FMN publikon qëndrimin për Shqipërinë: Po ecën mirë
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar publikoi deklaratën përfundimtare për konsultimet për nenin IV dhe shqyrtimin e shtatë të marrëveshjes së zgjeruar mes palëve.
Sipas deklaratës së misionit të FMN-së, këto vitet e fundit, Shqipëria ka ruajtur me sukses stabilitetin makroekonomik, mes një mjedisi të jashtëm jo të qëndrueshëm. Por, sipas misionit, rritja ekonomike vijon të jetë e ngadaltë për shkak të një rimëkëmbjeje të dobët të eurozonës, gatishmëria e ulët e bankave për të ndërmarrë risk dhe së fundmi, për shkak të uljes së prodhimit të naftës.
“Paketa e politikave përqendrohet te korrigjimi fiskal, duke mbështetur, njëkohësisht, rritjen ekonomike përmes lehtësimit monetar gradual. Prioritetet më kryesore të politikave janë ulja e dobësive fiskale nëpërmjet vazhdimit të konsolidimit, rigjallërimi i kreditimit të sektorit privat nëpërmjet pastrimit të bilanceve të bankave dhe vijimi i zbatimit të reformave strukturore që mbështetin rritjen ekonomike. Përshpejtimi i zbatimit të reformave strukturore ka rëndësi kritike për të fuqizuar aftësinë konkurruese, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të katalizuar një rritje më të fortë ekonomike”, konkludon misioni.
Programi i autoriteteve, i mbështetur nga FMN, ofron një tjetër mundësi për t’i çuar përpara këto reforma në vitin që kemi përpara. Programi përgjithësisht vazhdon të ecë sipas planit dhe misioni i FMN-së dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel stafi për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes së Zgjeruar.
Rimëkëmbja ekonomike është duke u arritur dhe reformat po ecin përpara
Shqipëria po e rimerr gradualisht veten nga ngadalësimi i zgjatur i rritjes ekonomike. Pavarësisht se përballoi mirë krizën financiare globale, vështirësitë ekonomike tek partnerët më kryesorë nga eurozona (Italia dhe Greqia) dhe stanjacioni në huadhënien bankare e kanë frenuar aktivitetin ekonomik gjatë periudhës pas krizës. Rimëkëmbja ekonomike po e përshpejton gradualisht ritmin, me mbështetjen e politikave të matura dhe të një rikthimi gradual të besimit tek konsumatorët. Rritja e investimeve të huaja direkte (IHD) në projekte të mëdha të lidhura me energjetikën pritet gjithashtu të forcojë rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër. Rritja e PBB-së parashikohet të përshpejtohet në 3.4 për qind në vitin 2016, kundrejt 2.6 për qind që ishte në vitin 2015. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet dhe të mbetet i lartë për shkak të rritjes së investimeve që kërkojnë shumë importe. Inflacioni është i ulët dhe ka të ngjarë të vijojë të jetë i ulët në të ardhmen e afërt, për shkak të inflacionit të ulët të importuar nga jashtë dhe kërkesës së brendshme të dobët.
Reformat po ecin mirë
Që pas miratimit të Programit të FMN-së në fillim të vitit 2014, autoritetet kanë pasur progres të mirë sa i takon fuqizimit të financave publike dhe vënies në zbatim të reformave strukturore në sektorin energjetik. Po zbatohet një konsolidim fiskal i konsiderueshëm, ndërsa borxhi publik parashikohet të ketë arritur pikën e infleksionit në 2015. Këto arritje kanë bërë që të ketë një emetim të suksesshëm eurobondi dhe një përmirësim të vlerësimit kreditor kohët e fundit. Por, disa reforma të tjera, me rëndësi kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, siç janë reformat që kanë të bëjnë me të drejtat e pronës, zgjidhjen e kredive nën standard, gjyqësorin dhe qeverisjen, kanë mbetur mbrapa.
