Ferit Hoxha takon komandantin e KFOR-it: Shqipëria mbështet rolin e NATO-s për sigurinë në Kosovë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me komandantin e misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Özkan Ulutaş, ku vlerësoi kontributin e forcës së NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha shprehu vlerësimin e Shqipërisë për angazhimin e KFOR-it, duke e cilësuar misionin si një faktor kyç në garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Sipas kryediplomatit shqiptar, KFOR-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e sfidave të sigurisë ndër vite, veçanërisht në veriun e Kosovës, duke kontribuar në krijimin e kushteve për dialog, funksionimin institucional dhe paqen afatgjatë.
Hoxha vuri në dukje gjithashtu kontributin e vendeve pjesëmarrëse në misionin e NATO-s, duke falënderuar trupat për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në garantimin e një ambienti të sigurt.
Në deklaratën e tij, ministri ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s për të mbështetur përpjekjet e Aleancës në rajon, ndërsa nënvizoi se Tirana vijon të kontribuojë në KFOR me një kontingjent ushtarak.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe afrimin gradual të saj me standardet e NATO-s, duke e konsideruar sigurinë e Kosovës të lidhur ngushtë me stabilitetin e rajonit dhe interesat strategjike të Shqipërisë.
Sipas Hoxhës, krahas pranisë së vazhdueshme të KFOR-it, forcimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe rritja e kapaciteteve të tyre në koordinim me NATO-n mbeten elemente kyçe për garantimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
KOHA JONË SONDAZH

