Fqinjësia e mirë dhe “bunkerizimi urban”…
Nga Gëzim TUSHI
“Mjeshtër i Madh”
Një nga gjërat që në jetën e sotme sociale të shoqërisë tonë ka ndryshuar radikalisht, është krijimi i raporteve të reja ngushtësisht individuale dhe tërësisht interpersonale e të lira të njeriut me fqinjin e vet. Dikur në shoqërinë tonë fqinjësia ka qenë relacion social tejet i fortë, bashkëpunues, ndërveprues, koheziv, mbi të gjitha materialisht dhe shpirtërisht dhënës dhe marrës në të gjithë aspektet sociale, morale, materiale. Në shoqërinë e së kaluarës fqinjësia ka qenë një nga “shtyllat konceptuale” tipike, të forta, të qëndrueshme e të suksesshme të ndërtimit dhe funksionimit të shoqërisë shqiptare tradicionale. Por tashmë gjërat kanë ndryshuar shumë, madje, në shumë aspekte modeli i vjetër i realizimit social të fqinjësisë është transformuar radikalisht. Kjo situatë e re gati e përmbysur e modeleve dhe moduleve të fqinjësisë qytetare ka arsyet e saj materiale, filozofike e strukturore.
Gjërat kanë ndryshuar, po kështu edhe tipologjia e përgjithshme e ndërtimit të lidhjeve njerëzore dhe ato të veçanta për krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë moderne. Shoqëria tradicionale shqiptare për arsye historike por ideologjike në mënyrë të veçantë, ishte e bazuar në parimin themelor strukturor të vendosjes së Shoqërisë së Madhe mbi individin, i cili nuk mund ta mendonte “veten” të ndarë nga format e organizimeve sociale të jetës së përbashkët, të jetonte dhe ekzistonte pa garantuar lidhjet detyruese sociale të marrëdhënieve të “Vetes” me “Tjetrin” dhe të “Tjerët” komunitarë që jetonin përreth tij. Kjo përveç arsyeve të modelit strukturor të shoqërisë, kishte edhe arsye të tjera të natyrës materiale, nevojës së ndihmës reciproke fqinjësore përmes forcimit të kohezionit të vogël social, përmes ndërtimit të raporteve të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë dhe lidhjet me “gjitonët”.
Situatat e fqinjësisë në shoqërinë e sotme kanë ndryshuar, madje janë përmbysur. Shoqëria postmoderne shqiptare natyrshëm që është shumë pak kohezive se ajo e së kaluarës. Ajo është e përbërë nga një material social i “holluar” dhe i pamjaftueshëm për ndërtimin dhe funksionimin e fqinjësisë sipas modelit të vjetër tradicional. Modeli i sotëm strukturor i organizimeve të jetës sociale, përfshirë edhe fqinjësinë ka bërë që të përmbysen raportet e vjetra të sundimit determinues të peshës sociale të shoqërisë dhe ndikimit të fuqishëm të organizimeve të saj (përfshirë edhe fqinjësinë) në raport me individin.
Një situatë kjo fare e kuptueshme, krejtësisht e natyrshme për shkak të ardhjes së modelit të ri të lidhjeve dhe raporteve individuale të personalizuara të njeriut me të “tjerët” dhe shoqërinë si një e tërë. Koha që ka ardhur dhe në të cilën jetojmë në mënyrë organike dhe fare natyrshëm, e ka individualizmin dhe lidhjet e personalizuara, të lira, voluntariste e të ndryshueshme si “ideologji thelbësore” të saj. Kjo do të thotë se po përballemi sot dhe akoma më shumë në të ardhmen me prirjen e fortë sociale, të thellimit të fenomeneve të asocialitetit dhe desolidaritetit social, zbehjes së mbështetjes reciproke duke shënuar kështu nivele të larta të zbehjes së relacioneve të fqinjësisë së mirë dhe e shoqëruar në të njëjtën kohë me zgjerimin e indiferentizmit social në jetën urbane.
