Fol me mua, jo me partinë!

 

Nga Erjon Braçe

 Unë nuk e kam përmendur asnjëherë të vetme në këto 72 orë atë

Asnjëherë. Por mjafton që unë të përshkruaj një fenomen, për më tepër negativ dhe ai është aty, vetë identifikohet dhe gjithë shenjat që ka lënë diktatura e dhunshme mbi të, i gërvifshin fort qenien aq sa i klith Partisë: Mbylli gojën atij që flet për fenomenin! Klubin e "1 milion eurove të para".  Nuk ka argument, veç fyen, tipari i arrogancës se "1 milion eurove të para". Fol me mua, jo me Partinë o qyq! Përgjigja që lexova ishte thjesht një batutë e lodhur dhe e dehur që herën e parë, asgjë më shumë, patjetër që dëshmon nervozizëm, por edhe zbrazëti. Sa herë që lexoj njerëz që nuk kanë mendim të tyre, por citojnë batutat e njerëzve të njohur, këtë mendoj: Sa bosh janë, sa kot janë! Kujtoja se të lexosh bën të mundur të arrish të mendosh vetë e artikulosh po mendimin tënd. Por nuk është ky problemi, as fare.

Problemi është korrupsioni, pasuria e vënë me pa të drejtë, përfitimi marramendës nga favoret e pushtetit, përfshirë sy mbylljen për taksat. I kam dedikuar thuajse gjithë jetën time politike, betejës me korrupsionin, me fakte e prova të dokumentuara. Pikërisht për këtë kam qenë i mbikëqyrur, i markuar, i sulmuar, por kurrë i përgënjeshtruar, i ndëshkuar apo dënuar për të pavërteta. Kurrë. E dini pse? Sepse dokumentet nuk të lënë asnjëherë të gabosh, rrëshqasësh tek e pa vërteta. Kujtoj pasurinë e familjes, pastaj Armon, Albpetrolin, OSSH, 4 HC nga Ulza në Bistricë, Rrugën e Kombit, të Vlorës e Tepelenës, rafinerinë e Cërrikut, Portin e Durrësit, pronat në Bregun e Jugut, pronat në Gjirin e Lalzit, gjithashtu, kromin e Bulqizës dhe bakrin e Pukës, naftën e Bankersit dhe Stream Oil, lumin e Koncesioneve familjare e politike në çdo rrekë të Shqipërisë.

Patjetër CEZ-in, si mund të mi falnin ata, pronari i gazetës dhe AI, 9 kompanitë e famshme të zhvatjes së borxheve, tamam në një ditë si kjo? E bënë sot, por duke fyer ama, pa asnjë të vërtetë më vete. Ndaj ai është i shqetësuar, shumë i shqetësuar aq sa klith: Mbyllni gojën! Ka harruar se kohët kanë ndryshuar pa fund dhe liria për të thënë të vërtetën nuk mund të këmbehet me asgjë. Të paktën unë se këmbej me gjë. As me para, as me prona, as me plaçka, as me postë partie. Ndaj jam i lirë të them të vërtetën. Patjetër që mirëpres kritika, kurrë nuk i refuzoj ato, mundohem të reflektoj mbi çdo gjë që është reale dhe më bën mirë; pres dhe fyerje, jam mësuar. Nuk ka top balte, madje nga këta të shtrenjtët që e gjuajnë këta "zengjinët e rinj", që të mos ketë fluturuar drejt meje. Por kurrë nuk më ka bërë pis. Ai e di këtë; delegjitimimi i gjithkujt që thotë të vërtetën është qëllimi i makinës së baltës dhe ai është i bindur që tek unë nuk ka sukses, fare. Jetoj në të njëjtën shtëpi vetëm 87 metër katror, të blerë përmes një kredie prej 5 milionë lekësh, të cilën vijoj ta paguaj muaj për muaj, bëj një jetë që shumë nga njerëzit e mi e shquajnë prej asketi, as që i dua e për këtë arsye nuk kam, nuk vesh, nuk shfaq, nuk mburrem me plaçka prej markash, nuk sjell rrobaqepës prej Italisë për të qepur këtu, por i besoj një shkodrani të thjeshtë, artizan i pashoq tek sheshi Uillson për të qepur një xhaketë e një palë pantallona, ashtu siç Arianit një këmishë e lumturohem pa fund që jam klient i punës së tyre dhe po aq kur përfitoj nga uljet e tyre; nuk kam asnjë orë me të cilën të mburrem, por i kam 4 ora "patatinash" siç i shquajnë këta "milionëshat", sëatch me ngjyra dhe ndjehem shumë mirë, siç për kapuçin, shallin etj. Më ndjeni, unë nuk jam ai tu tregoj dhe për të brendshmet. Pikërisht se këto nuk i delegjitimon dot, klith tek partia.

