Ftesë për debat demokratik me kosovarët myslimanë

Nga Halil Matoshi*

Në Republikën e Kosovës lufta globale antiterror është vetëm një test provues, pra është e fabrikuar. Në Kosovë ky armik është fantazmë.

Dhe është shumë OK që është kështu.

Pjesa më e madhe e lidershipit të kriminalizuar politik kosovar, një pjesë e inteligjencës dhe policisë (ata që besojnë naivisht në propagandat politike e jo në intuitën dhe përgatitjen teorike e praktike profesionale), shumica absolute e neomarksistëve (enveristëve, ateistëve) dhe konvertuesve fetarë, si dhe shumica absolute e shqiptarëve të besimit të krishterë, si dhe krejt media kosovare, po e dëshirojnë ndonjë sulm terrorist në Kosovë, para se “ata” ta bëjnë të vërtetë atë që ‘nostradamusët” e rinj kosovarë na e paskëshin paralajmëruar, për të na i ulur sytë përdhe nesër: “A ju kemi thënë???”

Pa e mohuar imoralitetin e “Al-Qaeda”-s (e cila është heshtur!???) dhe sidomos brutalitetin e ISIS-it, duhet të theksohet “sikletosja e ndërgjegjes” sonë në këtë epokë që filozofi francez Jean Baudrillard e cilëson si fillim i luftës së katërt, e cila më në fund është globale, sepse në shënjestër e ka globalizmin.

Sipas autorëve Richard Appignanessi & Sardar e Curry, një akti terrorist të paparë në historinë moderne iu dha epitafi i dy numrave anonimë: 9/11. Baudrillard mori guximin që të na e testojë “tronditjen e së vërtetës” të përjetuar ato ditë.

Për filozofin francez, 11 shtatori ishte imazhi që përdhunshëm po merrte hak ndaj botës së kthyer në suimulkrum virtual. “Al-Qaeda” kreu krimin më të pafalshëm të vërtetë mbi “Kullat Binjake” (Qendra Botërore e Tregtisë) në New York, porse krimi më i pafalshëm ishte se i rrëmbeu mediat “më në fund për një ngjarje të vërtetë” – të vërtetë, sepse pa fije dyshimi ajo pati domethënie simbolike të mirëfilltë. Por kjo domethënie duhet kuptuar si realitet që buron prej vetë fajësisë sonë të papranuar që mund të formulohet kësodore: “Ata” e bënë – por ne e dëshiruam”.

Në këtë kontekst, Baudrillard mendon se 11 shtatori nuk e përfaqëson lakminë e Botës së Tretë për pasurinë tonë dhe liritë tona të privilegjuara. “Ai na përfaqëson ne perëndimorët, që donim ta shihnim Amerikën tek ndëshkohet për përparimin që na e garanton…”

Lufta me islamikët në Kosovë, çfarëdo qofshin ata, politikë dhe fashistë apo thjesht wehabi që përkushtimin ndaj besimit (pra edhe jihad-in) e kanë shndërruar në trans ideologji (madje edhe hipnozë) është e shpikur.

Shqiptarët kosovarë të besimit islam duhet ta ruajnë baraspeshën dhe qetësinë, e klerikët shqiptarë myslimanë dhe të krishterë duhet ta forcojnë ekumenizmin, sepse kjo “ndjekje shtrigash” është kalimtare.

E kam fjalën ekskluzivisht për territorin e Republikës së Kosovës, duke pasur dilema për Republikën e Shqipërisë dhe për FYROM-in, ku ndikimi i shërbimeve sekrete greke, maqedonase-sllave dhe serbe është i dukshëm.

Dua ta qartësoj: Kosova është e paprekur nga çfarëdo lloj veprimtarie terroriste të firmës ISIS, prandaj terrorizmin duhet kërkuar në zyrat e shërbimeve sekrete armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve dhe në disa formacione paraushtarake shqiptare që luftojnë për dominim të shoqërisë dhe pushtetit personal.
Kjo luftë ndaj terrorit global, përkatësisht fashizmit islamik – në truallin e kosovarëve – është thjesht luftë propagandistike e një pjese të lidershipit politik, pothuajse e tërë spektrit mediatik dhe mekanizmave të sigurisë së këtij shteti të ri.

