“Është kthyer dy herë projekti se kishte marinë”, Rama për Zvërnecin: Është e shkruar që s’preket Laguna
Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti për zhvillimin në Zvërnec është rikthyer dy herë për rishikim, pasi versionet e mëparshme parashikonin ndërtimin e një marine.
Rama theksoi se në dokumentet është e përcaktuar qartë se Laguna nuk do të preket dhe se çdo zhvillim do të lejohet vetëm në prona që disponojnë tituj të rregullt pronësie.
“Kompania që ka marrë përsipër ngritjen e gardhit do të marrë një gjobë të konsiderueshme dhe do të mbajë përgjegjësi për aktin e dhunës. Gjithashtu, ajo nuk do të lejohet të punojë më në territorin e Shqipërisë.
Ajo zonjë ka ardhur në Vlorë së bashku me një grup arkitektësh dhe inxhinierësh. Ata kanë zhvilluar një dëgjesë që zgjati gjysmë dite me profesorë të etnologjisë, gjeodezisë dhe historisë në Shqipëri, të cilët kanë trajtuar të gjitha këto aspekte. Gjatë kësaj dëgjese, një grup i madh pjesëmarrësish ka mbajtur shënime.
Në mars të vitit 2026 është paraqitur një projekt krejtësisht i rikonceptuar, me një qasje të ndryshme zhvillimore dhe mjedisore. Këshilli Kombëtar i Territorit, të cilin disa e akuzojnë se po e shet Shqipërinë për llogarinë time, nuk e ka miratuar projektin ashtu siç është paraqitur fillimisht, por ka vendosur kushte të qarta.
Së pari, është përcaktuar me shkrim se projekti do të zhvillohet vetëm në prona të pajisura me tituj pronësie të regjistruar në kadastër dhe në asnjë pronë tjetër që mund të jetë objekt pretendimesh apo copëzimesh pronësore.
Së dyti, laguna nuk do të preket. Kjo është e përcaktuar qartë në dokumentacion. Gjithashtu, zhvillimi nuk mund të përfshijë një marinë. Marina ishte parashikuar në versionin e parë dhe të dytë të projektit, por më pas u hoq”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?
Results
Vota totale: 7838

