Euro prek nivelin më të lartë të 6 muajve në bursë, në Shqipëri pranë nivelit më të ulët
Monedha e përbashkët ka njohur forcim në bursat ndërkombëtare, ndërsa në tregun vendas është shumë pranë nivelit më të ulët…
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro këmbehet sot me 134.95 lekë. Niveli më i ulët i këmbimit të Eur/All ishte 134.39 lekë në dhjetor të vitit të kaluar.
Arsyeja kryesore për zhvlerësimin e monedhës së përbashkët në tregun vendas mbetet mbioferta në valutë .Prej një viti monedha e përbashkët ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm në tregun vendas. Në të njëjtën datë një vit më parë, 1 euro këmbehej me 138.41 lekë, 3.5 lekë më shumë se sot.
Ndërsa në bursa, këtë të premte euro kapi nivelin më të lartë të këmbimit prej gjashtë muajsh, por pa arritur të tejkalonte nivelin e këmbimit prej 1.1 dollarësh, ndërkohë që ulja e çmimit të naftës ka zhvlerësuar së bashku me dollarin amerikan edhe, atë australian dhe kanadez.
Dollari amerikan ka njohur zhvlerësim edhe në tregun vendas, ku, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot një dollar këmbehet me 123.11 lekë.
Pritshmëritë se kandidati i qendrës Emmanuel Macron do të jetë presidenti i ardhshëm i Francës forcuan monedhën e përbashkët me rreth 2.5% në dy javët e fundit. /Monitor/