Erisa Xhixho tregon jetën mes familjes dhe politikës
Erisa Xhixho tregon jetën mes familjes dhe politikës: “Pas lindjes së djalit ndryshova dhe fjalimet e mia”
Erisa Xhixho prej disa vitesh është pjesë e politikës dhe anëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Politika për të nuk është vetëm një profesion, por edhe diçka që e bën me shumë dëshirë. Një vit më parë, jeta e saj dhe bashkëshortit, Eneas, ndryshoi pasi ata u bënë prindër për herë të parë. Familja e tyre e vogël u shtua me një anëtar, vogëlushi Henri, i cili i solli çiftit lumturi të pafund. Mëngjesin e sotëm Erisa ka qenë e ftuar në NRG Radio në emisionin e mëngjesit “Check in” me dy moderatorët Florian Gjini dhe Frensi Muça.
Xhixho ka treguar më shumë për jetën e saj mes politikës dhe familjes dhe se si vogëlushi ka arritur t’ia ndryshojë tërësisht jetën. Profesioni i saj bën që ajo të kalojë kohë jashtë shtëpisë, megjithatë mami Erisa gjen mjaftueshëm kohë për ta kaluar me të birin.
“Mundohem maksimalisht që të kaloj shumë kohë me Henrin, është një sakrificë e shumanshme. Fundjavën ia dedikoj plotësisht atij. Henri është 11 muajsh dhe është pikërisht ai që na zgjon çdo mëngjes. Unë nuk dua të humb asnjë çast nga rritja e tij”,- është shprehur ajo.
Siç ndodh në shumë çifte, prindërit shpesh planifikojnë dhe ëndërrojnë për të ardhmen e fëmijës dhe për profesionin e tyre dhe Erisa ka treguar se çfarë mendon ajo dhe Enea, bashkëshorti i saj. “Ai është vetëm 11 muajsh, është shumë herët, por do të ndjekë vetë ëndrrat e tij kur të rritet. Bashkëshorti ka filluar ta njohë me futbollin, por në fund ai do të zgjedhë vetë çfarë të dëshirojë”,- shprehet Erisa.
Sigurisht që ardhja në jetë e Henrit ka ndikuar edhe në rolin e Erisës në politikë dhe këtë mund ta dalloni qartë dhe në fjalimet e saj.
“Ardhja në jetë e Henrit ka bërë që të vlerësoj më shumë nënat, gratë. Më ka dhënë një botëkuptim tjetër, më ka bërë të jem më e kujdesshme në vendimmarrje. Tanimë në fjalimet e mia kam shtuar edhe fjalinë: Të bëjmë diçka të mirë për fëmijët tanë!”- përfundon Xhixho./Blitz.al/