Evazioni me celularët: 7.5 milionë euro dëm në vit

 

Ministria e Financave planifikon të zhvillojë një betejë të ashpër ndaj informalitetit në tregun e aparateve celulare pasi përllogaritjet tregojnë se evazioni në këtë sektor është më së paku 7.5 milionë euro në një vit fiskal.

Vetëm për vitin 2014, rezultojnë të jenë zhdoganuar rreth 140 mijë aparate celulare dhe po gjatë këtij viti kalendarik, janë aktivizuar rreth 1 milion numra në sistemin e telefonisë së lëvizshme tek të katër operatorët së bashku.

Duke marrë në konsideratë kohëmbajtjen mesatare (nga 15 muaj në maksimumi 2 vjet), duke iu referuar trendit më të zakonshëm të konsumatorit ndaj këtij produkti për çdo ndërrim operatori apo numri, duke marrë në konsideratë edhe faktorin reduktues të ‘port-in’ (i njëjti numër, i njëjti aparat, operator i ri), jo më pak se gjysma e këtyre aktivizimeve janë realizuar me aparate të rinj celularë. Fakt i cili, i përkthyer në shifra, nënkupton se janë jo më pak se 500 mijë aparate të reja vetëm gjatë vitit, vlerëson Ministria e Financave në një raport për buxhetin që shoqëron projektbuxhetin 2016.

Diferenca në sasi përllogaritet të jetë +278% mbi shifrën e deklaruar jashtë sistemit fiskal, d.m.th., me shmangie detyrimesh.

Ministria e Financave vlerëson se, nëse çmimi mesatar i një aparati vërtitet sot tek rreth 15 mijë lekë për njësi, shuma e TVSh së munguar për copë përllogaritet 3 mijë lekë.

Dhe e shpërndarë për të gjithë sasinë e përllogaritur si të munguar nga deklarimi (rreth 350 mijë), rezulton një dëm ekonomik vetëm për TVSH e munguar gjatë 2014 për rreth mbi 1 miliardë lekë, ose 7,5 milionë euro.

Kjo vlerë e munguar vetëm për TVSH, dhe pa marrë në konsideratë vlerën e detyrimit doganor, e cila do të rriste edhe më tej totalin e shmangur dhe të munguar nga buxheti i shtetit në një vit të vetëm.

SHKARKO APP