Eurozona dakord për ta ndihmuar sërish Greqinë
Nuk do të ketë 'Grexit', por Greqia duhet të miratojë deri të mërkurën reformat e kërkuara nga eurozona.
Udhëheqësit e eurozonës arritën pas një maratone bisedimesh një marrëveshje unanime për një plan të tretë ndihme financiare për Greqinë. Kryetari i BE-së Donald Tusk tha se udhëheqësit kanë rënë dakord "në parim" për negociata për shpëtimin e Greqisë "që me fjalë të tjera do të thotë mbështetje e vazhdueshme për Greqinë". "Nuk do të ketë 'Grexit'," tha kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke iu referuar frikës se Greqia mund të largohej nga eurozona. Greqia tani do të duhet të miratojë deri të mërkurën reformat e kërkuara nga eurozona.
Ristrukturimi i borxhit
Kryeministri grek Aleksis Tsipras u tha gazetarëve se Greqia ishte përballur me një "betejë të ashpër" gjatë së cilës fitoi ristrukturimin e borxhit, dhe i dërgoi një mesazh dinjiteti të gjithë Evropës. "Marrëveshja është e vështirë, por ne arritën të shmangim synimin për nxjerrjen e pasurive shtetërore jashtë vendit," tha ai. "Ne e shmangëm planin për një mbytje financiare dhe për rrënimin e sistemit bankar."
Jeroen Dijsselbloem, kreu i grupit të ministrave të Financave të eurozonës, tha se marrëveshja përfshin një fond prej 50 miliardë eurosh të bazuar në asetet e Greqisë, 25 miliardë prej të cilave do të përdoren për të rikapitalizuar bankat greke. Tani mbetet që parlamentet e një sërë shtetesh të eurozonës ta miratojnë programin e ri të ndihmave.
Rrugë e vështirë
"Rruga do të jetë e gjatë dhe duke gjykuar nga negociatat e tanishme, e vështirë," tha të hënën në mëngjes kancelarja gjermane Angela Merkel.
Udhëheqësit e eurozonës biseduan në Bruksel për rreth 17 orë dhe bisedime vazhduan madje edhe gjatë natës.
Gjatë natës, reporterët njoftuan se Greqia kishte ngulur këmbë në lidhje me rolin e propozuar në programin e ri të ndihmës për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dhe mbi fondin e bazuar në asetet greke.