Po cila instancë globale ka vendosur që Kosova e vogël dhe e sapodalë nga një konflikt i tmerrshëm të jetë e përfshirë në këtë luftë “pa armik qartë të definuar”?
Pra, këtë luftë për të qenë legjitime, duhet adresuar një armiku: Islamit radikal.
E po të mos fabrikohej ky armik fantazmë – që po sillet rreth Kosovës – nuk kish për t’u lindur as reaksioni ndaj ‘islamofobisë’.
Sepse të përfshirët në debat nga provenienca islame, si tendencë mbrojtëse e shpikin ose fabrikojnë armikun po ashtu fiktiv nga ana tjetër – armikun nga i cili u dashka të mbrohet feja e profetit Muhamed – sipas masës dhe kutit të tyre.

Pra sikurse islami politik që kryesisht është i fabrikuar në Kosovë edhe islamofobia është po aq e shpikur!

Në natyrën e tij, ekstremizmi e ushqen ekstremizmin, sepse Marksi e Muhamedi përmes idealizmit të Platonit dhe prakticizmit të Stalinit e Maos, pikëtakohen, pra na dalin kushërinj ideologjikë!?.
Besimtari i devotshëm kosovar i fesë islame (përjashto imamët kontrovers, e ndër ta edhe Krasniqi e Tërnava) po aq sa qytetarët tjerë, e do atdheun, i do ata që nuk janë dhe që nuk besojnë në atë që ai beson, pra ia shtrin dorën tjetrit, të krishterit dhe ateistit, ngase besimtari e ruan shtëpinë, pra atdheun e tij, fytyrën dhe moralin, si sytë e ballit.

Kurse atyre që duan ta instalojnë fenë (fetë) në shtet duke mësyrë ta aplikojnë Sheriat-in në një shoqëri demokratike që ka përqafuar vlerat e përbashkëta evropiane, duhet jo vetëm t’u thuhet hapur: Kurrë!

Por edhe t’u shpjegohet qartësisht përse nën vlerat e islamit burimor, shoqëria shqiptare (dhe kosovare) shpërbëhet, ngase konstituimi i saj është bërë në baza jofetare, pra me mbështetje në gjuhën, kulturën dhe traditat historike (fillimisht Shqipëria) dhe në baza të trashëgimisë së luftës së NATO-s dhe Perëndimit për ta parandaluar gjenocidin serb në tentativë (së voni Kosova), duke u dhënë kosovarëve “vetëvendosje zhdëmtuese” (Marc Weller) që i detyron ata të jetojnë ekskluzivisht në solidarësi qytetare me të tjerët, si një komb i dalë nga konflikti.

Duke i pasur parasysh argumentet e mësipërme, asnjë akt terrori (që mund ta bëjnë “ata”, por që e kemi dëshiruar “ne”) nuk do të ndodhë në Kosovë, jo për hirin e dikujt në pushtet ose me pushtet medial, porse këtë nuk e lejon ndërtimi shpirtëror i shqiptarit kosovar, i cili, ndër shekuj e ka bërë simbiozën e dy besimeve abrahamike (islamit dhe krishterimit) ku ka marrë mësimet për jetën , hajmalitë dhe uratat, porse ka shkuar për ilaç edhe në tyrbe e sinagoga…
Do të mund të përligjej beteja e “aleancës” së përçudshme kosovare kundër fashizmit islamik, po të mos fshihej pas retorikës së saj turri kundër islamit si religjion – duke mos iu dridhur dora e goja – që ta shpallin si fe “primitive”, “skllavëruese e të pareformuar”, “mesjetare”, dhe së fundi “jonjerëzore e mizore.”

Kosovarëve që përfaqësojnë këtë mendësi antiislame, nuk u dhemb fare për lirinë e fituar me 100 vjet fli e vuajtje, por atyre u dhemb që t’i legjitimojnë botërisht qëndrimet e tyre përjashtuese e rigjide dhe jo gjithherë të bazuara (stereotipet) për islamin në tërësi dhe jo vetëm për radikalizmin ekspansionist të kamufluar nën petkun islam dhe rrezikun që i kanoset Republikës së Kosovës nga ky islamizëm politik.

