Fierza në krizë hidrike, KESH vijon të blejë energji
Hidrocentrali më i madh në vend, ai i Fierzës, aktualisht është duke prodhuar energji vetëm me një nga katër turbinat e tij. Vendimi lidhet me ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi niveli i ujit në liqenin artificial po i afrohet pikës kritike të njohur si “pika e vdekjes”, e cila është 242 metra mbi nivelin e detit.
Sipas të dhënave zyrtare, prurjet nga dy degët kryesore të Drinit, i Bardhë dhe i Zi, janë minimale – jo më shumë se 30 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka zbritur në kuotën 264.93 metra, nga maksimumi prej 296.5 metrash.
Kombinimi i temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve ka reduktuar ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Liqeni i Fierzës po tkurret dita-ditës, ndërsa rritja e konsumit e ka vënë në vështirësi gjithë kaskadën e Drinit.
Për të menaxhuar situatën, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po alternon prodhimin mes hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërkohë që ka qenë e detyruar të mbështetet te importi. Vetëm në periudhën 15–21 shtator, KESH bleu 72.236 megavat-orë energji për të plotësuar kërkesën dhe kompensuar prodhimin e munguar për shkak të thatësirës.
KOHA JONË SONDAZH

