Fish City zbukuron Elbasanin në prag të festave, një skenë e re – Momentet e “Allishverish 2” në foto
Nga Ilir Demalia
Në prag të festave të fundvitit, “Fish City” sjell në Elbasan një skenë të re, duke e transformuar hapësirën urbane dhe jetën kulturore të qytetit. Restorantet e këtij rrjeti tashmë nuk janë thjesht vende për të ngrënë; ato janë skena arti, ambiente kulture dhe galeri ku ironia dhe sarkazma shërbejnë si pasqyrë sociale për një mentalitet të vjetër allishverishesh e tallavash, që shpesh zëvendëson punën dhe të vërtetën me komoditetin e lehtë të anadollakllëkut.

Në këtë koncept unik, peshkatari dhe sipërmarrësi Gjergj Luca – njeriu që brandin e tij “Rozafa – Made in Albania” e ka çuar nga Spanja në Skandinavi e deri në SHBA – ka kthyer një godinë të braktisur në rrugën “28 Nëntori”, rrugën e Pavarësisë në zemër të Elbasanit, në një kartolinë të mrekullueshme qyteti.
“Allishverish 2”, pas suksesit të parë në Tiranë, do të sjellë po ashtu sushin e parë për qytetin e Elbasanit, duke i dhënë dimension të ri gastronomik dhe kulturor zonës.

Ndryshe nga shumë sipërmarrës që synojnë pronat bregdetare për t’i betonizuar e për të zhdukur hijeshinë natyrore të vendit, Gjergj Luca ka zgjedhur të krijojë jetë pikërisht atje ku më parë kishte vetëm boshësi. Vizionari që i shmanget shkatërrimit, e qëllon të ringjallë zona të vdekura, i kthen ato në hapësira që i shërbejnë komunitetit dhe ekonomisë lokale.
Pasioni i tij për punën buron nga dashuria për të bukurën dhe për vendin. Arti në biznes është pjesë e ADN-së së tij. Bir i artistëve të mëdhenj Mimika Luca dhe ikonës së teatrit e filmit, Ndrek Luca, i rritur mes skenave të Teatrit Kombëtar dhe shesheve të xhirimit, ai natyrshëm u drejtua drejt Akademisë së Arteve për regjizurë dhe aktrim.

Përmbysjet e vitit 1990 e detyruan të linte mënjanë diplomën dhe të niste punët më të vështira: nga shofer taksie, te peshkatar me një barkë të vogël, e më pas te restoranti i parë i peshkut te 9-katëshet në Tiranë – aty ku sot ndodhet “Allishverish”. Më tej erdhën “Fish City” në Elbasan, Maliq dhe projekte të tjera që i dhanë emër në të gjithë vendin.
Asgjë nuk ia fali askush. Çdo gur i vendosur është rezultat i punës, i raportit me të vërtetën dhe i kurajos për t’u përballur me vështirësitë.
Pozitiviteti, vizioni dhe dashuria për të bukurën janë motori që e shtyn Lucas të krijojë, të ndërtojë e të mos ndalet. Gërrnetave të tallavasë ai u përgjigjet me art, kulturë dhe ironi; jo me fjalë, por me vepra që mbeten dhe i shërbejnë komunitetit.

Sikur vendi të kishte më shumë njerëz si Gjergj Luca – dhe më pak mentalitet allishverishesh – Shqipëria padyshim do të ishte më e bukur, më e zhvilluar dhe më e hapur ndaj së ardhmes.











KOHA JONË SONDAZH