Dhe përmbushja e kësaj “profecie” do të ishte festë për ta!
Mirëpo, e kam thënë disa herë në media dhe i rri mbas: Jo që në Kosovë nuk ka fanatikë ideologjikë e fetarë, jo që nuk ka kriminelë të pabesë e të pa komb e fytyrë, jo që nuk ka mercenarë e të marrë me bollëk, që besojnë në dogma, porse konstituimi shpirtëror i shqiptarit kosovar nuk pranon kurrë t’i bëhet strehë një ideologjie të tillë fashiste, siç është islami politik, i cili nuk i shquan shqiptarët as kosovarët si njerëz të lirë dhe modernë, që e kanë zënë trenin e fundit me qytetërimin perëndimor, me ndihmën e të cilit e kanë fituar lirinë dhe shtetet kombëtare.

Islami radikal duke operuar me gjysmë të vërteta dhe propaganda, shqiptarët e besimit islam i konsideron dhe pranon vetëm si pjesë e ‘dinit islam’ në gjeografinë evropiane, por jo edhe si pjesë e pandashme e kulturës ballkanike dhe evropiane, si entitete shtetërore dhe kombëtare.

Ideologjia panislame thjesht nuk i konsideron shqiptarët për evropianë, duke ua mohuar atyre intencën për të qenë të perëndimorizuar e të përparuar.
Pra shqiptari i Kosovës – besoj unë – nuk ka për të lejuar kurrë përhapjen e kësaj të keqeje globale ndër viset e Dardanisë antike – Kosovës së re.

Mirëpo, ky prag rezistence nuk d.m.th. se shqiptarët kosovarë janë kundër diversitetit etnik, fetar, gjuhësor dhe kulturor e politik, sepse ata jetojnë në një demokraci ‘sovrane dhe shumetnike’ (Barcak Obama) në shtatë vjetët e fundit.
Kështu që edhe politika duhet t’i kthejë mbrapsht urdhrat e kujtdo qoftë për ta përdorur policinë e shtetit (vend e pa vend) ndaj kosovarëve që janë të besimit islam, por që kurrë s’do t’i bëjnë keq atdheut të vet.

Në këtë situatë, jam për dialog të përgjithshëm e permanent shoqëror rreth bashkësive fetare, e veçanërisht me shqiptarët që për një arsye (materiale, fetare ose ideologjike) ose tjetër, kanë marrë pjesë në terrorin e ISIS-it në Siri e Irak.

Dhe në përmbyllje të kësaj etape të dialogut ndërkosovar, në ligjin për bashkësitë fetare të precizohet se secili besimtar i akëcilës fe, është i obliguar që së bashku me fletanëtarësimin në një fe, kishë a xhami, obligohet të nënshkruajë besnikërinë, përkatësisht lojalitetin ndaj atdheut: Republikës së Kosovës!

Përderisa politikat agresive dhe fundësisht të këqija dinë vetëm për masat policore jo dhe për dialog të gjerë shoqëror, për riintegrim, për t’u dhënë qytetarëve shkollë të mirë e më shumë punë, më pak vëmendje mediale se qysh luten e qysh duken.
Besimi është e drejtë themelore, kurse veshja dhe dukja janë kulturë, pra zgjedhje e lirë.

Mirëpo, nuk do të thotë se po persekutohet qytetari, nëse shteti vendos me ligj që të mos lejojë shenja fetare në shkolla, si dhe të mos lejojë që fëmijët nën 17 vjet të bartin në shkollë dhe institucione publike mbulesë fetare (xhihab) ose shami siç njihet tradicionalisht tek shqiptarët
Së fundi, madje edhe Egjipti me ligj e ka ndaluar shaminë në shkollat fillore…
Mirëpo gjithnjë duhet të sillet në vëmendje fakti se një shoqëri nuk mund që të dojë për vete përqafimin e vlerave universale, kurse tjetrit t’ia mohojë ato – atij që e percepton ndryshe nga vetja – t’ia mohojë të drejtat dhe liritë themelore, siç është besimi dhe ritualet fetare;

Është joetike dhe hipokrite qe një shoqëri e lirë nominalisht të kërkojë liri shprehjeje pakufi për veten, e t’ia mohojë një grupimi fetar ose politik këtë.
Pra kosovarët duhet të jenë shumë të sofistikuar e lucidë në këtë aspekt, që të mos fabrikojnë një armik fiktiv, për qëllime politike – për t’ia ruajtur fytyrën e përlloçur klasës politike aktuale – sepse me përdorimin e pavend të policisë dhe arrestit (dhunës legjitime shtetërore) armiku rritet në përpjesëtim aritmetik!.

