Favorizohen zonat ekonomike, përjashtim nga taksat në 5 vjet
Rriten lehtësitë fiskale për të ashtuquajturat “zona ekonomike”. Kështu, përmes një projektligji të posaçëm, qeveria aktuale favorizon të gjitha zonat ku do të bazohet aktiviteti ekonomik dhe industril i vendit, duke i hequr taksa të veçanta për një periudhë të caktuar. Kujtojmë se ky në fakt, ka qenë një projekt i nisur që para disa vitesh, si një projekt që do të nxiste investimet dhe aktivitetin ekonomik në vend, por që mesa duket, ndërtimi i një rrjeti zonash ekonomike mbeti thjesht në letër. Konkretisht, në periudhën e viteve 2008-2009, ish-qeveria e djathtë miratoi 9 zona ekonomike, prej të cilave 8 parqe industriale dhe një zonë të lirë. Por për një sërë problemesh, nga pronësia mbi tokën dhe deri tek mosndërtimi i infrastrukturës, asnjëra prej tyre nuk arriti të ndërtohej. E mesa duket, qeveria e re e së majtës, duket se i është rikthyer sërish projektit. Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një projekligj, i cili rrit lehtësitë fiskale në zonat ekonomike. Sipas draftit në fjalë, në rastin e zonave të lira, të cilat ndërtohen nga privatët, bizneset ndërtuese, por edhe ato kompani që do e zhvendosin aktivitetin aty, do të përjashtohen 5 vjet nga pagesa e tatim-fitimit. Në të njëjtën kohë për 5-vjeçarin e dytë, masa e tatim-fitimit që do të paguajnë do të jetë vetëm sa 50 për qind e normës ligjore. Paralelisht, çdo mall jo shqiptar që tregtohet apo përpunohet në këto ambiente, do të jetë i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe taksat e tjera indirekte. Ndërsa lidhur me kategorinë e dytë, pikërisht ajo e zonave zhvillimore të biznesit, dikur të njohura si parqe industriale, qeveria përcakton se nuk do t'i ketë këto lehtësira. Kjo pasi zonat zhvillimore të biznesit, ndryshe nga zonat e lira, ndërtohen nga vetë shteti me paratë e buxhetit. Por për këtë kategori do të ketë të tjera lehtësira, si ajo e përjashtimit të TVSH-së për lëndët e para, heqja e taksës së infrastrukturës, por edhe ajo e pasurive të paluajtshme për 5 vitet e para. Kujtojmë ndërkaq, se Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta në rajon, që nuk ka ende zona të privilegjuara biznesi. Teksa vendet përreth saj, si Kroacia, Maqedonia, Turqia dhe Sllovenia kanë disa të tilla. Ndërsa lehtësirat fiskale në projektligjin e ri të qeverisë, janë një nxitje për ngritjen e tyre.
ZONË EKONOMIKE
Eshtë një territor që ka një status të veçantë ekonomik, që mund të jetë zonë e lirë ose zonë zhvillimore për biznes, si një territor i ndarë, në përputhje me një plan të përgjithshëm, i pajisur me infrastrukturën e nevojshme si rrugë, shërbime transporti dhe publike, me ose pa ndërtesa industriale, të ngritura paraprakisht e të destinuara për veprimtari prodhuese, për zhvillim industrial, të tregtimit dhe të shërbimeve.
LICENCIMI
Asnjë person juridik nuk mund të ndërtojë, të zhvillojë, të vërë në funksionim ose të drejtojë një zonë ekonomike pa licencën e zhvilluesit, të lëshuar nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj.
RASTET
Zona ekonomike
në truall shtetëror
Në rastin kur trualli ose pasuritë e tjera
të paluajtshme janë pronë shtetërore:
a)kandidati zhvillues i nënshtrohet procedurës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b)zhvilluesi merr në përdorim truallin ose pasuritë e tjera të paluajtshme, për një periudhë kohore dhe gëzon të drejtën e dhënies me nënqira të përdoruesit.
NENI 7
Format e bashkëpunimit për
zhvillimin e zonave ekonomike:
1.Zhvilluesi është shteti, i cili merr përsipër ndërtimin e infrastrukturës brenda zonës dhe ndërlidhjen e saj me infrastrukturën e jashtme.
2.Zhvilluesi është një subjekt privat dhe shteti i jep akses në infrastrukturën e ofruar përreth zonës ekonomike, deri në kufijtë e zonës.
3.Zhvilluesi është një subjekt privat dhe shteti. Ndërtimi i infrastrukturës brenda zonës dhe ndërlidhja e saj me infrastrukturën e jashtme bëhet me bashkëpunimin ndërmjet subjektit privat dhe shtetit.”.
NENI 13
Përjashtimet nga detyrimet
doganore dhe/ose tatimore:
Zonat ekonomike, me statusin e zonës
së lirë, përfitojnë lehtësitë e mëposhtme:
a)Mallrat joshqiptare, që hyjnë në zonën e lirë nga subjektet vendase ose të huaja, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar;
b)Përjashtimi nga detyrimet doganore e tatimore, fillon nga çasti i hyrjes së mallit në zonën e lirë;
c)Zhvilluesi, përdoruesi dhe operatori, që fillojnë aktivitetin në zonën e lirë, përjashtohen nga pagesa e tatimfitimit për një periudhë 5-vjeçare dhe 50% të normës së tatimfitimit për 5 vitet pasardhëse.
Zonat ekonomike, si zona zhvillimore për
biznes, përfitojnë lehtësitë e mëposhtme:
a)Furnizimi me lëndë të parë, për ndërtimin e infrastrukturës së kësaj zone, është i përjashtuar nga pagesa e TVSH-së;
b)Makineritë dhe pajisjet, në funksion të realizimit të investimeve në këto zona, përjashtohen nga TVSH-ja, kur plotësojnë kushtet e parashikuara në legjislacionin për TVSH-në;
c)Projekti i zhvilluesit të zonës zhvillimore të biznesit përjashtohet nga taksa e infrastrukturës;
ç)Ndërtimet e realizuara në këtë zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga detyrimet e pasurive të paluajtshme për një periudhë 5- vjeçare.