Europianët specialë… apo rrëfimi për disa gjëra që e bëjnë Kosovën speciale

 

Nga Flaka Surroi

Gëzuar Ditën e Europës! E nëse dikush nuk e ka kuptuar ende se sa ironike mund të jetë jeta, ja shembulli më i mirë: banorët e të vetmit shtet në Europën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë në Europë pa viza, janë njëkohësisht të vetmit që festë zyrtare, me ditë pushimi të paguar, e kanë Ditën e Europës.

Të hënën e gjitha do të vdesë në Kosovë, për shkak se institucionet i dhanë vetes lluftin që ta lidhnin edhe një ditë pushimi pas vikendit. Thuajse punët vërtet shkojnë aq mirë; thuajse të gjithë janë lodhur aq shumë sa e kanë të merituar ditën e pushimit. Nuk e di ideja e kujt ka qenë futja e kësaj dite në kalendarin e festave zyrtare, porse shumë poltron do të ketë qenë. Veç mbase jo boll, sepse nuk ia ka dalë ta bëjë edhe 4 korrikun amerikan festë zyrtare të Kosovës. Shtet eksperiment, shtet special.

Mbase të gjithë pushuesve qeveritarë do të duhej rikujtuar vetëm disa shënime që e pasqyrojnë shtetin tonë të veçantë, që thuajse ka bankrotuar dhe mbijeton falë injeksioneve që i çon diaspora periodikisht: zyrtarisht, papunësia është 35.1% (jozyrtarisht 43% — dhe krejt forja është kush qysh e kalkulon); Evazioni fiskal është 34% (që përkthyer në para i bie diku nja 500 milionë euro në vit); deficiti tregtar është 2,2 miliardë euro, kurse investimet e huaja direkte kanë rënë për 25% (pra janë zvogëluar për një të katërtën – dhe qëllojani pse…).

Qeveria kredimarrëse

Në këto kushte, Kuvendi më shumë pushon sesa që punon, kurse temë më markante e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë këtë javë qe shpërdorimi i veturave zyrtare që tash e mbas duhen të kenë autorizim të posaçëm për të shkuar në Durrës. Pra, u desh të bëhet një storje në KTV për të treguar se ministritë e Kosovës janë pronare të rreth 1 mijë veturave zyrtare – e që të mos dihet pse. Sa për sqarim, në storje nuk janë përfshirë veturat e evidencuara të kuvendeve komunale, të gjyqësisë, të agjencive të pavarura, e të ngjashme – të cilat me gjasë do të jenë po aq. Dhe të cilat, për fat të keq, ecin me para të qytetarëve, kuptohet, të atyre që paguajnë tatime.

Në këtë kontekst, një shënim tjetër skandaloz u paraqit dje nga Instituti GAP, lidhur me shpenzimet për dreka-darka e që u janë ngarkuar buxheteve të ministrive – madje 313 mijë euro ishin shpenzuar nga ministrat e caktuar për “shujta zyrtare” më 2014. Kjo, në kushtet kur supozohet se aktivitetet e ministrive kanë qenë minimale dhe në pritje të formimit të institucioneve gjatë atij gjashtëmuajshi që na i shteri forcat dhe krejt durimin. Ajo që po e dëgjojmë, edhe pse nuk po e shohim ende mjaft, është se ministri i Financave ka vendosur t’ua shtrëngojë rripat ministrave dhe t’iu kufizojë shpenzimet “në minimum” atyre që hobi e kanë udhëtimin zyrtar. Tash, në vend të 100 vetave që shkojnë në Bruksel sa herë që ka takim me serbët, mbase do të shkojnë veç 50, ndër ta edhe njerëzit që duhet të bëjnë foto, e edhe ata që duhet t’ua bëjnë fotot atyre që bëjnë foto. Për të ditur vërtet se sa po kursehet në këta muaj, ministri i Financave do të duhej të dilte publikisht me shënimet se sa ka kushtuar dialogu me Serbinë deri tash (shikuar nga aspekti buxhetor i pagesave për udhëtime zyrtare, se këtë llogarinë tjetër, politike, do ta kalkulojmë e pësojmë në vitet në vijim). Por atë që ky ministër nuk mund ta bëjë është që ta zvogëlojë numrin e ministrive të kota që i ka shteti ynë special – sepse kjo është punë marrëveshjeje politike për t’i akomoduar dostat. Dhe kështu do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme, pa dyshim.