Prirja e përhapjes së modelit të “individit të mjaftueshëm”, që nuk ka nevojë dhe që nuk mbështetet tek “tjetri” apo të tjerët, tendenca e luftës së vendosur për forcimin e pavarësisë material përmes betejës për forcimin e statusit ekonomik të familjes, për ta bërë atë ekzistencialisht të sigurt nga befasitë ekonomike e rrethanat e “pabesive” të jashtme, janë tendenca që godasin konceptin komunitarist të nevojës së fqinjësisë. Në fund të fundit këto janë shkaqe objektive të atij realiteti, që aktualisht sociologjikisht konstatohet qartë dhe që ka të bëjë me realitetin, se edhe në shoqërinë e sotme shqiptare “fqinjësia po ftohet” si relacion social.
Është absurde që në këto kushte të pretendosh për “sisteme komunikimi” të zgjeruara, apo mbajtjen në këmbë të sistemit të vjetër dhe vlerave të përbashkëta (sipas modelit tradicional) të fqinjësisë. Njeriut postmodern për shkaqe që nuk varen vetëm prej tij, por që diktohen nga imperativat e jashtme dhe nevojat e ngutshme të jetës së personalizuar në mënyrë të natyrshme dhe të pashmangshme gradualisht po i “zvogëlohet” bërthama e lidhjeve dhe kohezioneve sociale komunitare dhe po i forcohet ashti individual, i shoqëruar nga modeli personalist i lidhjeve fqinjësore dhe të komunikuarit dhe komportimit social.
Në këto kushte edhe modeli tradicional i formave të vjetra të “fqinjësisë së madhe” komunitariste dhe modeleve super sociale të fqinjësisë janë në krizë ekzistenciale përballë tufaneve dhe turbulencave të forta individualiste të mënyrës postmoderne të jetuarit. Për pasojë njerëzit tanë shpesh nga që nuk kuptojnë ontologjinë sociale, thelbin racional të asaj që ka ndryshuar në raportet e njeriut me modelet e vjetra të fqinjësisë, nuk kanë dëshirë të “pajtohen” apo më saktë, të bëjnë “paqe” me faktin që tradita sociale e vjetër dhe përmbajtja e formave tradicionale të fqinjësisë janë “përmbysur”. Pikërisht për shkak dhe nga forca e vlerave të reja të shoqërisë të bazuar në ideologjinë liberale të afirmimit të individit si të tillë, mënyrave tejet të personalizuara dhe fare të pa diktuara dhe imponuara nga askush, për mënyrat, format, modelet dhe modulet e ndryshuara e të holluara të fqinjësisë. Dominanca e ideve të reja sociale liberale në këtë fushë, ka diktuar që “fqinjësia” nga një raport i diktuar në mënyrë direkte apo të tërthortë nga faktorë të jashtëm ideologjikë, moralë e materialë, tani është bërë një “mundësi selektive që ndeshet gjithnjë e më rrallë” nga që ka marrë trajtën e një relacioni përzgjedhës individualist, voluntarist e të personalizuar.
Në këtë kontekst tema e lidhjeve dhe marrëdhënieve me fqinjin apo “komunitarin tjetër” është problem i debatuar, si një nga shtyllat e ndërtimit të modeleve të caktuara të qytetërimit tonë. Madje edhe sot në debatin që zhvillohet për këtë problem, nëse modeli i sotëm i fqinjësisë së dobësuar dhe kohezionit të tronditur të relacionit qytetar në marrëdhëniet midis fqinjëve, shumë gjykime ose janë empirike e të nxituara, ose janë dhe shfaqen të determinuara nga idetë e vjetra tradicionale, mënyra konservatore të dallimit midis asaj që është e drejtë apo e gabuar në sferën e ndërtimit të fqinjësisë.
Padyshim duke e parë problemin e mënyrave dhe tipologjive të reja të ndërtimit të modeleve të reja të “fqinjësisë komunitare”, duhet pranuar pa asnjë mëdyshje dhe hezitim se në kohën e sotme në mënyrë të pashmangshme jeta urbane ka sjellë dhe diktuar forma të reja të fqinjësisë komunitare, të cilat në një masë të konsiderueshme janë rikonceptuar duke prerë lidhjet me modelin e kaluar të fqinjësisë supersociale. Filozofë të shquar që janë marrë me problemin e vlerës, rolit dhe dobisë së modelit komunitar të fqinjësisë, janë të mendimit dhe kanë të drejtë kur fqinjësinë e konsiderojnë si “formë jopolitike shoqërizimi” (Pragmatisti amerikan John Devvy) apo si një mënyrë me të cilën ndërtohen raportet sociale në lidhjen e natyrshme “Unë”+ “Ne”.
