Financat: Shkurtimet në administratë, disa funksione u kalojnë vendorëve
Ministria e Financave sqaroi sot se shkurtimet në administratë kanë të bëjnë me reformën territoriale-administrative që u ndërmor në vitin 2015.
Kështu, duke reaguar lidhur me lajmin për shkurtime të mëdha në administratën publike, ministria e Financave sqaron se buxheti vendor i vitit 2016 është buxheti i fillimit të zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale.
“Funksionet si menaxhimi i ujitjes dhe kullimit, arsimi parashkollor dhe parauniversitar, administrimi i pyjeve dhe kullotave, shërbimi zjarrfikës të cilat ishin në ministri të ndryshme deri në fund të këtij viti fiskal, në buxhetin e vitit 2016, do të jenë funksione të transferuara në 61 bashkitë e vendit. Funksionet e reja të qeverisjes vendore do të forcojnë rolin e bashkive në zhvillimin e qëndrueshëm vendor. Si rrjedhojë bashkitë do të kenë 7.5 miliardë lekë më shumë se një vit më parë”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Më konkretisht, lidhur me transferimin e personelit edukativ dhe mbështetës në arsimin parashkollor, dhe personelit mbështetës në arsimin parauniversitar, sipas MF-së, fondi total i shpenzimeve të personelit (paga dhe sigurime), i cili i transferohet 61 bashkive është në vlerën 4,302,692 mijë lekë. Numri i punonjësve të cilët transferohen nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve te 61 bashkitë është 7101.
Lidhur me transferimin e funksionit të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (PMNZSH), F shprehet se fondi total (paga, sigurime + mallra shërbime), për funksionin e PMNZSH që transferohet në njësitë e qeverisjes vendore, është 635,874 mijë lekë. Numri i punonjësve për shërbimin zjarrfikës të cilët transferohen nga Ministria e Brendshme në bashkitë përkatëse është 739.
Sa i përket transferimit të funksionit të administrimit të pyjeve, dikasteri i Financave publike sqaron se fondi total i shpenzimeve ( paga, sigurime + mallra shërbime), për funksionin e administrimit të pyjeve nga bashkitë është në vlerën 105,468 mijë lekë. Ndërsa numri i punonjësve të cilët transferohen nga Ministria e Mjedisit në bashkitë përkatëse është 172.
Gjithashtu, në lidhje me transferimin e funksionit të ujitjes dhe kullimit te bashkitë, për kanalet ujitëse në sektorin e bujqësisë, për vitin 2016 do të akordohet fondi për investime në vlerën 2,450 000 mijë lekë.