mbi institucionet shtetërore. Nëse deputeti pretendon se ato kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve, duhet të tregojë konkretisht ku e mbështet këtë pretendim. Përgjegjësia institucionale nuk sqarohet me aludime.
Erion Braçe ka zgjedhur të flasë publikisht. Tani duhet ta çojë deri në fund atë që ka nisur: të thotë emrin, të paraqesë provat dhe të kërkojë llogari nga institucionet përkatëse.
Një akuzë kaq e rëndë nuk mund të mbetet me një person pa emër dhe me institucione pa përgjegjësi!/Erion Braçe/

