Estetika e mësimdhënies

Nga Dilaver Koçiu

 Suksesi i mësimdhënies varet nga shumë faktorë, të dukshëm dhe të padukshëm, të efektshëm ose jo. Hyjmë në shumë diskutime për mësimdhënien e të nxënit, evidentojmë shkaqet dhe shohim pasojat. Nuk dua të mohoj që për shumë arsye mund të kenë të drejtë edukatorët dhe mësuesit. Gjithmonë përpiqemi që përgjegjësinë për pasojat jo të kënaqshme në edukim dhe të nxënë t’ia përcjellim nxënësve pa e kuptuar as vetë se shkaku kryesor jemi ne mësuesit, prindërit dhe shoqëria. Dëgjon shpesh thënie të mësuesve: Çudi si nuk mësojnë! Unë lodhem kaq shumë! Shpjegoj shumë mirë mësimin e ata s’të ndjekin,! S’kanë interes dhe nuk mësojnë!. Deri këtu mësuesit mund të kenë të drejtë, por harrojnë se nuk i njohin nxënësit që kanë përpara, nuk përpiqen ta arrijnë këtë. Si rrjedhojë ata nuk vendosin dot një ekuilibër mes katër dimensioneve të ndryshme të të nxënit: dimensionit intelektual, emocional, fizik dhe shpirtëror. Gjatë procesit të mësimdhënies pamja jonë si mësimdhënës përballë nxënësve ka rëndësinë e saj. Fytyrat tona pëcjellin mesazhe të ndryshme gjatë orës së mësimit, por kur ato janë të vrazhda, pa jetë, të thata, pa shpirt, pa pamje estetike dhe  sipërfaqësore atëherë kjo ndikon negativisht në procesin e të nxënit. Herë-herë ato bëhen demotivuese dhe fyese për një pjesë të nxënësve. Me mësues që nuk lexojnë letërsi, psikologji, pedagogji dhe nuk përpiqen të reflektojnë edhe kur marrin mesazhe se ora e mësimit të tyre është pa jetë, sigurisht që nuk mund të jetë efektive dhe e dëshirueshme nga pjesa më e madhe e nxënësve. Nxënësit nuk janë makina ku ne kemi për detyrë të shkruajmë në dërrasë apo të flasim dhe ata të regjistrojnë informacion. Kalojnë muaj, vite dhe ndodh që mësuesit nuk i njohin nxënësit që u japin mësim. Shohin në klasat e tyre nxënës pa jetë, pasivë dhe nuk shqetësohen të kuptojnë “psenë”, nuk e dinë që ata nxënës e kanë humbur qëllimin e ardhjes, pavarësisht se fizikisht janë aty. Në qoftë se pyesim mësuesit sa i njohin apo sa përpiqen të identifikojnë vizionet personale të çdo nxënësi që e bën atë të motivuar dhe të inkurajojë atë grup për të vendosur ura lidhjeje mes vizionit të tij personal dhe procesit mësimor, vështirë se mund të marrësh një përgjigje. Kjo tregon se mësuesit nuk i njohin aspak ose fare pak nxënësit e tyre. Kur mësuesi shpjegon duhet të shohë në sytë e nxënësve ato momente ku gjatë orës së mësimit ata çelen, buzëqeshin, janë entuziastë. Gjatë një ore mësimi ku lider është një mësues që reflekton art komunikimi dhe shpjegimi, pamja e nxënësve ndryshon pozitivisht, ata çelen, bëhen aktivë dhe të dëshirojnë si mësues. Një psikolog amerikan këtë e quan: “estetika e të mësuarit”. Pra mësuesit i kanë prekur nxënësit në shpirtin e tyre duke bërë një lidhje midis vizionit të tyre personal dhe trajtimit të grupit në orën e mësimit, ku as një të mos ndihet i mënjanuar apo i braktisur. Para disa vitesh dy prindër më përcjellin të shqetësuar gjendjen e djalit të tyre në lëndën e matematikës, në klasën e VII të një shkolle në Tiranë. Mësuesja e matematikës në fund të simestrit të parë u dha përshtypjet e saj prindërve për fëmijën e tyre (sigurisht jo të mira) dhe ndërkohë që shprehte këtë opinion u vendos prindërve notat dhe elementët tregues për një nxënës tjetër. U përpoqën fillimisht të sqaronin mësuesen se nuk ishte ai për të cilin ajo po u fliste, djali i tyre. Dukej qartë reagimi dhe zhgënjimi i prindërve. Të mendosh që kjo mësuese nga moskonceptimi fizik  duhej të njihte nivelin intelektual apo shpirtëror të nxënësit!!!

