FJALËT, nga Jean-Paul Sartre….
Nga Diana Çuli
FJALËT (Les Mots) është titulli i një prej veprave më të njohura të Jean-Paul Sartre-it, botuar më 1964 në shtëpinë botuese GALLIMARD, e cila ka dhe sot e kësaj dite të drejtat e autorit për të gjitha veprat e tij. Ndërsa në Shqipëri, prej shumë vitesh Shtëpia Botuese Fan Noli na ka sjellë shumicën e kryeveprave të Sartrit, që lexuesit e interesuar për letërsi të mirë – nga më të mirat e botës – mund të shkojë dhe t’i gjejë këto kryevepra në librarinë e kësaj shtëpie botuese në Rrugën e Kavajës.
Fjalët është një lloj autobiografie e vetë Sartrit dhe fillimisht teksti u botua në revistënTemps modernes, më 1963. Vepra rrëfen fëmijërinë e tij në moshën 4- deri 11-vjeçare dhe është e ndarë në dy kapituj: Të lexosh dhe Të shkruash, pra, ajo që i ndodh zakonisht çdo shkrimtari, tërheqja nga letërsia që nis që herët dhe më pas përkushtimi i stërmundimshëm i procesit të të shkruarit. Në këtë libër gjejmë rrëfime për njerëzit që e kanë rritur, që kanë ndikuar tek ai, gjejmë botën imagjinare, ndërgjegjësimin dhe të gjithë përsiatjet e tij për kuptimin e letërsisë, për demistifikimin e saj, si një “komponente e ideologjisë borgjeze”, dhe, që ndoshta, fjalët e shkruara nëpër libra nuk do të mund t’i shprehin kurrë vuajtjet e vërteta të njerëzve. Autori përpiqet ta zhvillojë tezën e tij me auto-ironinë që e karakterizon, por si gjithë veprat e mëdha letrare, ajo shpëton nga të qenit thjesht një biografi. Sartri përshkruan fëmijën që thotë ai se ka qenë; siç thonë biografët, duke rrëfyer historinë e tij, ai ka përshkuar atë të epokës.
Kritika e ka quajtur këtë vepër të Sartrit si një largim nga letërsia, një lamtumirë e tij letrare, e shprehur në mënyrën më të lartë të mundshme, gjë që është një paradoks, sepse, përsëri siç e ka vlerësuar kritika, ajo është një “reussite littéraire” (vepër e përkryer letrare). Në të njëjtin vit, 1964, ai e refuzon çmimin NOBEL që iu dha me motivimin: “I jepet shkrimtarit francez Jean-Paul Sartre për veprën e tij, e cila, për frymën e lirisë dhe të kërkimit të së vërtetës që dëshmon, ka ushtruar një ndikim shumë të madh në epokën tonë”. Ai e arsyetoi vendimin e tij në atë kohë duke thënë se askush nuk meriton lavdinë në të gjallë dhe, mbi të gjitha, duke i qëndruar besnik lirisë dhe pavarësisë së tij, nuk dëshironte të varej nga asnjë institucion.
Të themi se Edmond Tupja e ka përkthyer në mënyrë “hyjnore” këtë tekst virtuoz, me lojë figurash retorike dhe thyerje të papritura të tonit e të lëvizjes së vazhdueshme të stilit, është pak. Por janë gjithnjë pak fjalët që mund të thuhen për këtë shkrimtar, poet, linguist e shqipërues të madh.
RONALD REGAN, nga Peggy Noon
Peggy Noonan (Margaret Ellen) është një autore amerikane e shumë librave mbi politikën, fenë dhe kulturën; është kolumniste në gazetën Wall Street Journal; asistente e presidentit Regan dhe speech writer e tij në të dyja mandatet presidenciale. Pesë nga librat e Noona-it kanë qenë New York bestsellers dhe ka marrë shumë tituj e çmime, midis tyre edhe prestigjiozin Emmy Award. Është shpesh e ftuar në kanalet e njohura televizive amerikane ABC–this Week dhe në NBC-Meet the Press.
Nga ky personalitet, Instituti i Botimeve Ndërkombëtare na sjell në shqip librin Ronald Regan, me përkthim të Dr. Arian Starovës. Së pari kemi të bëjmë me një vepër tejet interesante për të gjithë atë që përmban në 360 faqet e tij, Së dyti, i ardhur në gjuhën tonë nga një politolog dhe sociolog (?) si doktor Arian Starova, do të thotë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një përkthim, por me një kontribut dhe me një prurje të veçantë, që i përngjan interpretimit, në kuptimin më të mirë të fjalës.
Duke lexuar Ronald Reganin, rikthehemi edhe një herë në ato dekada të shekullit të kaluar, para rënies së Murit të Berlinit, kur Lufta e Ftohtë midis dy sistemeve kundërshtare ishte në kulmin e saj, e përforcuar nga gara e shfrenuar e armatimeve dhe e kërcënimit bërthamor që i rrinte mbi kokë njerëzimit si shpata e Damokleut. Pikërisht kjo garë, e cila herë peshonte nga SHBA dhe herë nga BS, ngrinte shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e njerëzimit. Është e çuditshme se si koha, historia, i ndryshon opinionet dhe pikëpamjet mbi një periudhë historike ose mbi një lider të caktuar politik. Libri na shpalos përpjekjen e gjatë, të mundimshme, të kritikuar dhe të anatemuar nga brenda dhe nga jashtë vendit, të Reganit, për të arritur marrëveshjet për uljen dhe pakësimin e armatimeve. Atëkohë ai quhej drejtuesi i një Amerike agresive dhe “xhandar i botës”; ndonëse në të dy mandatet e tij ai përdori të gjitha metodat “western” për të arritur synimet e tij paqësore. Por, kjo kuptohet vetëm sot, pasi analiza është bërë me qetësi dhe pasi historia ka thënë fjalën e saj. Sot ai nuk është më aktori-pistoler, por presidenti i zgjuar dhe largpamës, që diti të jepte – pa luftë – shtysën përfundimtare në çmontimin e komunizmit të cilën ai vetë e quante “perandoria e së keqes”, në një kontekst tepër kompleks gjeopolitik. Një libër ku do të gjejmë histori personale dhe çështje të mëdha botërore, emocione, fitore dhe dështime, njeriun dhe presidentin….me virtytet, mëkatet dhe gabimet e tij njerëzore. Dhe, si gjithnjë, sa më shumë depërtojmë në hollësitë e një personaliteti që drejton një shtet gjigant si SHBA, aq më shumë kuptojmë se, në përgjithësi në politikë, çështja e drejtimit të mirë apo të dobët nuk është një fitore ose humbje e personit që drejton, por fitore ose humbje e vetë shoqërisë.
MAPO