Eurodeputetja Strolenberg flet në protestë: Keni mbështetjen e Europës
Eurodeputetja Ana Strolenberg iu bashkua protestës që është në ditën e 115-të, duke shprehur mbështetjen e saj për kauzën dhe duke i inkurajuar të vijojnë qëndrimin në shesh deri në përfundimin e betejës së tyre. Strolenberg vlerësoi këmbënguljen e qytetarëve dhe e cilësoi qëndrimin e tyre si një mesazh që shkon përtej kufijve të Shqipërisë.
“Ju lumtë për rrugëtimin, ju jeni inspirim. Ju jeni inspirim për të gjithë Europën”, u shpreh eurodeputetja. Ajo tha se ka ardhur në Shqipëri për të parë nga afër situatën dhe për të kuptuar më shumë rreth protestës. “Erdha në Shqipëri për të parë çfarë po ndodh këtu. Kjo është ajo që duhet të bëni. Duhet të mbroni lirinë. Po mbroni natyrën dhe kjo është diçka pozitive”, deklaroi Strolenberg.
Eurodeputetja shprehu dëshirën që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, duke nënvizuar se, sipas saj, qytetarët që protestojnë po japin një mesazh shprese për vendin. “Unë dua që Shqipëria të bëhet pjesë e Unionit. Ne jetojmë në kohëra të vështira. Ju mund të bëni diçka për vendin tuaj. Ju po i jepni shpresë këtij vendi”, tha ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Strolenberg deklaroi se protestuesit kanë mbështetjen dhe solidaritetin europian. “Keni mbështetjen e Europës, të gjithë solidarizohen me ju”, u shpreh eurodeputetja.