Parashikimi për periudhën afatmesme mbetet i favorshëm, me kusht që të ruhet vullneti për reforma
Rritja ekonomike pritet të rritet në rreth 4 për qind në periudhën afatmesme, duke pasqyruar investime më të larta nga rimëkëmbja më e fortë e kreditimit, vazhdueshmëri të IHD-ve dhe reformave strukturore që shoqërojnë ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Ky parashikim ka risqe që do të ndikonin në rënie të treguesve. Këto risqe vijnë nga një tkurrje e mundshme e investimeve nga efekti që ka rënia e çmimit të naftës dhe ndikimi i kushteve më të dobëta ekonomike tek partnerët tregtarë në eurozonë. Perspektivat për rritje do të pengoheshin edhe nga vonesat e mëtejshme në reformat strukturore, aq të rëndësishme për përmirësimin e klimës së biznesit.
Përparim në qëndrueshmërinë fiskale dhe zbatim i reformave fiskale strukturore
Konsolidimi fiskal duhet të vijojë për të ulur pikat e dobëta fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Bilanci parësor pritet të përmirësohet me rreth 2.25 për qind të PBB-së në 2014-2016, duke arritur një sufiçit parësor këtë vit. Pas kësaj, rekomandohet që autoritetet të këmbëngulin në objektivin e tyre për uljen e borxhit publik nën nivelin 60 për qind të PBB-së brenda vitit 2019, çka kërkon masa prej rreth 1 për qind të PBB-së çdo vit. Për të ankoruar pritshmëritë afatgjata, rekomandohet që autoritetet të miratojnë një rregull fiskal të mbështetur nga një këshill fiskal i pavarur. Gjithashtu, rekomandohet të zgjatet afati mesatar i maturimit të borxhit publik dhe të diversifikohet baza e investitorëve, duke ulur kështu risqet që vijnë nga nevojat për financim, të cilat mbeten të larta.
Duke pasur parasysh nivelin relativisht të ulët të shpenzimeve publike, korrigjimi fiskal duhet të fokusohet kryesisht nga ana e të ardhurave publike
Duke pasur parasysh nevojat e mëdha për shpenzime publike në fusha të tilla si infrastruktura dhe arsimi, si edhe efikasitetin tatimor relativisht të ulët dhe në rënie në Shqipëri, rekomandohet që strategjia e konsolidimit të fokusohet tek zgjerimi i bazës tatimore dhe forcimi i administrimit fiskal dhe i përmbushjes së detyrimeve nga subjektet. Autoritetet duhet të përshpejtojnë punën për kadastrën fiskale, me qëllim zbatimin e një takse mbi pronën të bazuar në vlerën e saj brenda fundit të vitit 2017. Ato duhet të frenojnë miratimin e përjashtimeve të tjera fiskale apo trajtime fiskale preferenciale, dhe të bëjnë përpjekje për të
eliminuar ato ekzistuese.
Nevojitet këmbëngulje me reformat fiskale strukturore për të zvogëluar risqet fiskale
Administrimi tatimor: Fokusi të jetë në zbatimin në kohë i strategjisë organizative të administratës tatimore, ku përfshihet ristrukturimi tërësor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si edhe miratimi i instrumenteve bashkëkohore të menaxhimit të riskut.
Administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të bashkërendojnë më nga afër për vlerësimin e risqeve dhe ruajnë angazhimin në fushatën kundër informalitetit, që ka filluar tashmë të japë rezultatin me një rritje të lartë të numrit të bizneseve të vogla dhe punëmarrësve të regjistruar.
