Figurë jopolitike? Spahia: Çështja është a do të ketë zgjedhje të lira në Tiranë
Për garën në Tiranë, deputeti demokrat Bardh Spahia thotë se selia blu është i hapur për një kandidat nga jashtë politikës, por më mirë, sipas tij, do të ishte një kandidat brenda politikës që ka dhënë kontribut të denjë dhe angazhim publik. Por çështja thelbësore sipas deputetit demokrat, nuk është emri i kandidatit të opozitës, por domosdoshmëria e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai akuzon kreun e qeverisë dhe e quan atë armik të zgjedhjeve të lira.
”Për PD nuk kanë qenë kurrë problem asetet apo burimet njerëzore. Çështja është te modeli që ka zgjedhur PD në konsultim me aleatët e opozitës që të vendosen disa kritere që duhet të plotësojë një kandidat që të jetë i përshtatshëm për garën e ardhshme. Ka qenë një proces interesant që synon përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Tiranës. Unë nuk jam për të zgjedhur medoemos një kandidat jashtë politikës, por nga ana tjetër nuk jam as për mbylljen brenda politikës.
Prandaj i konsideroj të nevojshme dhe interesante edhe diskutimet me aleatët për të dëgjuar sugjerimet e tyre nësë do ketë sugjerime për kandidatë apo emra që plotësojnë kushtet për të përfaqësuar opozitën shqiptare në këto zgjedhje, pse jo. Nuk e kam atë parimin që duhet të jetë medoemos jashtë politikës. Përkundrazi po ta gjejmë brenda politikës akoma më mirë. Janë pafund figura që kanë treguar në kontributin e tyre publik se janë të afta e të denja për të marrë mbi shpatulla një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe si drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Eksperienca politike e administrative do të ishte plus”,-tha në ”A2cnn”.
KOHA JONË SONDAZH