Në Shqipëri në këto 27 vite të demokracisë kanë ndodhur ndryshime e përmbysje të thella të koncepteve dhe praktikave të ndërtimit të lidhjeve e marrëdhënieve sociale. Lëvizja e lirë, Revolucioni Urban dhe demografik kanë qenë faktor që sollën ndryshime materiale e fizike në raportet e vjetra të lidhjeve komunitare dhe modeleve empirike, të ngushta të ndërtimit të fqinjësisë. Në këto kushte duhet të jesh i verbër të mos pranosh të vërtetën, se ndryshimet e modeleve të jetës urbane e strukturës sociale të mos sillnin ndryshime radikale edhe në “statusin e fqinjësisë”. Kjo do të thotë se është paradox të kërkosh aplikimin e modeleve të vjetra të lidhjeve sociale e “kohezionit fqinjësor”. Nuk mund të jesh analog me jetën postmoderne dhe të vërtetat e saj, në se konceptin dhe realitetet e reja të shfaqjes së miqësisë midis njerëzve nuk i vendos në kontekstin e shoqërisë që jetojmë apo në se nuk kupton se në çfarë “epoke shpirtërore” jetojmë.
Nuk ka dyshim që pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur, vlera e fqinjësisë mbetet si një kërkesë e pamohueshme. Ajo ka një thelb human që e vlen të investohet për të dhe të punohet, për të gjetur rrugët e duhura të “mirëmbajtjes së fqinjësisë” në nivele të reja në përputhje me imperativat e kohës. Padyshim modeli i akseleruar i “turbokapitalizmit shqiptar” ka angazhuar tërësisht njeriun në garë, në luftë për para e sukses personal. E tërë koha e njeriut është bërë “kohë cilësore”, e vendosur në dispozicion të punës dhe objektivave personale të jetës.
Kjo situatë e ka pakësuar “kohën sasiore”, atë kohë që mund të duket e “tepërt” dhe që mund të vendoset në shërbim të objektivave komunitare, përfshirë edhe atë që duhet për krijimin dhe mirëmbajtjen e fqinjësisë. Sepse edhe fqinjësia nuk është relacion social pa kosto. Përkundrazi edhe ajo ka kostot e veta që duhen llogaritur. Kjo është arsyeja që fqinjësia është zbehur deri në kufijtë e një sjelljeje të jashtme njerëzore, apo të zbatimit përmes moduleve të një lloj Teatraliteti Komunitar në marrëdhëniet me fqinjin që ke afër, lart, përballë apo poshtë banesës tënde.
Megjithatë në kushtet zgjerimit të tendencës për jetë individuale, me privaci të fortë, relacione të mbyllura, është e domosdoshme të mbajmë një nivel të caktuar të fqinjësisë, për të ndërtuar një madhësi të “kapitalit social” apo të lidhjeve qytetare të tërthorta midis banorëve fqinj e që nuk kanë lidhje fisi apo gjaku, si një mjet me të cilin mund të zgjidhim bashkërisht një varg problemesh të jetës, banesës së përbashkët (pallatit) dhe nevojave të përbashkëta komunitare. Ka shumë gjëra që e bëjnë të domosdoshme fqinjësinë, sepse ka shumë gjëra e nevoja të përbashkëta në jetën komunitare, të cilat nuk mund t’i zgjidhim veç e veç, por përmes frymës së fqinjësisë dhe kohezionit fqinjësor. Padyshim fqinjësia nuk është ekuivalente me miqësinë. Ne mund te jemi fqinj edhe pa qenë medoemos edhe miq. Miqësia është e lidhur me ndjenja e raporte më të thella, kurse fqinjësia nuk është e thënë të jetë e tillë. Miqtë i zgjedhim, kurse komshinjtë jo.