
Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome i qëlluar nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 24 tetorit, ka ndarë me ndjekësit e tij një mesazh lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Aktualisht, ai ndodhet në Romë të Italisë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me qëllim ruajtjen e shikimit dhe gjithçka ka shkuar me sukses.
Përmes një postimi në Instastory, Vishkulli ka përcjellë një mesazh shprese dhe besimi, duke shkruar: ”Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”. Mesazhi i tij vjen pas ditëve të vështira që ka kaluar që prej momentit kur u plagos gjatë protestës, ndërsa vijon të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Itali.
Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi mbulimin e shpenzimeve të mjekimit për Erjon Vishkullin, në vlerën prej 5 milionë lekësh. Vendimi synon të sigurojë financimin e trajtimit të tij mjekësor, pas dëmtimit që pësoi gjatë protestës.
Për rastin është nisur një hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton rrethanat në të cilat i riu u dëmtua gjatë protestës. Organi i akuzës kërkon nga autoritetet italiane t’i përcjellin kartelën mjekësore të Vishkullit, si edhe t’i venë në dispozicion plumbin e gomës, pas nxjerrjes nga trupi i të riut. Prokuroria ka administruar gati 20 kartela mjekësore të protestuesve të tjerë të plagosur gjatë ditëve të protestës së studentëve.
Qeveria shpall vendimin për Erjon Vishkullin, zbulohet shuma monetare për operacionin