Kosova është e vogël dhe nuk ka njerëz për të humbur ose për t’i kthyer kundër vetëqenies etnike shqiptare dhe kombëtare kosovare.

Kosova duhet të luftojë për ta fituar secilin qytetar, për kauzën e saj të shtetndërtimit, modernizimit dhe perëndimorizmit, duke i yshtur që të gjithë qytetarët për t’i dhënë Republikës (kësaj mburoje ose çatisë së shtëpisë sonë të përbashkët) dashuri e besnikëri, lojalitet dhe motiv për ta vazhduar jetën së bashku në shtet edhe në të ardhmen…

Duke qenë se “aleanca” e përçudshme albanocentriste, që veten po e shquan si “mburojë të identitetit shekullor shqiptar” bazohet në Perëndimin dhe Evropën, por në thelb është antievropiane dhe antiperëndimore me vetë faktin se është kundër diversitetit fetar e kulturor, duke qenë se kjo mendësi nuk e pranon faktin se identitetet janë të paqëndrueshme dhe të ndërrueshme e të shumëfishta (ata mbështeten rëndom dhe në mënyrë jokritike tek mesjeta skenderbegiane dhe kryengritjet antiosmane të feudalëve shqiptarë) së këndejmi, ata e kanë shndërruar në traumë të vërtetë islamin ndër shqiptarët, duke i dhënë fuqi ikonë që përplas ata (kjo trauma ka arritur së fundi deri në shkallë paniku për ta përligjur kinse rezistencën ndaj një armiku të tmerrshëm por fantazmagorik) rreth vetë idesë së një aleance të natyrshme të Shqipërisë me Turqinë dhe marrëdhënieve solide të Kosovës me shtetin modern turk.

Duhet bërë një dallim thelbësor e të qartë që në fillesë në debatet tona për Turqinë moderne si anëtare e NATO-s, aspiruese për BE dhe anëtare e respektuar e NATO-s, pra duhet bërë dallimin strikt mes shtetit modern turk dhe shoqërisë shekullare turke në njërën anë dhe Qeverisë turke, përkatësisht mes shtetit e kombit turk dhe lidershipit të Turqisë (elitave politike) pa dashur në këtë rast të paragjykoj nëse ato elita janë liberaldemokrate apo me finesa autoritariste e diktatoriale; Pra, shteti modern turk dhe lidershipi i kësaj linje (kryesisht çarqet ushtarake e intelektuale) janë aleate të besuara të SHBA-së (mburojë e Grykës së Bosforit) së këndejmi dhe natyrshëm aleat të shqiptarëve.

Por, aktualisht është e dallueshme në Turqi një frymë neootomane (e cila së paku si retorikë identifikohet me Erdogan & Davutoglu) që shkakton neveri e ndonjëherë frikë sidomos tek shqiptarët e mendësisë albanocentriste, si dhe tek shqiptarët e besimit të krishterë.

Kryeministri Ahmet Davutogllu (një student i Harwardit) duke mëtuar që të zbërthejë “boshllëqet gjeopolitike", sidomos në Ballkanin Perëndimor pas luftës së ftohtë dhe shpërbërjes tragjike të ish-Jugosllavisë federale, mendon se “themeli i ndikimit politik të Turqisë në Ballkan janë popullsitë myslimane si mbetje osmane" që kuptohet si intencë për t'i konsideruar shqiptarët myslimanë si mbetje osmane në Ballkanin Perëndimor. (Shih për këtë: Davutoglu, Ahmet: "Thellësia strategjike" Logos .A. 2010; Fq. 161.)

Në fakt, islamizimi i popullsive të këtyre hapësirave gjeografike është si dukuri masive, e shekujve të fundit të osmanizmit, prandaj nuk mund të thuhet se ato popullsi janë “mbetje osmane”.

(vijon në numrin e ardhshëm)

*Koha Ditore

SHKARKO APP