European Democrats reagojnë pas akuzave të Ramës: Dënojmë sulmet ndaj deputetëve, Shqipëria ka rëndësi për Europën
Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe European Democrats lidhur me protestën para Kuvendit ka vijuar edhe këtë të mërkurë. Pas deklaratave të Ramës, i cili akuzoi përfaqësuesit europianë se po heshtin përballë dhunës së ushtruar ndaj një deputeteje socialiste, European Democrats kanë reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetin social X.
Në reagimin e tyre, përfaqësuesit europianë dënojnë qartë dhe pa ekuivok çdo akt dhune ndaj deputetëve. Megjithatë, ata theksojnë se raste të tilla nuk duhet të përdoren si argument për të delegjitimuar protestën dhe të drejtën për të protestuar. European Democrats kanë qenë veçanërisht aktivë në mbështetjen e protestës gjatë ditëve të fundit, duke shprehur publikisht qëndrimin e tyre për zhvillimet politike në Shqipëri.
Postimi i plotë
Shqipëria meriton përgjigje, kryeministër Rama. Jo një tjetër përplasje me ata që bëjnë pyetje legjitime. Kryeministër Rama, dënimi i dhunës ndaj përfaqësuesve të zgjedhur dhe mbrojtja e së drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore nuk janë qëndrime që bien ndesh me njëri-tjetrin. Ne i mbështesim të dyja, qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Asnjë parlamentar nuk duhet të përballet me dhunë apo kërcënim gjatë ushtrimit të mandatit të tij. Ne e dënojmë një sjellje të tillë pa asnjë mëdyshje. Por raste të izoluara dhune nuk mund të përdoren për të diskredituar një lëvizje të tërë proteste, për të hedhur poshtë shqetësimet legjitime apo për të shmangur pyetjet mbi ngjarje të tjera të dokumentuara.
Protestuesit paqësorë nuk duhet të përballen me përdorim të tepruar të forcës, ndalime arbitrare apo forma frikësimi. Edhe pamjet ku persona të paidentifikuar ndërhyjnë ndaj demonstruesve kërkojnë një shpjegim të qartë. Një qeveri që udhëheq një vend drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të jetë e para që kërkon transparencë dhe llogaridhënie të plotë.
Shqipëria nuk është nën sulm. Përkundrazi, Shqipëria ka rëndësi për Europën dhe ne duam ta shohim të suksesshme në rrugën e saj europiane. Pikërisht për këtë arsye, liria e shprehjes, e drejta për tubim paqësor, përgjegjshmëria e policisë dhe shteti i së drejtës janë shqetësime legjitime europiane, jo ndërhyrje të huaja.
Kanë kaluar gati një javë që kur aktivistë shqiptarë, figura të opozitës dhe organizata mediatike panë llogaritë e tyre në rrjetet sociale të bllokuara ose të kufizuara. Ju mohuat çdo përfshirje të qeverisë dhe ne e kemi marrë parasysh këtë deklaratë. Por ajo që ende mungon është i njëjti vendosmëri nga ana juaj për të kërkuar transparencë dhe përgjigje për ata që janë prekur.
Ju reagoni me forcë kur kritikat drejtohen ndaj jush. Ne do të prisnim të njëjtën forcë edhe në mbrojtje të të drejtave të atyre që ju kritikojnë
KOHA JONË SONDAZH

