Fjalët që nuk mjaftojnë
Nga Artur Zheji
Ka shumë fjalë në eter në lidhje me jetëgjatësinë apo jetëshkurtësinë e kësaj qeverisjeje. Pra si të thuash, në këtë univers gjithmonë e më virtual dhe më të komentuar ku jetojmë, hamendjet, dëshirat, refuzimi apo mllefi, kanë prodhuar një numër gati rekord sentencash, denoncimesh, “zbulimesh”, vrasjesh politike të mbetura në tentativë, e deri në përfytyrime nga më haluçinantet, ekstrakte mendjesh shumë pjellore.
Në këtë vorbull fjalësh, që po të ishte lumë do të na përmbyste pa shpëtim, ka një kundërshti themelore.
Qeveritë shqiptare nuk bien dot me sulme nga jashtë. Ato bien vetëm nga brenda. Ato shemben, nëse shemben, vetëm nga arkitektët e saj. Shumë fjalë pra, qofshin këto edhe nga më të vyerat e nga më të vërtetat nga njëra anë dhe fare pak forcë ndryshuese të realiteteve, që kokëfortësisht qëndrojnë përpara nesh, nga ana tjetër.
Duke thënë të njëjtën gjë, por me terma të tjerë, Shqipëria drejtohet nga një Shumicë parlamentare solide me tri subjekte politike PS, LSI dhe PDIU, që në rastin e Buxhetit, akti më i rëndësishëm që provon qëndrueshmërinë e qeverisjes, kjo Shumicë grupoi deri në 86 vota. Në të vërtetë, shumë vota dhe shumë pushtet vendimmarrës. Një shumicë demoralizuese, për rolin e individit apo për rolin e shoqërisë civile, përfshirë këtu edhe Opozitën.
Vendimmarrjet 86-votëshe, krijojnë privilegjin e shurdhërisë ndaj fjalëve, mendimeve apo platformave alternative, të Pakicave kundërshtuese. Qofshin këto, pakica politike e opozitare, apo qofshin analiza, komente dhe pikëpamje të gazetarëve dhe opinionistë, apo makthet e “Profetëve” të trishtuar, që mbërthehen mbas fjalës dhe akuzës.
Të drejta, të tepruara apo qëllimkëqija qofshin ato.
Fjalët në eter pra, fjalë të rënda nëse na bindin apo nëse i besojmë, që japin parashikime zymtake për të sotmen dhe aq më shumë për të nesërmen e kësaj qeverie apo e kësaj qeverisjeje. Mirëpo fjalët, sado të mençura, konstruktive, ndjellëse fatkeqësish apo tinëzare qofshin, nuk i thonë dot Kullës 86-votëshe: “Lëviz!” dhe ajo të lëvizë.
Kjo edhe ndoshta është arsyeja që Opozita më 8 dhjetor hodhi në sulm Protestën. Për të prekur dhe “kërcënuar” fizikisht Kullën e pushtetit të majtë. Gatitja e “furrës së drurit” n’bunkerin e sdikujt, shënoi edhe kulmin fizik të shkaktuar nga “Kriza e Fjalëve që nuk mjaftojnë”.
Dhe mbas Protestës së 8 Dhjetorit, ashtu si edhe dihej paraprakisht, asnjë tërmet kërcënues për Kullën 86-votëshe nuk ndodhi.
Përkundrazi.
Shumica u bë edhe më homogjene. Zgjedhësit e saj, qofshin të zhgënjyer, qofshin të lëkundur, qofshin në pritje të diçkaje tjetër më të mirë, trokitën në zyrat e partive në pushtet, për të ripohuar besnikërinë e tyre. Simbas ekuacionit që thotë se: “nëse tanët që votuam nuk po na zgjidhin ndonjë punë të hajrit, këta të tjerët, që djegin edhe bunkerin, nuk do të na kenë fare nëpër listat e tyre…”
Partia Demokratike, si edhe asnjë opozitë në Shqipëri, nuk ka ardhur në pushtet nga protestat, por nga mplakja natyrale e shumicave apo vetëshembja e tyre e brendshme.
Në vitin 2004 dhe 2005, Doktori nuk e hoqi për asnjë çast “lëkurën e qengjit të butë”, në komunikimin e tij publik. Mbas 21 Janarit 2011, Edi Rama, në maj të po atij viti, me 8 vota nga 20.000 diferencë të një mandati më parë në vitin 2007, pothuajse i humbi zgjedhjet bashkiake.
Vërtet fjalët nuk mjaftojnë, por protestat politike dhe të udhëhequra nga partitë, mjerisht nuk i shkurtojnë dot së jashtmi, ciklet qeverisëse të shumicave shqiptare. Ato janë thjesht një palestër organizative e partive që i organizojnë. Me rrezikun e panevojshëm të ekseseve.
Shqiptarët së pari duhet të harrojnë përse votuan, ashtu si votuan në qershor 2013 dhe 2015, e më pas, të hedhin sytë masivisht nga Pakica, për ta shndërruar atë në Shumicë.
Dhe për këtë, ndoshta “ndihmojnë” më shumë, vetë “drejtuesit e lartë” të kësaj Shumice. E deri atëherë, Kulla 86-votëshe, duam s’duam, qëndron në këmbë dhe nuk digjet dot si bunkeri.
Por, gjithsesi: Fjalët nuk mjaftojnë! MAPO