‘Feja’ që na propozon Kryeministri dhe ‘shqiptaria’ e së majtës
Nga Alfred Lela/Bojën dhe letrën më të shumtë të debatit publik të javës që po shkon, e ka kërkuar një ide e kryeministrit Rama për futjen në kurrikulat shkollore të një lënde për fetë. Një vështrim mbi historinë e feve, për të qenë më i saktë. Ajo që në Perëndim njihet si religious studies (studime fesh).
Mund t’i kuptoni dhe mund t’i keni ndjekur pro-të dhe kundrat. Ndër to dua të veçoj një shkrim, i cili në thelbin e vet është edhe qëndrimi më i fortë; pa qenë ‘pro’ dhe pa qenë ‘kundër’, por të dyja bashkë në të njëjtën kohë. Është fjala për shkrimin e Aurel Plasarit, një studiuesi të fortë e të hollë njëherësh. Teza e tij e përmbledhur ishte kjo: Po; por…kush dhe çfarë?
Që do të thotë, me fjalët e mia, nuk ka asnjë rrezik që në kurrikulat shkollore të jetë një lëndë për fetë, sa kohë që hartuesit e teksteve janë autoritete të dijes, dhe sa kohë këto tekste mbajnë/ interpretojnë edhe kontekstet shqiptare. Gjithaq e rëndësishme, vazhdon Plasari, është ajo se kush i transmeton këto njohuri. Profesori, sigurisht, i afrohet debatit nga pozitat e një laiku, por një të tilli që e sheh fenë si pjesë të historisë dhe jo si antihistori.
Kjo sa për të thënë se nga anon ‘po-ja’ ime modeste në këtë debat publik, dhe për të vazhduar me do qëmtime të tjera që marrin në konsideratë edhe templarët e jo-së. E para gjë që mund të thuhet është se debati u pa, u përcoll dhe u interpretua edhe si skajim i politikes. Pra, si një ekzigjencë elektorale e kryeministrit Rama, e cila do t’i mundësonte atij një ngrohje me qarqet konservatore e fetare, të cilat nuk e kanë pasur ndonjëherë me sy të mirë. Për të mos thënë mezi e kanë duruar halën e gjatë të siluetës së tij, e cila është shfaqur ndonjëherë, edhe cullak, siç e ka bërë Zoti.
Një pëshpëritje e dytë lidhej me dyshimin se Rama, edhe njëherë si ngaherë, nuk e kish më shumë dhe as më seriozisht se një teknikë të PR-it të tij; mulli mokra e të cilit bluan më shumë se të gjitha fabrikat e çimentos së Shqipërisë së Mesme. Fakti që ai e futi tezën e Tiranës edhe në turin e Washington-it, dëshmoi të kundërtën.
Nuk janë, megjithatë, këta lloj dyshuesish dhe kundërshtuesish, ata që i hynë me zulmë idesë së Kryeministrit, duke i formuluar anti-idenë. Mund të thuhet se ata shkonin e vijnë nga qarqe, qofshin akademike, mediatike e të tjera, që i përkasin një shkolle të majtë të mendimit dhe qëndrimit. E cila dallohet nga ateizmi, më shumë se nga laicizmi, një lloj qëndrimi akut dhe asket që ende e sheh fenë si ‘zakon prapanik’ apo ‘opium për popullin’. Një shenjë e tyre është te shkrimi (i pashenjtë): Fjalën Zot (mos-o-Zot!) s’e nisin me Z të madhe, por veç me të vogël. Faj të mos u vihet, por as besë të mos u zihet. I përkasin një brezi që ose ka vënë dorë, ose e ka parë me sy terrorin shtetëror komunist të prishjes së kishave, xhamive, teqeve e të shenjave të tjera të fesë. Më vonë janë nginjur edhe më në dogmën e antifesë, duke parë filmat e Kinostudios, ku prifti ishte reaksionari me shikim gjarpri, e hoxha një leshko me shumë lesh në fytyrë.
Qëndrimi i tyre nuk është sall një pozicionim intelektual, e asgjë më shumë, e hajt mos kij dert! Te barrikada e tyre jakobine, ngritur me nxitim mbi një Index Prohibitorium të fetares, (duke imituar kështu bash atë që qortojnë), do të gjeni jo vetëm rrangallat e revolucioneve kulturore të ‘dy luanëve të botës’, Maos e Enverit, por edhe rrezikun që ata gjejnë te tradita. Doemos, te një traditë që nuk fillon në vitin 1945.
Feja, pra, me të mirat e të këqijat, të bardhat e të zezat, është pjesë e kësaj tradite. Ngulmimi i profesor Plasarit këtu ndoshta shtrihet: që kjo të shkruhet e të thuhet. Ajo që shkruhet e thuhet është tradita, apo jo? Tash, mblidhuni e bëjeni zemrën gur në këtë pranim: Ne shqiptarët nuk jemi burra të traditës. Fort na kandet, kur na vjen radha e na jepet mundësia, ta djegim e shthurim çdo gjë që ka qenë para nesh. Sikur kurrë të mos kish qenë.
Te pranim/mospranimi i traditës fillon një prej ndarjeve të mëdha të së djathtës me të majtën. Jo këtu te ne, se ndoshta as e kanë përfillur ende në mend këtë ide. Por në botë. Këtu ndahej Edmund Burke me Thomas Paine-in e ideologë të tjerë që mbështetën jakobinizmin e Revolucionit Francez. Nëse bëni një listë të kundërshtarëve të futjes së mësimit të njohurive fetare në shkolla do të gjeni se janë të së majtës. Fakti që i kundërvihen idesë së një Kryeministri nominalisht të tillë, nuk përbën paradoks: Ata janë gati të ndërrojnë luajalitetet politike kur u cenohet dogma ideologjike. Kjo dogmë, e fshehur mirë pas formulimeve të laikes, sekulares, shkencores, racionales, si Hirushja pas një këmbe të vogël e të varfër, është në luftë me traditën. Futja e një lënde për fetë në shkollë do t’u mësojë shqiptarëve të së ardhmes, se në mesin e shekullit XX, në vendin e tyre jetonte një elitë udhëheqëse që u vuri kazmën e zjarrin strehëve të besimit; torturoi, ekzekutoi, e burgosi klerikë; shpalli veten Zotvrasëse.
Të djathtët duhet të ruhen nga sindromi i kundërt: të dalin kundër ideve të tyre, ndër të cilat Zoti dhe tradita janë qendrore, sa për të nxjerrë një inat politik me Kryeministrin. Ai mund të jetë përbindëshi, por te këmbët na ka hedhur një mundësi dhe gjasë të traditës. MAPO