Fluturon “Boeing-u” kinez, avioni i parë madh për pasagjerë prodhuar nga Kina
Avioni i parë i madh për pasagjerë i prodhuar tërësisht nga Kina realizon provën me sukses.
Avioni u ngrit në ajër dhe fluturoi për rreth 1 orë e 30 minuta dhe më pas u ul me sukses po në aeroportin Pudong të Shangait.
C919 i prodhuar nga Korporata Tregtare e Avionëve e Kinës dhe vlerësohet si një gur themeltar në industrinë e aviacionit civil të Kinës. Megjithatë, ky nuk është aeroplani i parë i prodhuar në mënyrë të pavarur nga Kina.
Analistët e industrisë thonë se C919 është përgjigjja kineze ndaj “Boeing 737” dhe “Airbus 320”, duke sinjalizuar hyrjen e Kinës në tregun global të aviacionit si një lojtar i rëndësishëm.
Korporata e Aviacionit Komercial e Kinës thotë se aeroplani ka kaluar thuajse 120 teste të standardeve ndërkombëtare dhe ka siguruar tashmë 570 porosi nga 23 kompani ajrore kineze dhe të huaja.
Shkronja “C” në emrin e avionin simbolizon Kinën dhe emrin e korporatës që e prodhoi (COMAC), numri 9 simbolizon “përjetësinë” në kulturën kineze dhe numri 19 përfaqëson 190 ulëset e avionit.
Ky mjet mund të fluturojë normalisht për 4,075 kilometra dhe krahasohet me modelin e Airbus-it 320 dhe Boeing-un e brezit të ri 737.
Tani Kina është prodhuesi i katërt avionëve jumbo pas ShBA-së, Europës dhe Rusisë.
Prodhimi i një aeroplani udhëtarësh në Kinë u propozua për herë të parë në vitin 1970. Më vonë, në vitin 1985, Korporata Industriale e Aviacionit e Shangait bashkëpunoi me firmën amerikane “McDonnell Douglas” për të prodhuar MD82, një aeroplan i vogël udhëtarësh. Ky aeroplan e bëri fluturimin e vet të parë në Kinë në korrik të vitit 1987.