Ftesa e Ramës për tryezë, kreu i Unionit të Gjyqtarëve: Nuk kemi marrë ftesë

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, thotë se nuk ka marrë asnjë ftesë për dialog nga kryeministri Edi Rama, pas miratimit në Kuvend të ligjit të ri për pagat e magjistratëve me votat e mazhorancës. Sipas tij, edhe kolegët nuk kanë marrë një ftesë të tillë, por theksoi se gjyqtarët janë pro dialogut dhe e konsiderojnë atë si rrugën për zgjidhjen e problematikave.

“Nuk kam asnjë ftesë. Besoj se dhe kolegët e tjerë nuk kanë asnjë ftesë. Por dua të nënvizoj faktin se jemi pro dialogut. Është e vetmja rrugë që zgjidh problemet. Ne i dëgjojmë palët, i ftojmë që të dialogojmë. Ne i kemi ftuar këtu e 7 vite më parë për dialogim. Tri herë radhazi na janë mohuar diskutimet”, tha Hoxha në ”News 24”. Ai deklaroi se gjyqtarët kanë kërkuar ndër vite ndërhyrje për statusin e magjistratëve dhe për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas tij, ata janë drejtuar disa herë Gjykatës Kushtetuese, jo për rritje pagash, por për të kundërshtuar uljen e tyre dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të përcaktuara për statusin e magjistratëve.

Ai bëri me dije se përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor, pritet të depozitojnë sot kërkesën e radhës në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Këto momente do të depozitohet kërkesa e katërt e magjistratëve, e përpiluar nga shoqata e gjyqtarëve, e prokurorëve, KLGJ, për shfuqizimin e ligjeve që miratoi Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkesa kryesore: pezullim të zbatimit të këtij ligji”, deklaroi Hoxha.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?