Menaxhimi i Investimeve Publike dhe PPP-të: Fuqizimi i menaxhimit të investimeve publike dhe rritja e besueshmërisë së kuadrit buxhetor afatmesëm të autoriteteve ka rëndësi tejet të madhe për të ulur riskun e angazhimeve të pambuluara me fonde dhe detyrimeve të prapambetura. Në veçanti, autoritetet duhet të shqyrtojnë të gjitha projektet e papërfunduara të investimeve që nuk janë të mbuluara me buxhet dhe të identifikojnë projektet që do të anullohen, në bazë të kritereve transparente. Të gjitha propozimet për partneritet publik privat (PPP) t’i nënshtrohen studimit të hollësishëm të fizibilitetit dhe analizës kosto-përfitim, studim i cili duhet të vlerësohet nga Ministria e Financave përpara se të jepet aprovimi. Ndikimi që ka çdo PPP i ri në llogaritë fiskale të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare. Mbajtja në kontroll e angazhimeve dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura:Autoritetet e kanë pastruar me sukses stokun e konsiderueshëm të detyrimeve të prapambetura të pushtetit qendror. Për të parandaluar rikrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura, është mirë të vihen sa më shpejt në zbatim tavanet e angazhimeve shumëvjeçare dhe zgjerimi i institucioneve përdoruese të sistemit të ri informatik të thesarit. Prioritet është miratimi i ligjit organik për buxhetin. Një vrojtim i kohëve të fundit i financave të pushtetit vendor, i realizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, ka zbuluar disa detyrime që mund të jenë të prapambetura, prej rreth 0,6 për qind të PBB-së, sipas të dhënave deri në mes të vitit 2015. Rekomandohet që autoritetet t’u kërkojnë njësive të qeverisjes vendore të kryejnë auditime dhe të hartojnë plane veprimi për t’i zgjidhur këto detyrime të prapambetura, duke siguruar integritetin e procesit përmes audituesve të jashtëm. Për të zbutur risqet fiskale nga decentralizimi fiskal në proces dhe për të përmirësuar raportimin dhe monitorimin, është mirë të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për financat publike vendore.
Risqet fiskale do t’i zbuste edhe vijimi i progresit në reformat e sektorit energjetik
Rezultatet e para të këtyre reformave janë mbresëlënëse, përfshirë rritjet e qëndrueshme të arkëtimeve, uljet e humbjeve në rrjet dhe fuqizimin e financave të shoqërive shtetërore të energjisë elektrike. Për të siguruar çimentimin e këtyre arritjeve, me rëndësi kritike do të ishte zbatimi i programit të reformave, sidomos po të kemi parasysh historikun e përpjekjeve të dështuara në të shkuarën. Gjatë zbatimit të reformave, fokusi duhet të jetë te liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë elektrike, investimi me kujdes te matësit e energjisë dhe infrastruktura e rrjetit dhe fuqizimi i drejtimit të brendshëm të shoqërive të këtij
sektori.
Vijimi i lehtësimit monetar gradual dhe rigjallërimi i fluksit të kredive drejt sektorit privat
Qëndrimi i politikave monetare lehtësuese vijon të jetë i përshtatshëm. Ka ende hapësirë për lehtësim të mëtejshëm në kuadrin e politikave monetare konvencionale. Një fleksibilitet më i madh i kursit të këmbimit do të mbështeste regjimin e inflacionit të shënjestruar të politikave monetare, por kjo duhet peshuar kundrejt risqeve të stabilitetit financiar që lindin nga ekspozimet e pambuluara. Për të vijuar rindërtimin e besueshmërisë dhe për të ruajtur pavarësinë e saj, Banka e Shqipërisë duhet të bëjë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar operacionet dhe drejtimin e brendshëm, përfshirë edhe me anë të amendimeve në ligjin për bankën qendrore.
Gatishmëria e ulët për të ndërmarrë risk, për shkak të vështirësive në zgjidhjen e kredive me probleme, vijon të frenojë rimëkëmbjen e kreditimit
Fshirja e detyrueshme e kredive të këqija nga bilancet ka çuar në një zvogëlim të konsiderueshëm të raportit të kredive nën standard dhe ka pasur një progres të mirëpritur në trajtimin e tyre nga huamarrësit e mëdhenj. Megjithatë, rritja e kreditimit mbetet e dobët, duke pasqyruar nivelin ende të lartë të kredive nën standard. Zbatimi i përshpejtuar i strategjisë gjithëpërfshirëse të autoriteteve për kreditë problematike është me rëndësi kritike, sidomos sa i takon thjeshtimit të kuadrit ligjor për paaftësinë paguese, si edhe sa i takon lehtësimit të ekzekutimit të kolateralit dhe ristrukturimit jashtë gjykatave.
