Eurobondi, Shqipëria shpreson të fitojë nga maturimi i borxhit
Qeveria shqiptare është në fazën e përgatitjes së raporteve të prezantimit të Shqipërisë para investitorëve ndërkombëtarë për emetimin e eurobondit prej 300 milionë eurosh, afati i maturimit të të cilit përfundon në nëntor të këtij viti.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pas hartimit të raporteve e përgatitjes së dokumentacionit ligjor, dy bankat e përzgjedhura, “Deutsche Bank” dhe “JP Morgan Chase”, si bashkëudhëheqëse kryesore (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit të eurobondit, do të ftojnë investitorët ndërkombëtarë për të dhënë ofertat në bazë të normës së interesit më të mirë.
Përzgjedhja e "Deutsche Bank" dhe "J.P.Morgan", si udhëheqëse në rinovimin e eurobondit, thanë burimet, rrit garancitë për sukses. Burimet pohojnë se në rast ofertash të favorshme do të konsiderohet edhe zgjerimi i shumës së eurobondit mbi 300 milionë euro.
Në të njëjtën kohë, bënë të ditur burimet, shuma shtesë do të përdoret për të zëvendësuar një pjesë të borxhit publik afatshkurtër, duke rritur maturitetin çka do të çonte edhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë se borxhit publik. Qeveria beson se, përmes rinovimit do të kursejë para për buxhetin.
Borxhi, që 5 vjet më parë u mor me interes 7.5 për qind, do të zëvendësohet me një borxh me interesa dukshëm më të ulëta. Republika e Shqipërisë emetoi eurobondin e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare më 4 nëntor 2010. Obligacioni maturohet në datë 9 nëntor 2015. Ai është emetuar në monedhën euro dhe shuma e emetuar është 300 milionë.