Njohja e karakteristikave të nxënësve, e veçorive psikologjike, talentit, interesave, individualitetit të secilit e vendos mësuesin në pozita të tjera mësimdhënieje. Kjo e parapërgatit atë për të ndërtuar planin ditor dhe punën për anën shkencore të shpjegimit dhe vendosjen e ekuilibrave intelektualë e shpirtërorë në orën e mësimit. Për një mësues të kulturuar dhe të përgatitur, nuk duhet te ekzistojë ndarja në klasë dhe për më tepër braktisje e “hapur”  ose e “fshehtë” në orën e mësimit. Thënie të tilla si: “Ta kam thënë njëqind herë, por ti nuk kupton! Kushedi ku e ke mendjen! Kam faj unë që merrem me ty! Mos u merr me këtë ushtrim se ti nuk e bën dot! Sikur gjithë orës ta punosh ti nuk e zgjidh dot!”, demotivuese dhe fyese në raste më ekstreme, jo vetëm që nuk ndihmojnë për një të nxënie reale dhe të efektshme, por çojnë drejt një ndarje të padrejtë të nxënësve brenda klasës  dhe si rrjedhojë vendoset një gjendje shpirtërore mosbesuese, mungesë respekti dhe humbje besimi në vetvete tek ata. Mësuesi prej mosnjohjes ka fyer inteligjencën dhe individualitetin e nxënësit. E kundërta vërehet tek ata mësues njohës, respektues dhe ndërtues të punës së përbashkët me nxënësit për të bërë secilin të ndihet i aftë, i barasvlefshëm me grupin, duke marrë nga këta mësues vlerësime të ndryshme  në kohë të ndryshme gjatë orës dhe në orë të veçanta. Në këtë mënyrë fitohet prej tyre dashuria, mirënjohja dhe respekti. “Infrastruktura” shpirtërore e grupit është jashtëzakonisht pozitive dhe nxënësit marrin maksimumin e mundshëm nga orë dhe mësues të tillë. Një nxënës në klasën e X-të më erdhi i entuziazmuar në drejtori: Drejtor! Mësuesja e vlerësoi esenë time me notën 9-të! Ishte shumë e kënaqur që unë mund të krijoja kaq mirë!.  Kur nxënësi shkoi në shtëpi ua trasmetoi me të njëjtin entuziazëm prindërve, të cilët vunë re që atë mbasdite ai qëndroi shumë më gjatë duke studiuar krahasuar me herët e tjera. Në klasë shfaqte interes më të madh, duke u bërë pjesë aktive e saj. Prindi vuri re ndryshimin e fëmijës dhe kërkoi nga stafi më shumë motivim dhe vlerësim. Kjo gjendje shpirtërore pozitive e krijuar ndryshoi situatën mësimore të nxënësit në të gjitha lëndët. Ndodh shpesh që mësuesit t’ua hedhin përgjegjësinë për gjendjen apo pamundësinë për të mësuar nxënësve kur nivelet e ulëta të të nxënit nuk justifikojnë punën tonë si mësimdhënës.  A i bëjmë një analizë vetes si mësues se mangësitë shpeshherë të nxënësve janë rrjedhojë edhe e paaftesisë sonë? Shkaqet janë të shumta dhe komplekse. Ne duhet të njohim dhe të punojmë e të ndryshojmë veten dhe metodën e punës në mësimdhënie. Kur puna dhe përkushtimi ynë të përfshihen në vizionet personale të nxënësit, por edhe të grupit, kur ne të bëhemi pjesë e tyre dhe e zgjidhjes që kërkojnë ata, kënaqësia dhe estetika e të mësuarit do të bëhen pjesë e të gjitha palëve. Kënaqësia estetike në procesin e të mësuarit nuk mund të jenë ekskluziv vetëm e njërës palë, ajo s’mund të jetë e veçuar. Sa më tepër palë të përfshijmë në këto momente estetike, prindërit, komunitetin aq më e suksesshme bëhet mësimdhënia. Mësues të tillë, me cilësi të mira si qytetarë dhe mësimdhënës ka në çdo staf pedagogjik. Ështe koha që strukturat drejtuese, të evidentojnë të vlerësojnë dhe të përhapin përvojat dhe modelet e tyre. Njëhsimi i vlerave me antivlerat, i të aftëve me të paaftët, i të përkushtuarve me dembelet do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej shkollës.  Organet drejtuese të arsimit siç bëjnë mirë që konstatojnë dhe vlerësojnë, duhet edhe të ndërtojnë një politikë vizionare me kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve. Strategjia e publikuar nga M.A.S sigurisht që do të hartojë programe e kurrikila për kualifikime të vazhdueshme e të detyrueshme për mësuesit. Atëherë do të kemi më shumë modele mësimdhënieje, estetikisht koherente me kërkesat e nxënësve, prindërve dhe gjithë komunitetit qytetar të cilët besojnë se cilësia e shkollimit çon drejt një shoqërie të emancipuar dhe të zhvilluar.

SHKARKO APP