Përpjekjet e autoriteteve për të fuqizuar mbikëqyrjen dhe rregulloret financiare janë të mirëpritura
Sistemi bankar mbetet i kapitalizuar mirë dhe likuid. Instrumentet mikroprudenciale të Bankës së Shqipërisë duhet të fokusohen në ato segmente të sistemit bankar që rriten më shpejt dhe që kanë rëndësi sistemike. Rekomandohet që Banka e Shqipërisë të përpiqet për uljen e përdorimit të euros në sistemin bankar, përfshirë edhe me anë të masave makroprudenciale për zvogëlimin e përqindjes së huamarrësve të pambuluar në monedhë të huaj. Është mirë gjithashtu të ruajë përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe të sigurojë nivele të shëndetshme kapitalizimi në sistemin bankar duke hequr koeficientet e reduktuar të riskut për kreditë e reja. Duke pasur parasysh praninë në rritje të fondeve të investimeve dhe të institucioneve financiare jobankare, autoritetet duhet të fuqizojnë sa më shpejt kapacitetin e entit rregullator financiar për institucionet jo-banka dhe aftësinë e tij për të tërhequr dhe mbajtur personel të aftë.
Thellimi i reformave strukturore për të pasur rritje të lartë e të qëndrueshme
Treguesit e konkurueshmërisë evidentojnë nevojën për përmirësim të mëtejshëm. Eksportet, pa përfshirë naftën, të cilat përqendrohen në produkte me vlerë të ulët të shtuar, nuk kanë pasur rritje të konsiderueshme sa i takon pjesës që zënë në treg. Norma e këmbimit vlerësohet se është lehtësisht e mbiçmuar, ndërsa pozicioni i jashtëm është pak më i dobët se sa sugjerojnë ekuilibrat bazë, çka paraqet sfida për aftësinë konkurruese të jashtme. Disa tregues krahasues të aftësisë konkurruese për vende të ndryshme evidentojnë, si dobësi më kryesore strukturore në Shqipëri, boshllëqet në infrastrukturë që pengojnë tregtinë, informalitetin e lartë që çon në produktivitet të ulët, institucione të dobëta dhe korrupsion që pengon shtetin ligjor dhe mjedisin e biznesit, si edhe procedura tatimore komplekse që e rrisin barrën mbi bizneset.
Reformat e mëtejshme strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit do të ishin me rëndësi kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë
Tregjet fleksibël të punës kanë ndihmuar në mbajtjen në nivel të ulët të kostove të punës për njësi. Mirëpo, një rritje më e shpejtë e produktivitetit të punës do të kërkonte përmirësime të tjera shtesë në klimën e biznesit për të nxitur investimet si edhe reforma të mëtejshme si në arsimin e lartë ashtu edhe në formimin profesional. Përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës në vend do ta lehtësonte koston e të bërit biznes. Në veçanti, reformat në sektorin e energjisë elektrike të cilat fokusohen te derregullimi i mëtejshëm dhe përmirësimi i drejtimit të brendshëm të shoqërive të këtij sektori do të përmirësonin furnizimin me energji dhe do të ulnin koston e të bërit biznes. Për të rritur aftësinë konkuruese, Shqipërisë i duhet të vazhdojë edhe luftën kundër informalitetit, të thjeshtojë procedurat e mbledhjes së tatimeve dhe të përmirësojë qeverisjen. Në funksion të fuqizimit të të drejtave të pronës, të përshpejtohen përpjekjet për krijimin e kadastrës ligjore për regjistrimin e pronave. Progresi në reformën e gjyqësorit është parakusht për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky progres duhet të orientohet nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Performanca e programit
Ekipi i FMN-së dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel stafi për përfundimin e shqyrtimit të shtatë. Programi përgjithësisht vazhdon të ecë sipas planit dhe të gjithë kriteret e performancës janë përmbushur, megjithëse dy objektiva të synuar nuk janë arritur për një diferencë të vogël, ndërsa është vonuar zbatimi i tre treguesve strukturorë në fushën e menaxhimit të financave publike dhe reformën e administrimit tatimor. Autoritetet janë angazhuar për përshpejtimin e vënies në zbatim të këtyre reformave si edhe për mbrojtjen e objektivave të synuar fiskalë nga efekti negativ i rënies së çmimeve të mallrave të bursës nëpërmjet një disipline të fortë buxhetore dhe fuqizimit të bazës së të ardhurave buxhetore dhe përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet.