“Fitore e Pirros” për Serbinë

 

Nga Shkëlzen Maliqi

Rezultati i votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO është për keqardhje. Por, nëse shikohet si tendencë dhe distancë tejet e ngushtë në vota, e cila ka mundur edhe të përmbysej, nuk do të duhej të ishte aspak zhgënjyese – përkundrazi, është një e arritur inkurajuese.

Një reflektim i raportit të forcave dhe numrave tregon qartë se Serbia ka arritur një Fitore të Pirros. Është e vërtetë se ajo arriti ta pengojë sigurimin e 2/3 të votave për anëtarësim të Kosovës, por në raportin përkrahës ngec pas Kosovës plot 50 vota (92 për Kosovën, 42 për Serbinë!).

Dhe nëse kihen parasysh edhe 27 vende që abstenuan – që vërtet nuk ishin për Kosovën, por as për Serbinë – kjo e fundit del se nuk përkrahet nga 119 vende, shifër kjo që nëse ia shtojmë edhe SHBA-të është 120! (Sqarim për SHBA-të: ky shtet superfuqi loboi fuqishëm në favor të Kosovës, por për shkak të një rrethane incidentale kësaj here nuk e kishte të drejtën e votës. Që disa vite, prejse në UNESCO është pranuar Palestina, SHBA-të nuk e paguajnë kontributin e anëtarësisë, që përndryshe ka qenë më i larti në UNESCO, por është dhe kusht i të drejtës për votim në Asamblenë e përgjithshme të kësaj organizate!).

 

Raund i humbur për Kosovën, por që izolon tutje Serbinë

Serbia, duke siguruar vetëm 42 vota dhe duke mos qenë e përkrahur nga 120 vende të botës, ka arritur rezultatin katastrofal për një shtet që pavarësinë e ka siguruar në shekullin 19, pra që është prezente një shekull e gjysmë në arenën ndërkombëtare, krahas Kosovës që ka vetëm 8 vjet pavarësi!

Për më shumë, këto 42 vota dhe një pjesë të abstenimeve, Serbia nuk i ka siguruar me reputacion dhe ndikimin vetanak, por falë përkrahjes së Rusisë.

Kuptohet, edhe për Kosovën mund të thuhet se nuk do ta kishte përkrahjen që e ka pa lobimin e SHBA-ve dhe disa superfuqive tjera, por me gjithë këto lobime pozita e Kosovës – edhe si humbëse relative – megjithatë del se është superiore. Në këtë aspekt, Serbia mezi e ka përkrahjen e ¼ të botës, ndërkaq Kosova e ka me vete, ose nuk e kundërshtojnë ¾ e botës (anëtarësimi në UNESCO dhe votat e Asamblesë së saj pak a shumë pasqyrojnë konfiguracionin aktual të shteteve në botë).

Dikush mund të thotë, e në Kosovë po del se ka dashakeqës të tillë, se këto numërime dhe raporte nuk mund të mbulojnë “turpin e dështimit”, sepse paska qenë i kotë dhe i padobishëm gjithë ai dialog me Serbinë, e edhe marrëveshjet e arritura, duke përfshirë këtu edhe përkrahjen e BE-së dhe SHBA-ve, ngase Serbia në instancën e fundit e realizoi qëllimin e vet.

Por, nuk është ashtu.

Nuk ka vend për komente dashakeqe, sepse ky rezultat i arritur nuk është i natyrës përfundimtare, por vetëm një raund i humbur i një beteje me rregulla të vështira, ku nga Kosova kërkohej që t’i fitonte 2/3 e votave, kurse kundërshtarit i mjaftonin 1/3.

UNESCO do ta ketë edhe raundin tjetër, edhe një tjetër nëse ka nevojë, kur do të jetë më e lehtë për Kosovën të lobojë për disa përkrahje shtesë, sesa që Serbia ta përmbys figurën e të qenit një shtet që gjithnjë e më shumë po izolohet nga bota dhe aktualisht nuk përkrahet veçse më së shumti nga ¼ e shteteve!

 

Fushata dinjitoze e ekipit të Kosovës

Andaj duhet ta kemi një qëndrim të fortë falënderues për të gjithë ata që kanë kontribuar në fushatën për UNESCO, ku Kosova ishte aq afër anëtarësimit sa që për herën tjetër ka shpresa reale për sukses të plotë!

Sidomos do ta veçoja ekipin e rinjve të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, i cili disa muaj është angazhuar për anëtarësimin në UNESCO me shumë vullnet , punë të palodhshme dhe fushatë kreative dhe inspiruese.

Kuptohet, kanë kontribuar edhe Ministri dhe politikanët tjerë që janë angazhuar për lobim, por mendoj se për sharmin dhe freskinë e fushatës, që ka pasur jehonë të madhe në rrjetet sociale dhe në opinion, merita duhet t’i jepet të rinjve që atë e dizajnuan në formatet dhe përmbajtjet pozitive, pa ofenduar dhe akuzuar askënd, me një qasje thellësisht kulturore dhe dinjitoze, çfarë edhe i përshtatej profilit dhe misionit të UNESCO-s.

Për kontrast, duhet të shihet se çfarë ka qenë kundërfushata negative e Serbisë, e ngarkuar me pohime raciste për Kosovën dhe shqiptarët! Tek kjo unë e shoh një fitore edhe më të thellë të Kosovës ndaj gjuhës së poshtërimit që vinte nga Serbia, e cila pretendon se për nga qytetërimi dhe kultura është superiore ndaj nesh, ndërkaq nuk përmbahej fare nga gjuha e urrejtjes dhe krahasimet barbare.

Është e qartë, siç kanë konstatuar shumë instanca zyrtare edhe tek ne, edhe në Europë, por edhe në qarqet e Serbisë që ia duan të mirën vendit të tyre, se Serbia me këtë Fitore të Pirros ia ka vështirësuar vetes daljen nga një pozitë skizofrenike pasi dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së, ndërkaq nga ana tjetër po e trashë varësinë nga Rusia, e cila e do Serbinë jashtë BE-së.

Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO po kështu është në kundërshtim edhe me zotimin e Serbisë se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo mund të shkaktojë zhgënjim dhe vonesa dëmtuese në negociatat për anëtarësim në BE, për të cilat Serbia tashmë e ka siguruar dritën e gjelbër, por që si kapitull të parë të negociatave duhet të merret me normalizimin e raporteve me Kosovën, për çka tani vet e ka ndezur dritën e kuqe.

 

Kush i gëzohet “dështimit”?

Forcat politike në Kosovë që i gëzohen një konsekuence të tillë, se zhvillimet rreth UNESCO-s do të mund ta sjellin dështimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, dhe në përgjithësi edhe të gjitha negociatave të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara dhe Perëndimi (nga Rambujeja deri te Plani i Ahtisaarit dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës), tregohen tejet miope në vlerësimin e pasojave të rikthimit të çështjes së Kosovës në një status zero.

Jo vetëm pse kjo objektivisht nuk është e mundshme, për shkak se Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, por edhe se kjo qasje nuk ka aspak konsiderata ndaj raportit të forcave në strukturën e rendit aktual botëror.

Kjo strukturë ka ndikuar edhe në votimin për anëtarësimin në UNESCO, që e konsideroj si Fitore të Pirros për Serbinë, e që e tillë është edhe për Rusinë.

Vetoja e Rusisë për Pavarësinë e Kosovës nuk është forcuar pas votimit në UNESCO, por është bërë edhe më pak e bindshme, sepse mezi siguroi 1/3 të votave në favor të Serbisë. Ndonëse anëtarësimi në UNESCO nuk do të duhej të politizohej, Serbia dhe Rusia ishin ato që e politizuan.

Andaj, t’i gëzohesh kthimit të çështjes së Kosovës në pikën zero, çfarë synon Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e rinj të saj në opozitë, do të thotë injorim i përpjekjeve të SHBA-ve dhe të pjesës dërmuese të BE-së që të anashkalohet vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, duke ia hapur rrugën Serbisë për në BE me kusht që ajo të bëjë marrëveshje historike dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e pavarur.


A mund të sfidohet rendi aktual botëror?

Ideja se rendi aktual botëror mund të sfidohet në mënyrë direkte duke u thirrur në të drejtën e popullit të Kosovës (apo edhe të popullit shqiptar si tërësi), për vetëvendosje, është një ide e parealizueshme përderisa çdo shtet i ri duhet të kalojë verifikimin e obligueshëm të sovranitetit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Rusia e ka të drejtën e vetos. Kjo do të thotë se Kosova e kthyer në stadin zero të vetëvendosjes nuk do ta kishte më rrugën alternative të trasuar nga Perëndimi për njohjen e plotë të sovranitetit të Kosovës, por do të duhej ta prisnim ndonjë akt të mëshirës nga Rusia, gjë që do të mund të zgjaste me decenie.

A është kjo mëshirë ajo që synojnë bukëshkelësit të cilëve nuk iu pëlqejnë këshillat dhe lobimet e SHBA-së dhe BE-së?

Apo ndoshta e kanë idenë se edhe vetë rendi aktual botëror mund të prishet për t’ia hapur rrugën vetëvendosjes dhe sovranitetit të Kosovës!

Në prishjen e rendit aktual, me sa e di, Lëvizja Vetëvendosje nuk e sheh me sy të mirë as rolin e NATO-s, që asaj i duket si një xhandar i botës. Ndërkaq, prishja e rendit botëror dhe ndryshimi ose zhbërja e NATO-s mund të jetë proces shumë më i gjatë sesa ai i pritjes së mëshirës nga Rusia.

Fundja, strategjia e përmbledhur në slloganin “Vetëvendosje dhe pikë!” nuk ka asnjë përshkrim të ardhmërisë së Kosovës të cilën do të mund ta përkthenim në terme të zhvillimeve reale. Është vetëm një ecejake retorike dhe idealiste nëpër mjegull dhe rê.

Strategji pasionante, por me përmbajtje dhe jehonë boshe, një çmenduri e paketuar dhe dizajnuar me ngjyra të zjarrta populliste dhe patriotike.
 Klan Kosova

SHKARKO APP