FOTO/ Prefekti i Tiranës, Shkëqim Hajdari shtron iftar: Shqipëria ka vërtetuar se mund të ecë përpara me një harmoni fetare

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, këtë të premte në mbrëmje shtroi një iftar për besimtarët myslimanë në ambientet e Tirana International Hotel. Në fjalën e tij përshëndetëse, Hajdari theksoi se Shqipëria ka dëshmuar vazhdimisht se mund të ecë përpara falë harmonisë së saj fetare, një vlerë e çmuar që bashkon shoqërinë shqiptare. Duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, Prefekti u uroi të gjithë besimtarëve myslimanë një agjërim sa më të lehtë dhe të pranuar gjatë muajit të shenjtë të Ramadan.

“Iftari që na mbledh sonte është më shumë se një traditë. Kjo mbrëmje ka bashkuar njerëz nga institucione të rëndësishme dhe përfaqësues të ndryshëm të jetës publike. Kjo është një dëshmi e vlerave më të çmuara të vendit tonë. Shqipëria ka treguar se mund të ecë përpara duke ruajtur dhe kultivuar harmoninë fetare.

Sonte janë bërë bashkë krerë të komuniteteve fetare, përfaqësues institucionesh dhe personalitete të jetës politike e shoqërore. Në këtë muaj të bekuar, le të gjejmë më shumë kohë për reflektim, mirëkuptim dhe solidaritet.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ju falënderoj nga zemra për kontributin që secili prej jush jep në jetën publike dhe në shërbim të shoqërisë sonë. Uroj që ky muaj i bekuar të sjellë paqe për secilin prej nesh dhe begati në familjet tona”,-u shpreh Hajdari.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në përfundim, ai falënderoi edhe biznesmenin Ramë Geci për mbështetjen e vazhdueshme që prej vitesh i jep aktiviteteve kulturore dhe humanitare. “Ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë agjëruesve. Mirë se erdhët dhe ju bëftë mirë iftari”,-përfundoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?