Nejse, lexova rrëfimin drithërues e tërësisht poetik dhe kjo ka rëndësi. Të paktën për mua. Ai ka trokitur gabim. Edi Rama nuk ka qenë kurrë drejtor i Agjencisë së Kthimit e të Kompensimit të Pronave. Edi Rama nuk ka marrë kurrë një vendim për kthim apo kompensim pronash. Edi Rama nuk ka pasur kurrë në dorë të shpronësojë kënd, shtetin jo e jo. Edi Rama nuk i ka pasur asnjëherë këto funksione as në vitin 2008 e as në vitin 2009. Quhet Sali Berisha, Kryeministri që i ka bërë këto, madje, edhe shpronësimin e Shtetit mu në mes të Tiranës, publikut, qytetarëve të Tiranës, për t’ia dhënë një grushti privatësh. Letrat i kam unë, prej vitit 2008. Pastaj edhe në vitin 2009. I mbaj në arkivën time që kurrë të mos flas pa to. As që e mendoj se mund të jenë paguar para për këtë. S’ka qenë hiç nevoja. Kujtoj TV-në e asaj periudhe dhe për mua është shumë e qarte se me çfarë është "paguar". Ndaj e gjithë ligjërata e sotme, ndjesë që e ngrita në këtë nivel por më shkoi vetiu në fjali, me ngjan si ai shpërthimi i disa javëve më parë, për dreq drejtuar sërish Edi Ramës: "Mos më fol mua për 21 janarin, je në pushtet tani dhe futi në burg ata që vranë me 21 janar". Dhe nga kush, nga ai që me një shkop në dorë na tregoi si vrasës një plak flokëthinjur që me çadër në dorë kishte vrarë Ziver Veizin.

Ja mu kështu ishte kjo letra e sotme, nga ai, nga i njëjti që tamam pas kësaj te 21 janarit nuk duhet të ishte më në një ekran, por duke kërkuar një ndjesë të thellë të largohej nga profesioni më i ndershëm në botë, profesioni i gazetarit. Ndaj kushdo që është fshehur pas një hashtagu, më kujton që kam dy ditë që po merrem me një gazetar, dua ti kujtoj 21 janarin, jo të Berishës por të gazetarëve; për mua i tillë është Fatos Mahmutaj. Të pyes, a e mban mend? U plagos mu në tavolinën e medies, krah Hekuran Dedës e Sokrat Godës me 21 janar. Është gjallë dhe do jetë gjatë. Edhe Tan Hoxha e Vin Daja, edhe Karlo gjithashtu. Ndaj kur ai flet për akuza në tym, shpifje dhe mi vesh mua, do të vijoj ta zhvesh me 21 janarin, 21 janarin e tij në funksion te 21 janarit të Berishës. Ky është profesioni i tradhtuar; në emër të përfitimeve, plaçkës e pasurisë. Unë nuk e bëj kurrë këtë; nuk jam nga ai soj, nuk jam i klubit të "1 milion eurove të para".

 E kam zgjedhur të jetoj e shërbej kështu; të jem i lirë kundër korrupsionit. I bindur se korruptimi i anti-korrupsionit do jetë një dështim i madh, produkt i një aleancë mes politikës dhe biznesit të korruptuar, medies gjithashtu. Në fund dua të shtoj dy gjëra, nisur nga fakti që ndokush mund të jetë gabuar. Unë nuk shkruaj në emër të Partisë sime, jo, e dinë të gjithë që e bëj nën emrin tim personal, qartë, troç e ballazi. Ndaj fol me mua, jo me partinë. Nuk po shqitem dot nga ekrani i kompjuterit, do ta them dhe këtë; Edi Rama nuk do të ndërrojë kastën e korruptuar të gjykatësve? Po këtë si e the? Si ka mundësi që e the dhe këtë? Meqë jemi këtu po e shtoj dhe një herë një pyetje: Cili është qëndrimi i këtij për reformën e në Drejtësi? Dini gjë ju? 

 

SHKARKO APP