Problem tjetër që ka kjo Qeveri është mungesa e parasë në qarkullim. Sepse, e deshëm ose jo, ndërtimi i rrugëve të shtrenjta vazhdon, dhe paratë e gatshme tashmë janë shpenzuar për rrugën e Shkupit. Për pasojë, Qeveria duhet të marrë kredi për t’i përfunduar projektet që deri tash janë paguar nga buxheti – e të cilën gjë nuk e bën asnjë shtet normal në botë. Kështu, tash Qeveria do të hyjë në lëkurën e kosovarëve të rëndomtë që nuk mund ta lidhin muajin, po të mos ishin kreditë dhe mbitërheqjet e shtrenjta bankare. Dallimi është se mbase këtu do të hyhet me aranzhmane më të volitshme, pra kredi me kamata më të ulëta. Nëse ndodh kjo, atëherë, nëse asgjë tjetër, kosovarëve do t’u shtohet frymëmarrja. Sepse mbase askush nuk e ka kuptuar deri tash se mjaftojnë 50 milionë para të gatshme në qarkullim, që gjërat të nisin të lëvizin. Këto ditë, duket thuajse nuk ka asnjë metelik që mund të dalë nga Thesari, për shkak se në mungesë të parasë, as tatimet s’mund të paguhen.

Fërkimet

Nuk e di nëse ministri Hoti është i inkuadruar në ndonjë formë në çështjen e Gjykatës Speciale, porse atë që po e dëgjojmë ditëve të fundit janë fërkimet e para më serioze të koalicionit, që janë shfaqur rreth këtij trupi të veçantë gjyqësor që ia kemi borxh autogolit të Qeverisë së shkuar.

Çështja e votimit të Gjykatës Speciale nuk po del në parlament për shkak se nuk ka pajtueshmëri për atë se çfarë përmbajtje do të ketë ligji. Sipas kërkesave të Grupit teknik, janë këto çështje që duhet sqaruar: cili do të ishte plani që do të parashikonte procesin e themelimit të Speciales, me vëmendje të veçantë për faktin se duhet ditur periudha kohore e lëshimit të aktakuzave, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur paraprakisht “për menaxhimin e situatës në terren”. Në vijim, është kërkuar që të përcaktohet afati kohor i veprimit të Speciales, pastaj të qartësohet juridiksioni kohor dhe ai lëndor. Çështje të tjera janë edhe që vuajtja e dënimit të kryhet në Kosovë; që arkivat e Gjykatës Speciale të kthehen në Kosovë dhe të menaxhohen nga një autoritet i përshtatshëm kosovar; që selia e Speciales të jetë në Kosovë, por që procedurat e ndjeshme, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve, të mund të mbaheshin jashtë vendit; që viktimave t’u kompensohen dëmet vetëm nga personat e dënuar; që të kenë përparësi dëshmitë e drejtpërdrejta, dhe që afati i përfundimit të mandatit të EULEX-it të mos mund të mbetet peng i përfundimit të mandatit të Speciales.

E këtu, duket se më i madhi problem është pikëvështrimi i dy partive të koalicionit lidhur me mandatin e Speciales: në PDK kërkojnë që kjo gjykatë të trajtojë vetëm pretendimet për krime lufte, të cilat kanë ndodhur ekskluzivisht gjatë periudhës së luftës. Në LDK duan që juridiksioni kohor të shtrihet deri në periudhën e Shpalljes së Pavarësisë dhe që Specialja të trajtojë edhe krimet e karakterit politik.

Se si do t’ia lidhin fijen, nuk e di – porse jam më se e sigurt se dikush do të dalë e t’u bëjë trysni deputetëve që ta votojnë ashtu që të sigurohen 80 votat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës. Përherë me kërcënimin se nëse s’e votojnë, Këshilli i Sigurimit do ta votojë, duke ua dhënë alibinë atyre që mund të ndiqen nga ky Tribunal: se ja, po na e bëjnë një të padrejtë, sepse po na e imponojnë gjyqin, kurse ne jemi të pafajshëm, përderisa viktimat janë fiktive.

Do të mbetet e hapur edhe një çështje – ajo e sigurimit të financimit për mbrojtje juridike personave që mund të jenë subjekt të kësaj gjykate. Para se të shpalleshin zgjedhjet e kaluara, Qeveria Thaçi e pati votuar një projektligj me të cilën shteti obligohej t’ua paguante avokatët të akuzuarve eventualë, duke e shkelur haptazi edhe Kushtetutën e edhe parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Privilegjimi i disave, që me para të majme nga buxheti të marrin avokatë ndërkombëtarë, i vë në situatë të pabarabartë ata që nuk mund t’u qasen këtyre fondeve, por që kanë të drejtë në mbrojtje juridike falas. Pra, krijojmë kategorinë e të akuzuarve specialë me status të veçuar juridik.

Mund të ndodhë që europianët specialë, çfarë jemi ne, të bëhemi me Gjykatë Speciale brenda dy javësh. Pa nevojë, sepse është dashur ta kishim krijuar gjykatën tonë për krime lufte qysh në ditën kur shpallëm Pavarësinë – për ta spastruar të kaluarën, e cila po del se ka shumë fshehtësi dhe boll papastërti në të. E sa u përket krimeve politike, mostrajtimi i tyre u bie në barrë të gjithëve, pra edhe LDK-së, që me vite e pati pushtetin në dorë. Se përse kujt nuk i interesoi të merrej me këto raste gjatë gjithë pesëmbëdhjetëvjetëshit të shkuar – do të duhej të ishte çështje e një diskutimi të thellë të brendshëm të anëtarësive të partive politike. Dhe bazë për reformë të brendshme të atyre që tashmë sa nuk janë shndërruar në fosile politike.

Shembulli i Britanisë

Britania votoi të enjten. Në ditë pune. Mbase s’do të ishte e keqe që edhe ne ta bëjmë të njëjtën gjë, sepse neve specialëve do të na ishte dashur edhe një ditë pushimi shtesë, nominalisht çdo katër vjet. Nejse. Votuan rreth 46 milionë njerëz. Rezultatet u kuptuan të premten. Fituesi i qartë dhe tre humbës të qartë. Këta të fundit, tre liderë partish të dështuara në zgjedhje, dhanë dorëheqje të menjëhershme. Shembull përgjegjësie dhe përgjegjshmërie që te ne ka ndodhur një herë të vetme që nga fundi i luftës. Për liderët e këtyre tri partive është e qartë se ata janë pengesa kryesore e ndryshimeve konceptuale dhe brendapartiake, të cilat duhet t’i sjellin njerëzit e rinj, me energji të re. Me shembullin personal, tregojnë se ndryshimi, i cili mund të vijë nga baza, duhet të ketë hapësirë për të depërtuar në majë. Për të sjellë një të re, që do të jetë më e mirë për të gjithë, përshirë edhe shtetin.

Është porosi shumë përmbajtjesore për liderët e partive tona të lodhëta politike. Ndryshimet si në qasje ashtu edhe në politikë nuk do të ndodhin me njerëz të vjetër (dhe jo në kuptimin e moshës) që riciklohen vit pas viti, konventë pas konvente. Nuk do të ndodhin përderisa interesi personal i liderëve dhe liderthëve është prioriteti i parë në axhendën e tyre politike. Dhe nuk do të ndodhin përderisa nuk do të zgjedhin as mjete e as mënyra për ta mbajtur pushtetin, të vetëdijshëm se e çojnë në vetëvrasje kolektive një shtet të europianëve specialë çfarë jemi ne.

Pse duhet rishpikur rrota, kur këtë tashmë e kanë bërë të tjerët që janë shtete me shekuj. Mbase edhe ata kanë vjedhur, porse s’i kanë fundosur shtetet e tyre qysh në dekadën e parë të shtetësisë. Edhe për këtë jemi të veçantë. Europianë specialë.

Marrë nga “Koha Ditore”

SHKARKO APP